Ndoka me armë në Mitsubishin AA 777 AG, policia nuk e prek

Ish-deputeti i PS, Arben Ndoka qarkullon nëpër qytetin e Lezhës me armë në makinë, ndërsa policia nuk ndërhyn edhe pse ky skandal është denoncuar nga qytetarët. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një mesazh të një qytetari nga Lezha, i cili denoncon publikisht lëvizjen e Ndokës me makinën tip “Mitsubishi” AA 777 AG me armë poshtë sediljes. “Qytetari dixhital denoncon: Funksionimin skandaloz të komisariatit dixhital, heshtjen e tij para krimit të radhës të pushtetarëve! Sb”, shkruan Berisha në një postim në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit nga Lezha.
“Përshëndetje Doktor. Duke ju uruar shëndet të plotë dhe duke qenë se jeni i vetmi zë i shqiptarëve në Parlament, desha të denoncoj një rast. Dinastia e krimit Ndoka në Lezhë po fuqizohet me shpejtësi me përkrahjen e policisë së Tahirit. Eshtë denoncuar në dy raste në komisariatin dixhital se në automjetin e tyre “Mitsubishi” AA 777 AG në sediljen e pasme poshtë është fshehur një armë, por policia nuk vepron deri sa të ndodhë një krim. Po ju dërgoj dhe dy numrat e raportimeve të komisariatit dixhital Nr.45066 para një muaji dhe Nr.49309. Dëshiroj të mbetem anonim, pasi nuk garantoj dot sigurinë time. Faleminderit”, përfundon denoncimi i qytetarit nga Lezha.
Deputeti i PS, Arben Ndoka, dorëzoi mandatin e deputetit në korrik të vitit të kaluar pas votimit të procesit të dekriminalizimit në Parlament. Ndoka ishte denoncuar publikisht në media dhe nga opozita për dënimin me burg në Itali për trafik prostitucioni. Në një nga dokumentat e paraqitur nga PD, thuhej se vetë deputeti socialist i kishte dërguar një kërkesë Gjykatës së Romës për 3 vite burg, nga 7 vite e 6 muaj që ishte dënuar. Ndonëse mediat publikuan fakte dhe vendimin e Gjykatës për dënimin e Ndokës me burg, Rama u vu në mbrojtje të tij. Vetëm pas presionit të ndërkombëtarëve, Rama i kërkoi deputetit të tij që të dorëzojë mandatin e deputetit.
Pas dorëzimit të mandatit të deputetit, Arben Ndoka u emërua nga Rama për të drejtuar strukturat e Partisë Socialiste në Lezhë. Fill pas dorëzimit të mandatit, Rama zhvilloi një takim me strukturat e PS të Lezhës, duke e mbajtur në krah Ndokën dhe duke e prezantuar atë si një nga drejtuesit kryesorë të strukturave të PS.
Arben Ndoka u zëvendësua në Parlament nga Eduart Ndocaj, i cili pak ditë pas marrjes së mandatit u kërcënua nga vëllai i Ndokës. Deputeti Eduart Ndocaj denoncoi publikisht skandalin e kërcënimit nëpërmjet telefonit nga vëllai i ish-deputetit të Ramës. Pasi ka marrë mandatin e  deputetit, Ndocaj merr një telefonatë kërcënuese nga Xhevahir Ndoka, vëllai i ish-deputetit z. Arben Ndoka. Ndocaj është kërcënuar me jetë për shkak të detyrës. Pas telefonatës kërcënuese, Ndocaj ka biseduar me vëllain tjetër të Arben Ndokës, Sandër Ndoka, i cili konfirmoi linjën e vëllait kërcënues, duke argumentuar se: “nuk kam çtë bëj, sepse e ke mbushur kupën”. Në lidhje me këtë kërcënim, Ndocaj ka vënë në dijeni Edi Ramën, por nuk ka patur asnjë reagim nga ana e tij.

Artikulli paraprakDenoncim nga komisariati: Po hamë burg për faturat e ujit
Artikulli tjetërDështimi i reformës në bujqësi