“Në 1945-ën, Nuçi Kotta denoncoi në gazetat kryesore të Parisit regjimin e Enver Hoxhës”- Historia e panjohur e profesorit nga Korça: U bëri thirrje qeverive të vendeve Perëndimore për…

Nga EUGEN SHEHU 

Në historinë e kombit shqiptar të shekullit që lamë pas, nuk kanë qenë të rrallë, ata burra ortodoks shqiptarë, të cilët bashkuan gjokset e tyre, duke u kthyer në kështjella të pamposhtura të heroizmit masiv. Për më tej, heroizmi kulmor i tyre u parapa në luftën e vendosur dhe të drejtë për mbrojtjen e trojeve tona nga shovenizmi ortodoks grek. Me gjithë përpjekjet dhe dhelpëritë greke, këta ortodoksë shqiptarë, jo vetëm që nuk ranë në prehrin e premtimeve e mashtrimeve, por ndërkaq u shfaqën ngadhënjimtarë në shqiptarizmën e tyre, duke fituar mbi helenizmat e çdo lloji. Dhe nëse flasim për familje e burra të tillë, shtëpia e Kottajve, mbetet padyshim karakolli  i qëndresës anti-greke, në Korçë e rrethina.

Lindur më 21 dhjetor 1919, në qytetin e Korçës, Nuçi Kotta do të rritej përmes kulturës dhe shqiptarizmës madhore të prindërve të vet. I ati i Nuçit, Koço Kotta, ndonëse pat studiuar në Athinë, me t’u kthyer në Shqipëri, e shndërron shtëpinë e vet në çerdhe të atdhetarisë. Ndër nismëtarët e shpalljes së Republikës së Korçës, në shoqërinë e Mihal Gramenos, Sali Butkës dhe disa  atdhetarëve të tjerë, Koço Kotta do të ndikonte së tepërmi në kërkesat që populli korçar, arritën të përballeshin me disa qarqe grekomanë të qytetit, duke u treguar vendin e tyre. Dihet më pas se cili ishte vendi i Koço Kottës si në formimin e shtetit shqiptar në vitet e para të Monarkisë, ashtu edhe kur ai drejtonte Parlamentin Shqiptar.

Ky burë i mençur shteti, do të kujdesej që bijtë e tij, të shkolloheshin sa më mirë, nisur nga ideja e lume se Shqipërisë i duhen bij të pushkës dhe të pendës. Pas mbarimit të mësimeve fillore, Nuçi Kotta, fillon mësimet në Liceun francez të qytetit të lindjes, lice i cili në ato vite ishte ishte në nivele mjaft të larta shkollore. Këtu Nuçi mori për të parën herë, dijet e para mbi kulturën e gjerë franceze, historinë dhe letërsinë e saj.

Ndërkaq në vitet 1932-1936, atë ndërhyrjeve energjike të qeverisë shqiptare, Liceu i Korçës edukonte nxënësit e vet edhe me ndjenja kombëtare, në këtë mënyrë, tek karakteri i liceistit Nuçi Kotta, u ngjizën edukata atdhetare e shkollës dhe prindërve,duke ndikuar ndjeshëm deri në çastet e mbrame të jetës së vet. Pas mbarimit të liceut të Korçës, Nuçi Kotta, vendos të studiojë për drejtësi.

Shokët e tij liceistë e mbajnë mend mirë se kjo dëshirë e tij, vinte ngase ai nuk mund t’i duronte padrejtësitë e kohës. Kurdoherë në veprimtaritë e ndryshme shkollore, ai dallohej për korrektësinë si dhe ndihmën ndaj më të vobektëve. Ata asesi nuk mund të harrojnë gjithashtu pasionin e madh të Nuçit për të kënduar këngët atdhetare korçare, veçanërisht ai marrshi i bukur; “sa të rrojë mëmëdheu”, me tekst të Kol Tromarës, do të këndohej nga Nuçi Kotta, në çdo veprimtari artistike të liçeistëve.

Në vjeshtën e vitit 1936, Nuçi Kotta merr rrugën për në Paris. Shkonte atje me bursën e shtetit shqiptar, falë rezultateve të larta të arritura në Korçë, si dhe sjelljes së shkëlqyer ndaj mësuesve të vet. Aty regjistrohet në Universitetin “Luis le Grend”, i dëgjuar asaj kohe për nivelet e larta të mësimdhënies në rrafsh të shkencës së jurisprudencës. Falë shprehive të fituara në lice, vihet sërish në radhët e studentëve të dalluar dhe rëndom në bisedat e profesorëve francez, thirret me nofkën “Korçari i zgjuar”.

