Ndoj: Kombëtarja, një mundësi e madhe

Pas paraqitjeve të shkëlqyera të sezonit të kaluar me Brescian në Serinë B, Emanuele Ndojit i mjaftuan vetëm dy ndeshje me ekipin shpresa për të treguar potencialin e tij. Mesfushori 20-vjeçar, i grumbulluar për herë të parë nga trajneri Panuçi tregoi emocionet e të qenit pjesë e kombëtares.
“Jam i gëzuar që më kanë grumbulluar, me lojtarët e tjerë ndihem mirë. Trajneri ka ardhur të më shohë ndaj Ternanës, ra shi dhe nuk mundi të më shikonte dhe më pas s’kemi pasur kontakte”.
Ndoj e pranon se përfshirja në skuadër është një mundësi e madhe, edhe pse është i vetëdijshëm se duhet të punojë shumë për të qenë pjesë e përhershme e grupit. Për mesfushorin e rritur në akademinë e Romës nuk ka rëndësi nëse luan në kombëtaren A apo me ekipin shpresa, mjafton që përfaqëson ngjyrat kuqezi.
“Nuk pretendoj asgjë. Jam i ri, është hera e parë që grumbullohem me kombëtaren, këtu do të bëj gjithçka thotë trajneri. Është një mundësi e madhe për mua këtu, por edhe nëse luaj me kombëtaren shpresa për mua nuk përbën asnjë problem. Nuk jam stërvitur sepse jam dëmtuar ndaj Perugias, por shoh që në skuadër punohet me intensitet dhe ka shumë kualitet”, përfundoi Ndoj.

Artikulli paraprakGavazaj rikthehet në nëntor
Artikulli tjetër“Pakt” për Botërorin