Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca, i shkarkuar nga detyra pas nisjes së hetimeve të Prokurorisë për nxjerrjen e tezës së provimit të maturës është futur në Ministri me njerëz të armatosur, ndërsa policia nuk ka ndërhyrë. Ministrja e Arsimit, Mirela Karabina deklaroi dje për mediat se, Ndreca përbën një rrezik të madh me shkeljet e tij ligjore në dëm të institucionit. Për këto arsye, Karabina ka kërkuar dje mbështetjen e të gjithë strukturave shtetërore, Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë së Shtetit dhe të gjithë Trupit Diplomatik të akredituar në Republikën e Shqipërisë, për të marrë në konsideratë dhe për të ndërhyrë në normalizimin e kësaj situate tejet të rënduar, e cila vjen në kontekstin e zhvillimeve të reja politike në vend dhe gjatë proceseve të pranimeve në shkollat e larta.
Në një deklaratë për mediat, ministrja Karabina deklaroi se, Ndreca lëviz në ambintet e ministrisë me persona të armatosur, duke uzurpuar institucionin shtetëror. “Jam këtu përpara jush si ministre e Arsimit dhe Sportit për të bërë publike gjendjen e rëndë të krijuar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit si rezultat i shkeljeve të rënda dhe të njëpasnjëshme të realizuar nga shtetasi Plarent Ndreca, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Si rezultat i veprimeve dhe ushtrimit të presionit të vazhdueshëm mbi të gjithë administratën kam hasur në bllokim të qëllimshëm të punës në të gjithë aspektet.
Kam ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara ligjore, duke garantuar respektimin e ligjit dhe të drejtave kushtetuese në bashkëpunim me të gjithë institucionet partnere. Me Urdhrin e ministrit të Arsimit dhe Sportit të datës 13.06.2017 shtetasi Plarent Ndreca është pezulluar nga detyra dhe sipas kallëzimit penal të datës 12.06.2017 është në ndjekje penale për dyshime të arsyeshme në përfshirjen e tij në dëm të Maturës Shtetërore”, shprehet ministrja.
Ministrja Karabina thotë më tej se, Ndreca ka firmosur një kontratë para dy ditësh në kundërshtim me ligjin. “Në kundërshtim me aktet ligjore, shtetasi Plarent Ndreca ka firmosur më datë 27.06.2017 një kontratë të shërbimit me një kompani kontraktore, duke krijuar situatë të paprecedentë në një institucion shtetëror. Aktualisht në MAS ka dy kompani private, njëra e ligjshme dhe tjera e kontraktuar nga z. Ndreca pas pezullimit nga detyra. Ky person në vazhdimësi ka nënshkruar kontrata shërbimi dhe korrespondencë zyrtare pas aktit të pezullimit në kundërshtim flagrant me të gjitha dispozitat ligjore”, deklaroi Karabina.
Ministrja Karabina deklaroi se, titullari i institucionit e ka bërë prezent situatën në të gjithë strukturat shtetërore dhe vijon të kërkojë ndërhyrjen urgjente për normalizimin e punës dhe marrjen e institucionit në ruajtje. Gjatë ditës së djeshme dhe gjatë gjithë ditës së sotme, Policia e Shtetit nuk i është përgjigjur asnjë thirrjeje për të ndërhyrë dhe normalizuar situatën e rrezikshme dhe të tensionuar që është krijuar në këtë institucion.
“Ky demonstrim force dhe arrogance i këtyre njerëzve të paligjshëm, të përfshirë në çështje të dyshimta nuk ka asgjë të përbashkët me ligjin. Ndërhyrja e tyre në protokollin e institucionit dhe marrja në administrim e serverave dhe të gjithë dokumentacionit arkivor e shkresor përbën një rrezik shumë të madh. Lëvizja e këtij shtetasi në mjediset e ministrisë, me persona të armatosur, të paautorizuar është një skandal shtetëror që tregon uzurpimin e paligjshëm të institucioneve si manifestim i forcës përkundrejt ligjshmërisë, që nuk lejon vijimësinë e punës normale në këtë institucion. Ky nuk është standardi demokratik i shtetit ligjor që është aspirata jonë e përbashkët.
Po ju bëj thirrje institucionale të gjithë strukturave shtetërore, Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë së Shtetit dhe të gjithë Trupit Diplomatik të akredituar në Republikën e Shqipërisë, për të marrë në konsideratë dhe për të ndërhyrë në normalizimin e kësaj situate tejet të rënduar, e cila vjen në kontekstin e zhvillimeve të reja politike në vend dhe gjatë proceseve të pranimeve në shkollat e larta. Garantoj përkushtimin tim maksimal në zbatim të Kushtetutës, ligjit dhe standardeve qytetare dhe demokratike”, përfundoi ministrja Karabina.
R.POLISI