Ndihma për azilantët që duan të riatdhesohen

Gjermania mbështet me ndihma financiare azilantët që duan të rikthehen në vendlindje. Por kjo ofertë nuk vlen për të gjithë.
Deri më 28 shkurt një kategori azilkërkuesish, të cilëve u është refuzuar e drejta e qëndrimit në Gjermani mund të kërkojnë një ndihmë për t’u riintegruar në vendin e tyre të origjinës. Familjet mund të marrin deri në 3000 euro, kurse individët deri në 1000 euro. Këto para mund të përdoren për të paguar qiranë, për të riparuar banesën, për pajisjen e tyre e kështu me radhë. Programi “Vendi yt e ardhmja jote” plotëson programin “Starthilfe plus”.
Ministri i Brendshëm, Thomas de Maizière u bën thirrje azilkërkuesve të refuzuar që ta shfrytëzojnë këtë ofertë. “Nëse ju vendosni deri në fund të muajit shkurt që të ktheheni vullnetarisht në vendlindje, mund të përfitoni edhe këtë ndihmë shtesë për shpenzimet për strehim në vendin tuaj. Ne ju ndihmojmë me ndihma konkrete për riintegrimin”.

Asnjë ndihmë e re financiare për azilkërkuesit shqiptarë të refuzuar
Sipas Ambasadës Gjermane në Tiranë sa u takon azilkërkuesve “me shtetësi shqiptare në Gjermani, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, duke nisur nga data 1 dhjetor 2017 nuk mund të marrin në konsideratë asnjë mbështetje të mëtejshme financiare apo asistencën financiare për kthim”.
Gjermania e ka kategorizuar Shqipërinë si vend të sigurt origjine dhe kërkesat për azil nga shtetasit e këtij vendi – sikurse edhe nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor – përpunohen me procedura të përshpejtuara dhe refuzohen praktikisht në çdo rast.
Azilkërkuesit e refuzuar janë të detyruar të kthehen në Shqipëri dhe ata mund të dënohen edhe me ndalim hyrjeje në të gjithë hapësirën e vendeve Schengen për një periudhë deri në pesë vjet, nëse nuk pranojnë të largohen me dëshirën e tyre, por kthehen forcërisht në Shqipëri.

Pak kërkesa
Sipas gazetës “Bild am Sonntag” në periudhën shkurt-tetor 2017 ndihma për rikthim në vendlindje kanë kërkuar vetëm 8639 vetë. Po sipas kësaj gazete në Gjermani ka 115.000 azilkërkues të refuzuar. 80.000 syresh kanë statusin “Duldung”, 35.000 pritet të dëbohen, ndërkohë që nga janari deri në shtator 2017 janë dëbuar 19.520 vetë.
Autoritetet gjermane i mbështesin prej vitesh me programe të ndryshme ata që duan të kthehen në vendlindje, pavarësisht nëse janë azilkërkues apo kanë leje qëndrimi në Gjermani.

Exit mobile version