Ndryshimi bëhet nga të guximshit dhe nga “ata” që janë të lirë!

Nga Alban Daci

Në debatin e madh të këtyre ditëve po flitet për ndryshime të nevojshme që duhet të ketë politika shqiptare duke nisur nga e djathta. Fakti që ka një debat për këtë temë do të thotë se shoqëria është e ndjeshme dhe e shqetësuar për realitetin në të cilën ndodhet sot e djathta e po ashtu për faktin se demokracia shqiptare ka nevojë ulëritëse për ndihme e për suport. Pra, faktin që e kemi sot një debat të tillë, na jep shpresë se një gjë e tillë mund të ndodh e duhet të ndodhë. Ky debat ka edhe një vlerë tjetër të shtuar, sepse do të thotë se qytetarët po rifitojne pak e nga pak lirinë e tyre për të thënë e për të kërkuar atë që kanë nevojë.
A ka nevojë për ndryshime rrënjësore duke nisur nga politika? Për këtë nuk besoj se ka dyshime nga shumica e qytetarëve! E si mund të ndodhë ky? Kjo është një çështje komplekse që kërkon një analizë të sinqertë duke mbështetur e kërkuar vetëm të vërtetën. Dihet se opinionet, zakonisht konsiderohen si gjysma të së vërtetës, por në këtë rast duhet të përpiqemi që raporti mes të vërtetës dhe opinionit të jetë në një linjë të drejtë, sepse vetëm kështu forca bëhet më e madhe se dobësia.
Ndryshimet bëhen nga të guximshmit dhe po ashtu liria kërkohet e realizohet duke u nisur nga ata që e kanë lirinë në posedim!
Sot, Shqipëria me shumë se për debat filozofik ose doktrinor, ka nevojë për guxim dhe njerëz të guximshëm.
Frika nuk mundet me frikë dhe shpresa nuk fitohet me dëshpërim! Liria nuk fitohet përmes robërisë, por ajo nis për shkak të gjendjes së robërisë si një shenjë rebelimi për të fituar atë që të mungon dhe të mundon!
Duke u nisur nga shpresa dhe liria, nga guximi dhe dëshpërimi në mënyrë të pashmangshme edhe pjesëtarët e debatit për ndryshim ndahen në të ” ata” që tashmë i përkasin të kaluarës që nuk mund të sjellin të ardhmen si dhe nga “ata” që janë e tashmja dhe me guxim i kanë të gjitha mundësitë të jenë edhe ardhmja!
Shqiperia, ka nevojë për gazetar të guximshëm që thyejnë tabutë e status quos dhe kërkojnë ose mbështesin çdo mundësi ose nismë që kërkon ndryshimin! Çdo lum fillon nga pika ujë, nga burime të vogla dhe duke i bledhur të gjitha rrugës në shtratin e tij fryhet e bëhet i madh derisa në delten e tij është gjigant de duke sfiduar shpesh edhe oqeanet ose detet!
Nëse do të rrimë e të presim që lumi të bëhet i madh dhe të vershojë vrullshëm, atëherë kjo nuk do të ndodhë kurrë!
Demokracia dhe ndryshimet demokratike fillojnë nga liria e secilit prej nesh për të thënë atë që mendojmë e besojmë e me guxim të sfidojmë çdo pengesë apo faktorë që nuk na lejon të jemi të lirë.
Asnjë lumë nuk shkon nga poshtë-lartë, por gjithmonë fillojnë nga malet me burimet e përfundojnë në dete me vrull e me sasi të mëdha.
Pra, nëse duam demokracinë apo nëse duam ndryshimet duhet të fillojmë të krijojmë malet e lirisë dhe po ashtu të mbështesim ashtu si burimet njerezit e guximshëm që duan e janë të vendosur të përballen me të vërtetën.
Nëse linja e intelektualëve dhe e gazetarëve në mediume vazhdon e shpreh pesimizëm se ndryshimi nuk ndodh se e kaluara është akoma e ardhme, atëherë këta janë fajtorët për fatet e një vendi dhe një populli që meriton më shumë sesa ka pasur deri më sot.
Gazetarët dhe intelektualët, duhet të thyejnë frikën, të besojnë tek liria dhe fjala e tyre e të mbështesin njerëz të guximshëm që ndrihet kundër kësaj status quo-je që nuk është gjë tjetër, veçse një dëshpërim dhe po ashtu një pengesë për çdo shpresë të re.
Shqipëria , ka nevojë që të promovojë njerëz të “rinj” që duan të bëhen pjesë e realitetit politik për të bërë ndryshime apo për tu përballur me të “keqen” e cila pengon lirinë dhe kërkon të tremb të guximshmit
Alibia e qellishme, se Shqipëria s’ka të tjerë përveç nesh dhe nëse ka le të dalin e të fitojnë përveç se është nocion tipik komunist që i tenton t’i barazojë të gjithë duke i konsideruar njësoj, është edhe gënjeshtër që ka për qellim të intimidoje këdo që ka guxim për tu ngritur kundër tyre.
Shqipëria, ka plotë alternativa të tjera, po ashtu ka edhe lider potencial, por nëse ata së pari nuk besojnë tek vetja e nuk kanë guxim të përballen me realietin e po ashtu nëse nuk krijohet një linjë intelektuale apo mediatike që i mbeshtet apo i promovon ata, asgjë nuk ka për të ndryshuar dhe situata do të vijë vetëm duke u përkeqësuar.
Nga frika nuk fitohet lira, përmes pesimizmit nuk fitohet shpresa, dhe po ashtu pa përballje të guximshme nuk fitohet asnjë betejë.

Artikulli paraprakMos sulmoni qytetarin që shet votën, por gjeni kurajën e ngrihuni kundër klasës politike!
Artikulli tjetërSamiti për Lidhshmërinë 2023: Tregti, Transport dhe Logjistikë Efiçiente – parakushte për nxitjen e rritjes ekonomike dhe tërheqjen e investimeve