Depozitimi i mbetjeve të ndryshme si dhe derdhja e ujërave të zeza në kanalin kryesor që lidh tokat bujqësore me rezervuarin e Kurjanit në zonën e Roskovecit, ka bërë që banorët e fshatit Vidhishtë të ngrihen në protestë.
Ata kërkojnë pastrimin e kanalit, i cili përshkon një zonë të banuar prej më shumë se 1 km gjatësi. Banorët tregojnë se me rritjen e temperaturave, mundësia për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme rritet. Po ashtu vaditja e prodhimeve bujqësore bëhët nga ky kanal, duke shtuar rrezikun për kontaminimin e produkteve.
“Po nuk u pastrua të gjitha ça vijnë nga lart, ujërat e banjove aty qëndrojnë. Po kush po e bën. Sa herë kemi ngritur zërin, nuk e çan kokën njeri”, tha një i intervistuar.
Nga ana tjetër, Bashkia e Roskovecit pranon problemin, por ja kalon “topin” drejtorisë së ujitjes dhe kullimit në Fier, e cila shprehet e dorëzuar për shkak të mungesës së fondeve.
Përmes kryestares së saj, Bashkia u shpreh se ka djeni për problemin në fjalë, por ja kaloi përgjegjësinë Bordit Rajonal të Kullimit në Fier.