Ndryshon ligji për siguracionet e makinave

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përgatitur disa ndryshime në Ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, me qëllim qartësimin dhe forcimin e rregullave për dëmshpërblimin në rast aksidentesh. Gjithashtu, ndryshimet formatojnë ligjin për të përshtatur atë me sistemin bonos-malus. Ndryshimet e reja ligjore e detyrojnë kompaninë e sigurimit të trajtojë kërkesën për dëmshpërblim për dëme pasurore dhe jopasurore dhe të kryejë njoftimin përkatës brenda 60 ditëve kalendarike nga data e plotësimit të dokumentacionit për dëmshpërblim. Nëse ky afat nuk është respektuar, interesat mbi shumën e llogaritur nga shoqëria e sigurimit apo gjykata, fillojnë pas përfundimit të këtij afati. Në rast se dokumentacioni i kërkesës për dëmshpërblim mungon ose është i paplotë, siguruesi përgjegjës informon palën e dëmtuar me shkrim në lidhje me informacionin që mungon dhe/ose është i pasaktë, brenda 8 ditësh pune nga data e marrjes së dokumentacionit të tillë. Në rast se përfituesi nuk është dakord me vlerën e ofruar të dëmshpërblimit nga siguruesi përgjegjës, mund të paraqesë ankim pranë shoqërisë së sigurimit. Siguruesi përgjegjës është i detyruar t’i përgjigjet ankimimit të palës së dëmtuar brenda 15 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së tij. Pala e dëmtuar mund të ngrejë padi civile kundër siguruesit përgjegjës pas mbarimit të ankimit në shoqërinë e sigurimit, në rastet kur:
1- Siguruesi përgjegjës nuk i përgjigjet palës së dëmtuar brenda afatit 60 ditor.
2- Pala e dëmtuar nuk është dakord me masën e dëmshpërblimit të ofruar nga siguruesi përgjegjës.
Për dëme pasurore me karakter material, kur shkalla e dëmtimit është e vogël dhe vlerësohet deri në 200,000 lekë, afati i trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim është brenda 14 ditëve kalendarike nga data e plotësimit te dokumentacionit. Shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit vetëm në llogarinë bankare personale të të dëmtuarit dhe ose përfituesit. Pala e dëmtuar ose përfituesi në rast se merr shërbime nga mbrojtësi ligjor, për dëmet e ardhura si pasojë e një ngjarje sigurimi mund t’i paguajë deri në 5% të vlerës së dëmshpërblimit të përfituar.

Monitor

Artikulli paraprakInvestimet online, BSH ngre shqetësim për alternativat që s’janë të licensuara
Artikulli tjetërOSHEE koncesion të fshehtë për të kaluar lidhjet e energjisë tek privati