Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Bylykbashi: Të shohim a do tërhiqet PS, ndërkombëtarët vlerësuan sërish opozitën

Përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi, i ftuari i mbrëmjes në edicionin e lajmeve në SYRI TV përballë moderatores Klaudia Karabolli komentoi shtyrjen e votimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

“Ne do të shohim në ditët në vijim se cila është sjellja e mazhorancës. Deri më sot ajo është përpjekur të japë mesazhe shumë negative në raport me konsensusin. Sot, në kundërshtim me rregulloren dhe Kushtetutën, morën në shqyrtim propozimin e tyre të njëanshëm. Mbetet për t’u parë nëse do tërhiqen nga ky qëndrim”, tha Bylykbashi.

“Kemi ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar me deklarata, që vlerësojnë angazhimin më të fundit të opozitës, që nuk lë hapësirë për diskutim.

Marrëveshja e 14 janarit e bën të detyrueshme që t’i drejtohemi ODIHR kur nuk kemi dakordësi.
Rama është politikani model se si nuk zbatohen marrëveshjet. Kjo nuk është një papjekuri politike, por një sjellje e rrënjosur te ai. Zotit Rama nuk i ka pëlqyer 14 janari që në fillim dhe tani përpiqet që të prishë konsensusin dhe të prishë Këshillin Politik. Ai do të prishë rregullat e lojës dhe të fusë në kaos procesin zgjedhor.

Neve na u kërkua me insistim bërja e një drafti, ne vendosëm që të lëvizim nga pozicioni vetëm si formë. Ruajtëm koalicionet në propozim dhe aty kemi ndërthurur edhe propozimin për hapje 100 përqind të hapura.

Marrëveshja e 5 qershorit i ezauroi problemet. Nuk ka rekomandim të ODIHR për të ndryshuar sistemin zgjedhor, as për listat, as për pragun, as për koalicionet. Këshilli i Europës, Komisioni i Venecias, e ka të shkruar që në vitin 2009 që rekomandojmë se legjislacioni të mos ndryshojë në mënyrë të panevojshme dhe kur ka rekomandime. E nevojshme nuk është dhe rekomandime nuk ka.

Procesi zgjedhor ka filluar ditën që doli dekreti dhe rregullat e lojës nuk ndryshohen në mes të procesit. Kjo cenon standardin e zgjedhjeve”, tha Bylykbashi.

Artikulli paraprakPPE e prerë: Të hiqet dorë nga çdo ndryshim i njëanshëm, të respektohet marrëveshja konsensuale e 5 qershorit!
Artikulli tjetërVrasja e komisarit Artan Cuku/ Familja padit policinë: Nuk mori asnjë masë, as armën ia lanë