Ndragheta te plehrat e Sharrës! Përgjimet e Antimafias italiane

Kreu i Bashkisë së Tiranës ka marrë një kompani italiane të Ndraghetës për asgjësimin e plehrave të Sharrës. “Eco Tirana” një kompani me kapital italian dhe të Bashkisë së Tiranës, duket se nuk është vetëm kaq. Gazeta më e vjetër në Itali, “Roma” ka zbardhur detaje të frikshme në lidhje me njerëzit e vërtetë që kanë marrë në dorë fushën e plehrave në Sharrë.
Skandali i publikuar nga gazeta italiane është zbuluar nga Antimafia italiane gjatë përgjimeve të dy anëtarëve të Ndraghetës, të cilët flasin për investimin në Landfillin e Sharrës në Tiranë, duke e cilësuar një “biznes me përfitim për të gjithë”.
“Burimet tona thonë se, oreksi i mafias së plehrave ka bërë që të gllabërohet edhe fusha e shkatërrimit të plehrave në periferi të Tiranës, ajo në Sharrë, që nuk ndodhet shumë larg nga qendrat e banuara. Aty ende digjen plehra dhe Bashkia e Tiranës e cila ka vendosur që të ja besojë një kompanie italiane. Disa sipërmarrës nga Italia e Veriut kanë dalë si persona që do ta marrin. Njerëz të pastër, besojmë. Por ndërhyrjet, bonifikimi dhe sistemimi i kësaj fushe kushton miliona euro. Pas kësaj marrëveshjeje duket se qëndrojnë disa emra të njohur të ekomafias, të cilët arrijnë të futen gjithmonë dhe kudo. Një përgjim i bërë nga Antimafia citon dy personazhe të mafias së Ndraghetës, të cilët flasin pikërisht për fushën e plehrave në Tiranë, atë të Sharrës. “Kjo është një punë fiks për ne. Një operacion që nuk duhet humbur”, thuhet në përgjimet e zbardhura nga gazeta italiane “Roma”.
Veliaj e trumpetoi me bujë kompaninë “Eco Tirana”, duke bërë të ditur se e ka përzgjedhur këtë kompani pas diskutimeve me operatorët e ndryshëm në fushën e riciklimit. Në fakt, kompania e përzgjedhur nga Veliaj kishte një përparësi të madhe për të sepse i përkiste mafias italiane të Ndraghetës. Kjo kompani e përzgjedhur nga Veliaj do të bëjë riciklimin e plehrave të Sharrës prej nga përfitohen miliona euro, një pjesë e të cilave do të shkojnë në xhepin e Veliajt.
Gazeta “Roma” shkruan se, pritet të jetë një hetim delikat. Njerëzit e DIA dhe të Guardia di Financa aktualisht ndodhen në Budapest, por edhe në vende të tjera të Lindjes, si në Shqipëri, Maqedoni e Kroaci. Sipas gazetës, ata janë të vendosur në ambasadat italiane dhe kanë nisur punën në terren. Gazeta italiane kujton gjithashtu, se edhe në Shqipëri ka nisur një hetim në lidhje me këtë megaskandal. Sipas tyre, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për të zbardhur fatin e 1300 konteinerëve me lëndë kimike të zhdukura pa asnjë gjurmë në Shqipëri.

