Një i ri, i cili shpëtoi çiftin e të moshuarve brenda banesës në flakë në Fier, ka treguar si hyri mes zjarrit dhe i nxorri jashtë shtëpisë.
Ai u shpreh se po kthehej nga puna kur i moshuari i kërkoi ndihmë duke i thënë “mu dogj shtëpia”. Dëshmitari u shpreh se hyri mes flakëve dhe i nxorri jashtë, ndërsa shtoi se zjarrin e fiku me kova uji së bashku me komshinjtë.
“Kur u ktheva nga puna, më thirrën ‘O Romeo ndihmë”. U futa midis zjarrit. Çfarë ke i thashë. “Mu dogj shtëpia”. Vajta i ndihmova, shkova dhe i nxora, dera ishte e hapur. U futa midis zjarrit, e fika me kova uji, më ndihmuan dhe komshinjtë.
Nxora njëherë babanë tek ballkoni, më pas zonjën. Jo nuk erdhi menjëherë zjarrfikësja, u zura me ta. I thashë hyni brenda, talleshin me mua”, tha ai.
Si ndodhi ngjarja
Altjon Sulejmani raportohet se i ka vënë zjarrin banesës, ka mbyllur dy të moshuarit brenda banesës duke kyçur dyert dhe më pas është laguar.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen “15 Tetori” të qytetit të Fierit, ku forcat zjarrfikëse kanë bërë të mundur nxjerrjen e të moshuarve nga banesa në flakë.
Raportohet se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu mësohet se 42-vjeçari, i cili u arrestua pas ngjarjes, ka ushtruar më parë dhunë ndaj prindërve të tij.
Njoftimi i policisë:
Fier/Tentoi të vriste prindërit e tij të moshuar, duke i vënë zjarrin banesës, kapet dhe vihet në pranga 42-vjeçari.
Mbrëmjen e djeshme, në lagjen “15 Tetori”, Fier, një banesë ku ndodheshin 2 të moshuar, është përfshirë nga flakët.
Pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses, të cilët kanë mundur të nxjerrin nga banesa, 2 të moshuarit, në gjendje të mirë shëndetësore. Zjarrfikësit kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.
Nga hetimet paraprake rezultoi se djali i shtetasve të moshuar, shtetasi A. S., 42 vjeç, banues në Fier, i ka vënë zjarrin banesës ku jetonte bashkë me prindërit, ka mbyllur dyert, në mënyrë që ata të mos dilnin nga banesa dhe është larguar.
Po nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar më parë dhunë ndaj prindërve të tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit A. S., 42 vjeç.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.