Ndihma e Kosovës për tërmetin, flet Haradinaj: Rama nuk më hapi telefonin…

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Abc New, ka rrëfyer se si u organizua shteti i Kosovës brenda 30 minutash për ti ardhur në ndihmë Shqipërisë së goditur nga termeti në orët e para të mëngjesit të 26 Nëntorit.

Ai tregon komunikimin me presidentin Ilir Meta dhe përmes një kërkese verbale të tij është organizuar për të sjell grupet e emergjencës në Shqipëri.

Po kështu Haradinaj ka rrëfyer se Kryeministri ynë Edi Rama nuk i është përgjigjur në telefon për ngjarjen e rëndë.

“Është bërë e pamundur për t’u lidhur me Kryeministrin. Një numër që mban Kryeministri nuk di si ta arrish në telefon. Unë e kam provuar kryeministrin dhe ka qenë vështirë, ai s’mban fare telefon dhe s’ka një person që mund të komunikosh në të tillë situatë me të”, thotë Haradinaj.

Haradinaj tregon se pas marrjes së lajmit, ka komunikuar me Presidentin Meta, ndërsa me Ramën e ka patur të pamundur,  sepse ndonjëherë për të komunikuar me kryeministrin duhet të kalohet nëpër stafe.

“Komunikimi me kryeministrin Rama është bërë e pamundur, kam një periudhë të gjatë kohorë ka qenë e vështirë për të komunikuar, ndërsa me presidentin Meta kemi komunikim direkt”, tha ai.

“Komandanti i ushtrisë tonë ka komunikuar me komandantin e ushtrisë shqiptare. Ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyeshëm mes ushtrisë shqiptare dhe asaj të Kosovës. I kam komunikuar që në orën 8 të mëngjesit, kemi kryer të gjitha protokollet për tu organizuar për ti ardhur në ndihmë Shqipërisë. Për të mos humbur kohë i kemi realizuar të gjitha protokollet sepse e dinim se koha për ato banorë ishte shumë e çmueshme dhe e gjithë procedura është kryer në kohë rekord”.

“Nuk kam hezituar të bashkëpunoj me Hashim Thaçin, kam qenë i bindur që ai do të ishte dakord me të gjitha përgatitjet”, shtoi ai.

Sa i përket mekanizmave të Kosovës, Haradinaj thotë se shteti i ri në disa raste ka përparësi. “Ne kemi përfituar shumë nga bashkëpunimi me NATO-n. Ka një nivel të mirë të vendimmarrjes në Kosovë apo të reagimit, por edhe ne i kemi disa mungesa, kemi marrë shumë mësim nga tërmeti. Ushtria, policia, zjarrfikëset në Kosovë funksionojnë plotësisht”.

“30 minuta na janë dashur për tu përgatitur, së pari  kam marrë në telefon Komandantin e Ushtrisë, Policisë, ende pa u marrë ftesa nga Shqipëria ne të jemi gati, dhe kur të merret ftesa të jemi gati për tu nisur. Në rastin tonë kemi shkuar si njësi jo si individ”.

Mendohet një numër i madh i shqiptarëve të strehuar në Kosovë, disa prej të cilave janë strehuar në shtëpi të qytetarëve.

“Në kampin në Prizren jemi duke bërë identifikimin e pajisjen kartave që menaxhohet nga zyra e Kryeministrit, po bëhen shërbime sa i përket kontrolleve shëndetësore. Nuk janë kushte ideale dhe ndaj ne po përpiqemi të tregohemi të kujdesshëm”, tha Haradinaj.

Ai u shpreh se gjatë identifikimit do të bëhet një sqarim se si është gjendja nëse ka apo jo qytetarë të cilat nuk janë të prekur nga tërmeti, kjo mbetet për tu verifikuar dhe nëse nuk vijnë nga zonat e prekura ne do ti kthejmë edhe pse disa prej të cilëve janë kthyer me dëshirë. “Duhet të tregohemi solidarë, por jo ti mashtrojmë njerëzit. Nuk len Kosova asnjë shqiptar të Shqipërisë jashtë, por nuk duhet të bëjmë gabime duke i mashtruar njerëzit. “Nuk kemi pasur incidente deri më tani, qarkullojnë informata se ka persona me precedentë penal por ende nuk kemi diçka të konfirmuar”, u shpreh ai.

Haradinaj: Me Ramën nuk pajtohem vetëm për kufijtë

“Mospajtim me kryeministrin e Shqipërisë kam vetëm me një temë, ajo është ndarja e Kosovës, nuk është personale, mbroj interesin e vendit tim”, tha Haradinaj. Kjo nuk më pengon të bashkëpunoj me kryeministrin Rama, kam bërë përpjekje për të komunikuar me Ramën, por nuk kam pasur asnjë komunikim.

Sa i përket ndryshimit të kufijve apo marrëveshjes së saj ai thotë se nuk kam parë një marrëveshje, por kam parë qëndrime që e bëjnë një marrëveshje. “Jam kundër të shkëmbimit të territoreve, Pavarësia e Kosovës është në territorin e tanishëm të kufijve dhe nuk të pranoj ndryshim të kufijve.

Ne jemi opozitë nuk i bëjmë opozitë vendit tonë, nuk do të bëjmë politikë vetëm për të kundërshtuar. Kemi mjaft integritet politik”, tha Haradinaj.

Gjyqi në Hagë është politik

Sa i përket thirrjes në Gjykatën e Hagës, Haradinaj tha se i ka kryer detyrat e tij. “Nëse ka tendenca i sfidoj sërish, janë hetime krejtësisht politike. Kam qeverisur si kryeministër i një vendi sovran, shqiptari nuk ka luajtur nga e drejta vet”, u shpreh kryeministri në detyrë i Kosovës.

Së fundmi Haradinaj i është drejtuar me një mesazh shqiptarëve. “Njeriu për njeriun është çdo gjë, duhet ti qëndrojmë afër secilit prej tyre që kanë humbur të afërmit. Nuk duhet të lëmë askënd pa përkujdesje, kudo që janë njerëzit të mos kursehen u shpreh Haradinaj. /abcnews.al

 

Exit mobile version