Ndizet “lufta”!

Trembëdhjetë ndeshje janë një kohë shumë e gjatë në futboll. Për t’i dhënë një kontekst të caktuar: nëse Arsenali do të dështonte të fitonte në 13 ndeshjet e ardhshme, vallë ku do të përfundonte në mes të janarit? Mjafton kaq për të kuptuar diferencat e mëdha që ekzistojnë në përballjet mes tyre të Zhoze Murinjos dhe Arsen Vengerit.
Deri tani, ai ka dështuar ta mundë në 13 sfida radhazi. Në 13 ndeshjet e fundit, portugezi e di shumë mirë çfarë do të thotë të mposhtësh Vengerin. Ai ka arritur 7 fitore dhe gjashtë barazime, për të pasur një bilanc shumë pozitiv. Kjo është vetëm një statistikë për të treguar diferencën mes Arsenalit dhe Çelsit, skuadra që kanë bërë luftë dhe betejë gjatë viteve të fundit në futbollin anglez. Arsenali ka arritur të shënojë vetëm 5 herë në 20 orë futboll të luajtur dhe ka pësuar 21 gola.
Edhe pse “Topçinjtë” kanë qenë favoritë për të fituar, ata nuk ia kanë dalë të lënë gjurmë në derbet londineze. Venger nuk e ka pasur kurrë këtë problem me trajnerët e tjerë si Ranieri, Viali apo Ançeloti. Por, në momentin që Murinjo mori drejtimin e skuadrës, ai nuk arriti t’i mposhtte dot rivalët.
Dueli i hekurt dhe i ashpër mes dy trajnerëve nuk ishte vetëm në fushën e lojës, por edhe në konferenca dhe në deklarata. Marrëdhënia e tyre nuk ka qenë kurrë e qetë, prandaj të shtunën në “Old Trafford”, Murinjo do t’i japë “mirëseardhjen” teknikut francez të Arsenalit për herë të parë që nga koha kur është trajner i Junajtid.
Këtë vit, Venger është në rrugën e duhur për të rikthyer titullin kampion në Londër sepse tifozët e Arsenalit kanë pritur 12 vite për diçka të tillë. Këtë herë është ndryshe, Murinjo nuk është më ai i kohëve të vjetra. Vetëm me katër muaj në punën e tij të re, duket i lodhur dhe deri diku i palumtur. Nuk ka pasur ecuri pozitive, prandaj kjo është reflektuar edhe në humorin e tij.
Nga ana tjetër, Venger duket i rinuar dhe me energji. Ai ka optimizëm dhe ka rigjetur ecurinë pozitive në këtë kampionat. Venger do të tentojë patjetër t’i bëjë keq “armikut” të tij për t’i dhënë një shkelm të fortë dhe ta nxjerrë nga lufta për titullin kampion. Venger nuk mund ta harrojë kurrë deklaratën e fortë që Murinjo ka bërë dhjetë vite më parë.
“Venger ka një problem të madh me Çelsin dhe më duket nga ata persona që kënaqen kur sheh të tjerët që kryejnë marrëdhënie seksuale. Duket sikur ka vendosur një teleskop të madh në shtëpinë e tij dhe sheh çfarë po ndodh në familjet e tjera. Flet dhe vetëm flet për Çelsin”, ka thënë Murinjo.
Francezi i është përgjigjur menjëherë. “Ai nuk është në rregull me veten dhe nuk di çfarë flet. Kjo ndodh kur u jep sukses njerëzve budallenj. Ata bëhen më budallenj nga sa janë”, tha Venger. Asgjë nuk përfundoi me kaq, pasi Murinjo u hodh sërish në kundërsulm. “Në stadiumin e Çelsit kemi një dokument me të gjitha deklaratat e Vengerit për skuadrën tonë në 12 muajt e fundit. Nuk janë vetëm 5 faqe, por 120 të tilla”, nënvizoi portugezi.
Në momentin që Murinjo shkoi te Reali pati një armëpushim mes palëve, sepse nuk i lidhte më asgjë. Rikthimi i portugezit në stolin e Çelsit ndezi të tjera sfida dhe hapi duele akoma më të zjarrta. “Kush të ketë frikë nga dështimi? Venger është numri një për dështim në botën e futbollit. Ai ka tetë vite pa parë një trofe me sy”, ka thënë Murinjo. Sherri arriti kulmin kur dy figurat e njohura të futbollit anglez përdorën edhe duart. Geri Kahill bëri një ndërhyrje të rëndë ndaj Sançezit dhe ky moment shërbeu për t’i hedhur sërish benzinë zjarrit mes Vengerit dhe Murinjos.

Artikulli paraprakMurinjo, 70 milionë euro për Herri Kein
Artikulli tjetërVenger: Nuk flas për Murinjon