NDOTJA PARLAMENTARE!

Nga Besart Logu

“Kemi më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë, prandaj u bashkuam me Berishën” justifikojnë gazërat parlamentare vajtjen te Rithemelimi.

Në fakt, e vetmja arsye pse PD u nda ishte SALI BERISHA. Shpallja non grata e tij rrezikonte të sillte izolim ndërkombëtar jo vetëm për atë si politikan por dhe për grupimin që e ndjek apo partinë nëse merr drejtimin e saj.

Koha provoi se, nga 9 shtatori 2021, Berisha jo vetëm që nuk mundi të revokojë non gratën amerikane por u rëndua edhe me atë britanike e në mënyrë indirekte u përball me një tjetër bllokadë, atë europiane, ku të gjitha vendet anëtare refuzojnë të kenë partneritet politik me të. Praktikisht Berisha sot është Oso Kuka i kohëve moderne. I izoluar, jo vetëm politikisht por edhe fizikisht për shkak të masës së sigurimit.

Kështu, duke qenë se asgjë nuk ka ndryshuar nga 9 shtatori, mundësisht vetëm përkeqësuar, lind pyetja: çfarë e bëri këtë grupim ti shkojë nga pas një politikani të izoluar?! Përgjigjia e vetme është: votat që ka. Dhe është krejt normale të ketë mbështetës për sa kohë ka 30 vjet në politikën aktive. Ama duhet thënë se ka vota vetëm për të qenë faktor e jo për të ardhur në pushtet.

Prandaj, gazërat parlamentare fshihen pas gishtit kur flasin për bashkim. Mundohen kot të manipulojnë opinion publik. Ata kanë shkuar vetëm për të zhvatur votat e Berishës. Duan të konfirmojnë mandatin e deputetit dhe kaq. Nuk u intereson as fati i PD dhe as i demokratëve. PD sërish do mbetet në opozitë dhe demokratët sërish të pashpresë.

Dhe e fundit, perla e gazërave parlamentare është kur thonë “u bashkuam për të ruajtur opozitën”. Do ruajnë opozitën këta, krundet politike! Nëse nuk e dijnë duhet ta mësojnë se; kush është në opozitë me pushtetin e ka bindje dhe mbetet i tillë pavarësisht se gazërat ikin nga PD te Rithemelimi apo anasjelltas. Ajo masë popullore që nuk voton PS do të gjejë një mundësi përfaqësimi ishin apo nuk ishin këta në lista.

Opozita dhe opozitarizmi kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë me dhe pa gazëra parlamentare. Madje, mungesa e tyre në parlament vetëm sa do të pastrojë ndotjen që kanë shkaktuar.

Exit mobile version