Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nuk ka pranuar para deputetëve të opozitës në Komisionin e Edukimit se është ushtruar dhunë në universitete gjatë protestës së studentëve. Lleshaj ka debatuar dhe ka replikuar me kryetaren e komisionit, Albana Vokshin. Por, i fortë ka ardhur reagimi i ish-ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, ndaj atij lloj komunikimi.
Lleshaj tha se kishte pasur një kërkesë ligjore për të shkuar në fakultete dhe se nuk ishte konsumuar asnjë shkelje ligjore atje: “Ne i kemi angazhuar kontrollet e brendshme, tha Lleshaj, dhe nuk kemi kontastuar asnjë shkelje”.
Replikat e ministrit dhe sjellja arrogante ndaj deputetes Vokshi dhe kolegëve të opozitës, kanë bërë që të ndërhyjë ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka, i cili ia ka prerë shkurt:
“Gjuha që përdorët ju duke fyer kolegen deputete, që mund të jetë normale në komunikimin tuaj me kryeministrin dhe deputetët, gjuhë horrash dhe bandash, këtu nuk ka vend. Ndaj mos guxoni as ta çoni nëpër mend që mund të fyeni kolegët deputetë.
Jeni thirrur për të na dhënë llogari si përfaqësues parlamentarë të popullit në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj studentëve në kundërshtim me ligjin nga forcat policore dhe justifikimin që keni dhënë ju se nuk ka ekzistuar e madje duke e mbrojtur në kundërshtim me ligjet. Kështu, zoti ministër, banditët mbrojnë njeri tjetrin, por një shtetar nuk mund të mbrojë asnjë vartës të tij që shkel ligjin. Na tregoni një dokument se cili titullar universitetit ju ka dërguar një kërkesë për ndërhyrjen e Policisë!”