Ndryshimet kushtetuese dhe çështje të korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, Escobar: Nuk duhet të bëhet asnjë kompromis në kurriz të shtetin e së drejtës

Në një intervistë për Shërbimin e maqedonas të Zërit të Amerikës Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar tha se Shkupi nuk duhet të bëjë asnjë kompromis në kurriz të shtetin e së drejtës.

Komentet zyrtari amerikan i bëri në përgjigje të pyetjes nëse dispononte informacione, rreth zërave për një marrëveshje të mundshme mes qeverisë dhe ish-kryeministrin Gruevski, me synimin për të miratuar ndryshimet kushtetuese.

Zoti Escobar tha se nuk kishte informacion e nuk mund të spekulonte mbi këtë çështje, por ai vuri theksin tek rëndësia e sundimit të ligjit në rrugën përpara të Maqedonisë së Veriut, për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

Zoti Escobar foli dhe mbi mundësinë e sanksioneve të reja amerikane ndaj aktorëve të korruptuar në këtë vend. Ai tha se Shtetet e Bashkuara i shohin sanksionet si një mjet efektiv në luftën kundër korrupsionit, duke paralajmëruar masa të reja në të ardhmen.

 

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=629&loc=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb.com%2Fndryshimet kushtetuese dhe ceshtje te korrupsionit ne maqedonine e veriut escobar nuk duhet te behet asnje kompromis ne kurriz te shtetin e se drejtes%2F&referer=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb

 

Zëri i Amerikës: Zoti Escobar, për momentin, nuk ka një marrëveshje të njohur publikisht mes Bashkimit Social Demokrat të Maqedonisë (SDSM) dhe VMRO-DPMNE-së, që ndryshimet kushtetuese të kalojnë në Kuvend. Nga komunikimi juaj si me përfaqësuesit e qeverisë ashtu dhe me opozitën a keni ndonjë arsye të besoni se këto ndryshime do të ndodhin?

Gabriel Escobar: Nuk dua të përfshihem në spekulime. Gjithçka që mund të them është se nga perspektiva amerikane, ne do të dëshironim realisht ta shihnim Maqedoninë e Veriut, si një anëtare të Bashkimit Evropian. Nga perspektiva jonë Maqedonia e Veriut është një partner i madh në NATO, një partner i madh dypalësh dhe ne e dimë se do të ishte një anëtar i rëndësishëm në Bashkimit Evropian. Ndaj vendi dhe populli i Maqedonisë së Veriut kanë mbështetjen tonë të plotë për të bërë atë që është e nevojshme për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Opozita kërkon zhvillimin e zgjedhjeve përpara se të trajtojë çështjet që lidhen me Bullgarinë. Cili është komenti juaj lidhur me këtë?

Gabriel Escobar: Këtë duhet ta vendosë populli i Maqedonisë së Veriut. Dhe përtej kësaj, mendoj se u takon votuesve të vendit të bëjnë të qartë opinionin e tyre, se si duan të vazhdojnë. Nuk varet nga Shtetet e Bashkuara. Unë thjesht do të ritheksoj përsëri, ne duam një Maqedoni të Veriut të begatë dhe të gjallë, një të tillë që përfshihet në çdo institucion euroatlantik që ekziston.

Zëri i Amerikës: Zoti Escobar, po sikur ndryshimet të mos miratohen?

Gabriel Escobar: Kërkesat për ndryshime dhe kërkesat për të ecur përpara janë ato që janë negociuar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, jo me ne. Pozicioni ynë është që Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta ndihmojnë këtë vend për çdo gjë që duhet, për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës: Por udhëheqësi i opozitës Hristijan Mickoski, në një intervistë për një gazetë gjermane pretendoi së fundmi se qeveria po përgatit dhe e citoj, “marrëveshje të pista dhe planifikon t’i premtojë Gruevskit mosndëshkim penal, në mënyrë që ai të kthehet dhe të ndihmojë në miratimin e amendamenteve kushtetuese. A keni informacione të besueshme për negociatat dhe marrëveshjet e mundshme mes qeverisë me ish-kryeministrin Gruevski, i cili është arratisur në Hungari, për hir të ndryshimeve kushtetuese?

Gabriel Escobar: Nuk kam asnjë informacion për këtë. Por ajo që është e rëndësishme, është që Maqedonia e Veriut në rrugën e saj përpara, të mos bëjë kompromise me idealet e veta apo kompromise në kurriz të përparimit që ka bërë lidhur me shtetin e së drejtës. Mbi rastin specifik, nuk kam asnjë informacion.

Zëri i Amerikës: Nëse do ishte e vërtetë, cili do të ishte komenti juaj?

Gabriel Esccobar: Nuk dua të spekuloj mbi çështje hipotetike, por e them përsëri, shteti i së drejtës është i rëndësishëm për t’u mbështetur ndërsa Maqedonia e Veriut bën përpara drejt Evropës. Sepse anëtarësimi në Bashkimin Evropian ka të bëjë me standardet dhe vlerat, si dhe përkushtimin ndaj sundimit të ligjit.

Zëri i Amerikës: Sa i takon korrupsionit, parlamenti i Maqedonisë së Veriut reduktoi ndëshkimet lidhur me shpërdorimin e pozitës zyrtare. Sipas disa njoftimeve mediatike, këto ndryshime janë bërë në mënyrë që ligjvënësit e VMRO-së të votojnë për ndryshimet kushtetuese. Nëse është kështu, a po bëhen (nëse ndodhin) këto ndryshime kushtetuese, në kurriz të shtetit ligjor dhe njerëzve që meritojnë drejtësi?

