Ndeshja më e vështirë e karrierës

Frenk De Bur ishte i qetë pas takimit, pasi tani nuk ka më asgjë në dorë. Ndeshja me Torinon sigurisht që nuk do të ishte decizive për atë, pasi jo më kot krerët e shoqërisë, përpara takimit, u takuan me ekipin dhe me drejtuesit e tjerë. Në ditët në vazhdim do të merret një vendim rreth së ardhmes të holandezit, i cili për momentin “shijon” pak momente qetësie.
“Unë them se skuadra ime duhet që të zbresë në fushë gjithmonë me shpirtin e grupit që shfaqi sot. Ne të gjithë duhet të dimë se nuk mjafton që të luajmë vetëm një ndeshje ashtu siç kemi bërë sot. Duhet që të punojmë fort për të ruajtur pozicionet që kemi”, u shpreh Thohir.
Trajneri i Interit u shpreh se, po punon fort sëbashku me të gjithë stafin. “Kur vjen nga tri humbje radhazi, atëherë gjithçka është më e vështirë. Unë të vetmen gjë që mund të bëj e bëj, pasi po punoj fort së bashku me të gjithë stafin tim. Kam besim te lojtarët e mi”.
De Boer ka folur edhe për blerjen e re, brazilianin Gabi Gol. “Do të vijë edhe momenti i tij. Ne jemi në një moment delikat dhe e shikoj se ai po punon fort”.
Trajneri i Interit kërkoi vijimësinë e fitoreve. “A jemi në një situatë më të mirë? Mendoj se tani po, jemi disi më mirë, pasi tri pikët na shërbyen shumë. Fitorja ka gjithmonë rëndësi. Kemi bërë një hap përpara, pasi kjo skuadër më pëlqeu”.
De Boer foli edhe për Ikardin. “Për mua është një lojtar fantastik dhe është një shembull i mirë për të gjithë ekipin. E dimë fare mirë se me librin që shkroi nuk veproi mirë, por gjithsesi them se është në rrugën e duhur. Në stërvitje dhe në fushë, ai jep gjithmonë maksimumin dhe kjo për mua mjafton. Kjo për mua ishte ndeshja më e vështirë e karrierës”.
Interi arriti të rikthente qetësinë pas tre humbjeve rresht, pasi Torino u thye në fundin e ndeshjes nga ekipi i De Boer që fitoi 2-1. Goli i Icardit në pjesën e parë u zhvlerësua përkohësisht nga rrjeta e Belottit në minutën e 63 të takimit, pasi ishte sërish argjentinasi që dyfishoi në të 88-ën.

Artikulli paraprakRigjen buzëqeshjen
Artikulli tjetërSi shpëtoi Franca nga refugjatët