Antimafia italiane nis hetimet për konteinerët me plehra të zhdukur në Shqipëri

Gazeta italiane “Roma” shkruan se, Italia ka nisur një hetim për zhdukjen e konteinerëve me lëndë kimike, nën koordinimin e Antimafias italiane (DIA). Në këtë hetim ka bashkëpunuar edhe vendi ynë. Dokumentet në posedim e gazetës tregojnë, se në vitin 2016 të 1300 konteinerë, 22 ton secili (28,600 ton) dhe të destinuara zyrtarisht për në Dresla të Maqedonisë, nuk e kanë kaluar kufirin.
Gjithashtu “Roma” shkruan se, konteinerët kanë “humbur” në vijën kufitare midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Në Portin e Durrësit ngarkesa është ulur në vitin 2016. Kjo është konfirmuar nga numrat e autoriteteve portuale të Gioia Tauro dhe Durrësit në posedimin e gazetës.
“Në vitin 2016, kompanitë ndërkombëtare të anijeve kanë dorëzuar 24,816 konteinerë nga e gjithë bota dhe në tranzit nga porti italian i Gioia Tauro”, thuhet në raportin zyrtar të vitit të kaluar. “Nga këta, 2604 janë adresuar në Maqedoni”. Por, në kufirin e “Qafë Thanës”, që ndan Shqipërinë dhe Maqedoninë, këto konteinerë nga 22 ton secili nuk kanë kaluar të gjithë, por vetëm 1,140″, shkruan gazeta italiane.
Gazeta pyet “Pra, ku janë?
Gjithashtu, ajo shkruan se autoritetet maqedonase kanë nisur një hetim për disa kohë. Shumë spekulojnë se janë fshehur në tunele të nëndheshme dhe bunkerë vigan të ish-regjimit komunist në Shqipëri.
Qeveria shqiptare, vitin e kaluar u përpoq vazhdimisht për miratimin e një ligji, që lejon importin e mbetjeve urbane dhe industriale nga vendet europiane, kryesisht Italia. Mbështetur nga Kryeministri Edi Rama, reforma ka provokuar shumë kundërshtime, përfshi edhe ato brenda koalicionit qeverisës.
Po ngarkesa e konteinerëve ku ka përfunduar?
“Sondazhi i kryer nga policia italiane ka theksuar mundësinë që mbeturinat janë varrosur në Shqipëri”, shprehet hetuesi. “Sipas informacioneve tona, Shqipëria është përfshirë në biznesin e mbetjeve. Në disa rajone të vendit mbeturinat janë fshehur, ose djegur. Shpesh, përveç mbeturinave normale, mbetjet e rrezikshme edhe janë importuar. Hedhja e paligjshme e mbeturinave qarkullon shuma të mëdha parash. Mafia kontrollon këtë trafik”, shkruan gazeta “Roma”.
Në Romë, kryetari i Komisionit hetimor parlamentar mbi veprimtaritë e paligjshme, që lidhen me plehrat, Alessandro Bratti, pohon për gazetën Roma, se ka një hetim në zhvillim të plotë, për trafikun ndërkufitar të plehrave. Përfshirë edhe për 1300 kontenerët e interceptuar si të “zhdukur” në Shqipëri. Në ditët në vijim priten zhvillime të rëndëisishme në këtë hetim.
Përfshirja e Eko-Mafias, në trafikun ndërkombëtar të plehrave të rrezikshme, nuk rresht së trondituri dhe habituri të gjithë. Hetimi më i fundit i Drejtorisë antimafia të Reggio Calabria-s, ka pikërisht emrin e koduar “Ekosistemi”, ku edhe dokumentohet interesi i organizatës kriminale “Ndragheta”, për eksportet ndërkombëtare të plehrave.

Prokuroria shqiptare nisi hetimet, pas publikimit në mediat italiane

Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimet, pas publikimit në mediat italiane dhe shqiptare për 1300 konteinerët me mbetje të rrezikshme që janë nisur nga Italia drejt Maqedonisë, por dyshohet se janë groposur në Shqipëri. Fillimisht hetimet nisën nga Prokuroria e Durrësit, por për mungesë kompetencash, ajo ia kaloi çështjen Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në vendimin e Prokurorisë së Durrësit thuhet se, nga denoncimet e bëra në media dhe nga të dhëna të tjera, ka elementë të mjaftueshëm që të nisin hetimet. Po kështu, investigimi në vazhdim do të hedhë dritë nëse do të zbulohen persona përgjegjës.
Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se, ka nisur hetimet për tre akuza, atë të “shpërdorimit të detyrës”, “transportit të mbetjeve toksike” dhe në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Për llogari të këtij hetimi, mesditën e djeshme dy oficerë të Prokurorisë për Krime të Rënda kanë zbarkuar në Portin e Durrësit. Burimet thonë se, ata kanë sekuestruar të gjithë praktikat e hyrjeve tranzitore në Shqipëri që kishin me destinacion final Maqedoninë. Pasi edhe publikimet në mediat italiane, hedhin dyshime se konteinerët e mbushur me mbetje toksike janë nisur nga Bari me destinacion landfillin e Drislës në Maqedoni, por që hedhin dyshime se ata janë groposur në vende të ndryshme në Shqipëri.

R.POLISI

Exit mobile version