Gabriel Escobar: Sërish e them, nuk do të spekuloj me atë se çfarë po ndodh brenda vendit. Kjo i takon njerëzve të Maqedonise së Veriut për të vendosur. Dua të jem shumë i qartë se qëndrimi ynë është se çdo vend që ka hyrë në Bashkimin Evropian është më i begatë, më demokratik dhe më i qëndrueshëm, për shkak të përkushtimit ndaj vlerave dhe përkushtimit ndaj shtetit të së drejtës. Dhe ato reforma që kërkohen për anëtarësimin në BE, duhet të mbështeten. Ato nuk duhet të jenë qëllimi që duhet të ketë Maqedonia e Veriut dhe jo përfitimet e brendshme politike për asnjërën nga palët. Pra, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë atyre njerëzve që duan reforma dhe që duan të përmbushin kërkesat e tyre evropiane.

Zëri i Amerikës: Në sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut janë investuar mijëra dollarë amerikanë. A jeni i shqetësuar se si po shpenzohen paratë e taksapaguesve amerikanë duke pasur parasysh mungesën e reformave në gjyqësor?

Gabriel Escobar: Sfidat ndaj sundimit të ligjit dhe korrupsionit janë ndoshta sfidat më të mëdha, problemi më i madh në Ballkanin Perëndimor për të gjitha vendet, kështu që ne po inkurajojmë vazhdimisht qeveritë të bëjnë më shumë, për të inkurajuar kryerjen e reformave dhe inkurajuar udhëheqësit si në Parlament, ashtu edhe në qeveri, që të tregojnë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve, që janë baza e shtetit të së drejtës.

Zëri i Amerikës: A mendoni se sanksionet amerikane janë efektive pasi njerëzit ndaj të cilëve Departamenti i Shtetit, ka vendosur sanksione, praktikisht po falen nga Maqedonia e Veriut me një ndryshim të kodit penal sikurse (Sasa) Mijalkov dhe (Nikolla) Gruevski, për shembull.

Gabriel Escobar: Më lejoni t’u them, se sanksionet janë jashtëzakonisht efektive, kjo është arsyeja pse të gjithë kanë frikë prej tyre, ndaj ato janë një mekanizëm i rëndësishëm për qeverinë amerikane për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit. Pra, me ose pa partnerë në rajon, sanksionet do të shkojnë përpara dhe ato do të sjellin ndryshime. Mund t’u them se në të gjithë rajonin, ne kemi realisht partnerë që janë të gatshëm të punojnë me ne, për të çuar përpara qëllimet qe ne kemi për të luftuar të korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Zëri i Amerikës: A jeni të kënaqur me partneritetin që po ofron Maqedonia e Veriut në këtë drejtim?

Gabriel Escobar: Mendoj se Maqedonia e Veriut dhe pjesa tjetër e rajonit kanë bërë hapa të mëdhenj që nga vitet 1990. Njerëzit e rajonit dhe udhëheqësit e tyre e dinë se lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i shtetit të së drejtës, duhet të vazhdojë. Në disa vende lëvizja është shumë e ngadaltë, por ne duam të bashkëpunojmë me ato vende për ta përmirësuar atë dhe kjo përfshin Maqedoninë e Veriut. Duhet te jemi shumë të qartë se ky është një problem që prek të gjithë rajonin, jo vetëm një apo dy vende.

Zëri i Amerikës: A po shqyrtojnë Shtetet e Bashkuara sanksione të reja për aktorë të korruptuar në Maqedoninë e Veriut dhe a pritet të ketë politikanë aktualë në këtë listë?

Gabriel Escobar: Ne nuk i bëjmë të ditura veprimet tona apo sanksionet, por mund t’u them se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i shohin sanksionet si një mjet efektiv në luftën kundër korrupsionit. Ndaj mund të prisni më shumë.

Zëri i Amerikës: Zoti Escobar lidhur me perspektivën e Maqedonisë së Veriut në BE. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se është shumë i sigurt se do të ketë më shumë kërkesa nga ana e Bullgarisë në vazhdim. A ka Uashingtoni ndonjë garanci nga pala bullgare se nuk do të ketë veto të reja nëse do të miratoheshin ndryshimet kushtetuese?

Gabriel Escobar: Kam biseduar me homologët e mi bullgarë dhe ata më kanë siguruar se nuk kanë ndërmend të shtojnë më shumë kushte. Ata do të donin të shihnin lëvizje me udhërrëfyesin aktual. Dhe ne duam të sigurohemi që mund të punojmë me të gjitha palët që ato kushte të përmbushen.

Zëri i Amerikës: Pra, për ta qartësuar; ka garanci nga ana e Bullgarisë?

Gabriel Escobar: Nuk dua t’i quaj garanci. Shtetet e Bashkuara nuk janë në pozita të pranojnë garanci për një proces që nuk është i yni. Por na kanë siguruar se Bullgaria dëshiron ta shohë rajonin të bëjë përpara në rrugën e tij evropiane.

Zëri i Amerikës: Që do të thotë se nuk do të ketë veto nëse plotësohen kushtet?

Gabriel Escobar: Kjo është mënyra se si e kam interpretuar unë./VOA

Artikulli paraprak“Shanset e tyre janë të vogla, por ata nuk dorëzohen”, Ballkani Perëndimor dhe kërkesat për azil, mediat gjermane: Përfitojnë nga ndihmat sociale, por…
Artikulli tjetërKulluri: S’do jemi pjesë e Kuvendit sa kohë Berisha krijon kaos! Dhuna nuk është gjuha e PD