Ndryshimet klimatike, shtetet e prekura kërkojnë qartësi mbi detyrimet ligjore për vendet ndotëse

Në fillim të këtij muaji, Gjykata më e lartë e OKB-së nisi shqyrtimin e një çështjeje të rëndësishme, që mund të qartësojë përgjegjësitë ligjore të qeverive në raport me ndryshimet klimatike. Gjatë një procesi që mund të shënojë një pikë kthese lidhur me ndryshimet klimatike, shtetet-ishuj argumentojnë se ngrohja globale përbën një rrezik ekzistencial për to, ndaj duhet të zbatohen ligjet për të drejtat e njeriut. 

 

Në seancën e radhës që u zhvillua të martën, Britania, duke pasqyruar qëndrimet që kanë mbajtur edhe ekonomi të tjera të mëdha, kundërshtoi këtë mundësi, duke u shprehur se vetëm traktatet ndërkombëtare ekzistuese duhet të kenë rëndësi. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, ky rast mund të çojë në ndryshim të termave të negocimit mbi ndryshimet klimatike.

Rreth 99 vende po marrin pjesë në seancën dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, duke e bërë atë rastin më të madh në historinë e kësaj gjykate.

Çështja ka vënë përballë vendet e vogla ishuj me ndotësit e mëdhenj dhe prodhuesit e karburanteve fosile.

Në thelb të saj është është fakti nëse ligji ndërkombëtar i detyron shtetet të parandalojnë ndryshimet klimatike dhe të paguajnë për dëmet mjedisore si pasojë e lëshimeve të gazeve që shkaktojnë efektin serrë.

Në seancën e së martës, Britania argumentoi se vetëm traktatet ekzistuese mbi klimën siç është Marrëveshja e Parisit 2015, kanë peshë ligjore.

“Sfida e ndryshimeve klimatike mund të përballohet vetëm nëse shtetet bashkëpunojnë. Mënyra më konstruktive, më konkrete dhe për rrjedhojë, më efektive nga pikëpamja juridike është përmes marrëveshjeve ligjërisht të detyrueshme që përcaktojnë përgjegjësitë e shteteve për të trajtuar këto sfida. Në qendër të përgjigjes globale ndaj ndryshimeve klimatike është Marrëveshja historike e Parisit”, u shpreh Richard Hermer, Prokuror i Përgjithshëm i Britanisë.

Shtetet e vogla ishullore dhe bregdetare argumentojnë se ndryshimi i klimës kërcënon ekzistencën e tyre prandaj duhet të zbatohen ligjet ndërkombëtare, si legjislacioni për të drejtat e njeriut.

“Një përgjegjësi e tillë për këtë dëm ekzistencial duhet jetë subjekt sipas ligjit ndërkombëtar”, u shpreh Arnold Kiel Loughman, prokuror i përgjithshëm, ishujt Vanuatu.

Analistët thonë se opinioni këshillues i trupit gjykues mund të çojë në riformulim të termave negocioues mbi ndryshimet klimatike.

“Pritshmëria është që opinioni i gjykatës të ofrojë një parashikim të qartë ligjor dhe të heqë çdo mjegullnajë rreth detyrimeve të shteteve sipas ligjit ndërkombëtar. Negociatat e OKB-së patjetër do të përfitonin nga kjo qartësi ligjore”, shprehet Elena Kosolapova nga Instituti Ndërkombëtar për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike po nxisin fatkeqësi të rënda të lidhura me motin. Një gjë e tillë ka vënë në qendër të vëmendjes të drejtat e komuniteteve të prekura. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është një prej tre gjykatave nga ku është kërkuar qartësi ligjore lidhur me ndryshimet klimatike.

Gjykata Ndër-Amerikane e të Drejtave të Njeriut mbajti seanca dëgjimore këtë vit në Brazil dhe Barbados dhe pritet që në javët e ardshme të japë opinionin e saj mbi detyrimet ligjore të shteteve.

Gjyqtarët në Gjykatën Ndërkombëtare të së Drejtës mbi Detin, me seli në Hamburg, vendosën në maj se lëshimi i gazeve që shkaktojnë efektin serrë janë subjekt i ligjit ndërkombëtar dhe se të gjitha shtetet janë të detyruara të kufizojnë ngrohjen globale dhe të mbrojnë mjediset detare.

“Nëse një shtet dështon të përmbushë këtë detyrim, atëherë ndaj tij do të zbatohej legjislacioni ndërkombëtar”, shprehet Albert Hoffmann, kryetar i Gjykatës Ndërkombëtare i së Drejtës mbi Detin.

Shtetet e vogla ishullore e vlerësuan këtë opinion, që sipas tyre i dha më shumë fuqi ligjeve mbi ndryshimeve klimatike.

Seanca dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë do të përfundojë të premten. Gjyqtarëve do t’u duhen disa javë për të dhënë opinionin e tyre./voa

Exit mobile version