“Ndihmë ushtarake Prishtinës”- Karabina për planin e Bashës: Kosova, obligim për PD

Zëdhënësja e Partisë Demokratike zyrtare, Mirela Karabina, ka komentuar deklaratat e kryedemokratit Lulzim Basha, i cili tha në konferencën e mbajtur këtë të premte, se ditën e hënë PD do të dorëzojë në Kuvend një amendament ku do të kërkojnë që 50 milionë euro nga buxheti i vitit 2024 të shkojnë për ndihmë ushtarake për Kosovën.

Në një intervistë për Euronews Albania, Karabina tha se PD ka interes të veçantë jo vetëm për qytetarët e Shqipërisë, por edhe për çështjen e Kosovës.

Ajo tha se deklaratat e kohëve të fundit nga liderët serbë kanë ngritur alarmin për cënimin e paqes dhe sigurisë në rajon dhe shtoi se PD e quan obligim që Shqipëria të jetë në këto kohë krahë Kosovës.

Pjesë nga biseda në studio:

Pyetje: Një deklarat e Bashës për 5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për Kosovën, pse?

Karabina: PD ka interes të veçantë jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për çështjen e Kosovës. Përgjatë javës që kaluam ka pasur një intensitet deklaratash dhe lëvizjesh që vënë në rrezik paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ndërkohë kemi edhe aleatët tanë që e kanë përvijuar edhe ata qëndrimet e tyre në mbështetje të stabilitetit të paqes në rajon. Kemi deklarata të liderëve serbë në lidhje me qëndrimet e tyre për zonën serbe.

PD e quan obligim që të jemi pranë Kosovës, sepse kjo ka të bëjë me sigurinë kombëtare të Shqipërisë e Kosovës. Besojmë se edhe pjesa tjetër do i bashkohet këtij hapi konkret. Basha e bëri të qartë që ne duhet të jemi edhe prodhues e eksportues të sigurisë.

Exit mobile version