Deputeti dhe kryetari i PDK, Nard Ndoka i është përgjigjur letrës së hapur të eurokomisionerit Johannes Hahn për krizën politike në Shqipëri. Përmes një statusi në Facebook, Ndoka shkruan se, beteja e opozitës bëhet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të garantuar lirinë e votës.
Ndoka thotë se, kësaj beteje partitë opozitare i kanë dalë për zot dhe do ta çojnë deri në fund. Madje shton se, rezultati ka për t’u mësuar gjatë ditëve në vijim dhe Hahn e ndërkombëtarët do të shprehin përgëzimet e tyre.
Statusi në Facebook i deputetit Nard Ndoka:
Kumti i Hahn për Ramën e Metën!
Kriza politike në vend është tipike “alla shqiptare”, që nuk mund të kuptohet as perceptohet nga Hahn, as nga disa politikanë të “europianizuar” shqiptarë.
Kriza nuk lindi nga opozita, kriza nuk lindi në një ditë, kriza nuk mund të jetë jetime, por tashmë po rritet nga arroganca e qeverisë, nga mungesa e dialogut e konsensusit politik.
Kriza ka dy palë, pozitën dhe opozitën, pozita e ka zgjedhur rrugën e saj: zgjedhje midis dy partive të majta (PS-LSI), konkurim primitiv kush parti do dalë forcë e parë, e vetmja alternativë që dëgjohet sot!
Opozita nuk është vetëm PD, por disa parti që përbëjnë sot mozaikun e pluralizmit tek e djathta, qendra dhe më shumë.
Pse nuk jemi sot NE, me qeverinë (PR, PDK, LZHK, PAA, PBDNJ, AK, PLL e PBK)?!
Qeveria na ka ofruar shumë “privilegje” në qeverisje e në “natyre”, disa ndërkombëtare na ofruan më shumë mandate në Kuvend pa PD-në!
Ofertat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë maksimaliste, madje edhe një deklaratë kundër PD, Bashës e Berishës e ka një çmim, madje jo të vogël!
Ne kemi zgjedhur standardet, kauzën e votës së lirë, NE nuk kemi zgjedhur PD-në, se shpesh jemi rreshtuar edhe kundër saj pikërisht për standardet e votën, por sot jemi me Bashën dhe do vazhdojmë ta mbështesim me një kosto pragmatiste elektorale për NE më të vegjëlit, por duke fituar politikisht dhe moralisht përballë të pamoralshmëve Edi Rama e Ilir Meta!
I dashur Hahn të mirëkuptojmë, duke qenë të vetëdijshëm që ti nuk mundesh të kuptosh realitetin shqiptar, as intrigat e Ramës, as të Metes, as të europarlamentarëve shqiptarë!
NE i kemi dalë për Zot kauzës, që krizën politike ta kthejmë në liri për të gjithë.
Durim edhe pak ditë Zoti Hahn, do të shohësh, se kriza do të zgjidhet me përgjegjësi kombëtare dhe me axhendë, që Ju do ta përgëzoni vetëm për pak javë!
Lirinë e kemi fituar dhe duhet ta mbrojmë vetë, kjo është sfida midis partive të zhytura në korrupsion dhe afera e nën efektin e dehjes nga kanabisi nga njëra anë dhe ‘Republikës së Re’ që po tenton lirinë dhe respektin për të ardhmen tonë kombëtare Euroatlantike!
Më mirë 4-5 muaj në krizë, se sa 8 vite nën një pushtet “alla Erdogan apo Putin”!
Me shumë respekt për Ju, i dashur Hahn, i sigurtë që kumti Juaj do të na ndihmojë për të shtuar dozën e qetësisë ndaj kundërshtarëve tanë politik, të cilët janë kthyer në një pengesë serioze për lirinë e të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë!