Ndëshkoni me votë mjerimin nga taksat, korrupsioni e kanabisi

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një mesazh drejtuar banorëve të kryeqytetit, veçanërisht atyre të Njësisë 8, bën thirrje që përmes votës qytetarët të “ndëshkojnë problemet e shumta të shkaktuara nga papunësia, varfëria, taksat e larta, rritja e çmimit të energjisë dhe karburantit, emigrimi masiv, rritja e tarifave të universiteteve dhe kaosin që shkaktoi ligji klientelist i arsimit të lartë në këto 4 vite”. Në postimin e saj në Facebook, Jorida Tabaku shkruan se “është momenti që të lihet pas mjerimi i shkaktuar nga taksat e larta, korrupsioni masiv dhe kanabisi që ka gllabëruar vendin dhe të votohet për një ekonomi të fortë, për punë dhe mirëqenie që e realizon PD”.
Statusi i plotë
Të nderuar qytetarë të Tiranës dhe veçanërisht banorë dhe votues të Njësisë 8!
Këto katër vite kemi ndarë së bashku problemet e shumta të shkaktuara nga papunësia, varfëria, taksat e larta, rritja e çmimit të energjisë dhe karburantit, emigrimi masiv, rritja e tarifave të universiteteve dhe kaosin që shkaktoi ligji klientelist i arsimit të lartë; problemet e shkaktuara nga ligji i ri i kthimit dhe kompensimit të pronave, problemet e shpronësimit. Të gjitha këto kanë qenë prioritetet e mia gjatë mandatit të kaluar, ku ju më besuat përfaqësimin tuaj.
Së bashku kemi hartuar planin që do të sjellë zhvillim dhe punësim, duke ulur taksat, ulur çmimin e energjisë dhe tarifat e universiteteve. Duke mbështetur familjet në nevojë dhe siguruar stazhe për të rinjtë që mbarojnë universitetin, duke anuluar ligjin e arsimit të lartë dhe vendosur vlerësimin e meritë preferencës.
Më 25 qershor të gjithë bashkë duhet t’i drejtohemi kutive të votimit pasi është çasti për gjithkënd të vendosë nëse do të vazhdojmë dhe katër vite të jetojmë në mjerimin e shkaktuar nga taksat e larta, korrupsioni masiv dhe kanabisi që ka gllabëruar vendin apo do të përkushtohemi për një ekonomi të fortë, për punë dhe mirëqenie që e realizon PD.
Të dashur votues që hidhni votën për herë të parë. Ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë ju. Me votën tuaj ju mund të garantoni të nesërmen e sigurt, arsim cilësor sipas meritës dhe jo xhepit, si dhe mundësi për punësim.
Si një nënë e re, kam një thirrje për të gjitha nënat. Votoni PD që t’i garantojmë vendit tonë një ekonomi të fortë e politika sociale për të rritur fëmijët tanë në të ardhme të sigurt.
Votoni PD, votoni numrin 6 për një ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurt!

Artikulli paraprakKoncesionet i “qepen” Alpeve – Pas Valbonës i vjen radha edhe Shalës, nis gara
Artikulli tjetërPse Shqipëria nuk duhet të votojë Ramën