Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka bërë së fundmi disa ndryshime në marrëveshjen për shërbimin universal të energjisë elektrike ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Furnizuesit të Energjisë Elektrike. Ndryshimi i parë referuar draftit të nxjerrë për konsultim ka të bëjë me afatin e hyrjes në zbatim të rregullores që është data 1 janar 2019, duke nënkuptuar se me shumë gjasa deri atëherë do të kemi të konkretizuar edhe ndarjen e vetë OSHEE.
Së dyti, ndryshimi i propozuar nga ERE ka të bëjë me kompensimin e energjisë mes operatorëve, kur ajo rezervohet, por nuk shpërndahet. Po kështu, për rastet e ndërprerjeve nga forca madhore OSHEE do të ketë një afat kohor më të gjatë për të njoftuar furnizuesin mbi detajet teknike. Më herët, ky afat ishte një ditë ndërsa tashmë do të jetë 6 ditë.
Në rastet e remonteve, operatorët duhet të zbatojnë procedurën standarde sipas planit vjetor dhe njoftimi duhet të jetë jo më pak se 20 ditë nga nisja. “Në mënyrë që të lejohet Furnizuesi të marrë masat e përshtatshme, OSHEE, në përputhje me programin vjetor të remonteve, të rakorduara mes Palëve (OSHEE, OST, palë të treta të interesuara), do të informojë me shkrim Furnizuesin jo më vonë se 20 ditë para fillimit të muajit në të cilin parashikohet kryerja e punimeve të mirëmbajtjes, duke specifikuar zgjatjen e punimeve, objektin (vendin) ku do të kryhen këto punime si dhe konsumatorët që parashikohet t’u ndërpritet furnizimi”, thuhet në draft marrëveshjen e ERE.