Vetëm disa ditë pas shortit të Championsit është “ndezur” dueli ndërmjet Liverpoolit dhe Crvena Zvezdës, shkak sigurisht që është Xherdan Shaqiri.
Drejtori ekzekutiv i klubit serb, Zvezdan Terziç nuk ka ngurruar të pranojë hapur se në një klub të tillë, një shqiptar nuk do të jetonte një klimë të mirë dhe paralajmëroi se racizmi i tifozëve serb do t’ia bënin “malore” Shaqirit.
Terziç nuk u fsheh përsëri “presionin” pasi ngriti hipotezën se Shaqiri mund të mos luajë fare atë ndeshje delikate.
“Nuk besoj se do të ketë! Mendoj se do të jetë nën një trysni të jashtëzakonshme psikologjike, pasi ai do ta dijë se ku po vjen. Ai e di që Crvena Zvezda është simboli i Serbisë dhe po luan në ‘Marakana’. Nuk jam i sigurt që do të vijë. Nëse do të vijë, do të jetë i vogël, si një kokërr gruri. Ndaj kam dyshime që do të vijë. Sigurisht, si klub futbolli duhet të sigurohemi që kundërshtarët t’i presim të gjithë të barabartë, nuk duhet të merremi me historinë dhe të kaluarën. Crvena Zvezda do të bëjë gjithçka që është e mundur të bëjë Shaqirin të ndjehet se ai ka ardhur vetëm të luajë futboll. Është detyra jonë ta mbrojmë në rast se ka situata të pakëndshme”, tha drejtuesi serb.
Terziç ka qenë disa vite më parë president i Federatës Serbe të Futbollit, ndërsa përfundoi i kërkuar nga policia dhe bëri disa muaj burg në vitin 2011 për lidhjet e tij me elementë kriminalë.