Por ndërkaq ai nuk do të rrinte indiferent ndaj ngjarjeve aq të rrezikshme për Shqipërinë, në fund të viteve 30-të, të shekullit të kaluar. Një letërkëmbim i plotë me të atin, burrin e shtetit Koço Kottën, hedh dritë mbi shpirtin indipendent të Nuçit. Në këtë letërkëmbim shumë pak vend zënë hallet apo bisedat familjar, por në të shumtën e tyre, janë fatet e kombit ato që i interesojnë Nuçi Kottës, i cili në çdo rast, gjen mënyrë për t’iu drejtuar të atit të vet.

Veçanërisht ky dialog shpirtëror, merr përmasa të thekshme në mars-prillin e vitit 1939, atëherë kur Shqipëria kërcënohej egërsisht prej fashizmit. Po katastrofa po u afrohej brigjeve të Adriatikut dhe ndërsa i ati i Nuçit, merr rrugën e mërgimit së bashku me Mbretin Zog, ky vetë-vazhdon studimet, me idenë e madhe të rikthimit të Monarkisë në viset shqiptare. Në vitin 1941, Nuçi Kotta, mbasi ka mbaruar doktoraturën për jurisprudencë me rezultate të shkëlqyera, kthehet në Shqipëri.

Pavarësisht se pedagogët francez të jurisprudencës në “Luis le Grand”, i kanë shprehur “korçarit të zgjuar”, konsideratat e larta të tyre, duke i afruar edhe vende pune në këtë universitet, por Nuçi Kotta, nuk ka pranuar, edhe pse e dinte fort mirë që Shqipëria, përkundej në fatin e saj si një varkë druri, në oqeanin plot furtunë, djaloshi 22 vjeçar nga Korça, kishte plot ëndrra për të jetuar në atdhe. Pak kohë punon si avokat në Korçë.

Më pas në vitin 1942-1943, shkon në Tiranë dhe çel atje zyrë avokature, nuk i pëlqen të bashkëpunojë me shtetin shqiptar të asaj kohe, përkundrazi në biseda midis miqsh, argumenton se si nëpërkëmbeshin të drejtat e bashkëkombësve të vet, prej organeve të gjyqësorit shqiptar. Shpesh herë e ngre zërin në këtë drejtim, edhe pranë instancave përkatëse. Ka filluar ndërkaq të mendojë edhe për riorganizimin e Lëvizjes së Legalitetit. Në kontaktet me Abaz Kupin, Isuf Begejën, Ramazan Shpatin dhe Nexhat Mitrovicën, Nuçi do të sendërtojë idenë se në zhvillimet e mbrame politike në vend, një rikthim i Monarkisë do të kishte dy rrjedhoja të këndshme për bashkëkombësit e vet.

Së pari, do të mundësohej në Shqipëri rikthimi i Mbretit të Shqiptarëve dhe së dyti, do të fuqizohej së tepërmi koalicioni antikomunist në Shqipëri. Në tetorin e vitit 1943, Nuçi Kotta, shkëputet plotësisht nga zyra avokatore e tij, për t’iu kushtuar ringjalljes së Lëvizjes Mbretërore. “Ja sot ja kurrë”, u kumton miqve të vet në biseda edhe pa marrë parasysh rrezikun komunist, organizon të parët formacione që kërkonin rikthimin e Mbretit të tyre legjitim.

Fatkeqësisht pikërisht në tetor të vitit 1943, të shtytur nga Beogradi, komunistët shqiptar të grumbulluar si; “nacional-çlirimtarë”, patën intensifikuar luftën vëllavrasëse, si kundër ballistëve ashtu edhe kundër mbretërorëve. Klika e Tiranës, duke ditur reputacionin dhe kulturën e lartë që Nuçi Kotta dispononte, nuk mungoi ta quante atë “tradhtar”, madje qarkori komunist i Tiranës, në çdo kohë, mbante në xhep urdhrin për atentat ndaj birit të Koço Kottës. Terrorizmi i kuq, ishte ngritur në sistem prej komunistëve ortodoks serbo-shqiptarë.

Me vota unanime, në 21 nëntor 1943, Nuçi Kotta zgjidhet delegat në Kongresin e Legalitetit që u mbajt në Zall-Herr të Tiranës, në atë kuvend bese që kërkoi rikthimin e lavdisë monarkiste dhe Mbretit të Shqiptarëve. Prej dorës dhe mendjes së tij, janë mjaft prej materialeve të këtij kongresi historik, por unë e shoh të arsyeshme, të sjell vetëm këtë pasazh nga “Vendimi i Kongresit”, shkruar veçmas nga Nuçi. Pos të tjerave në këtë traktat të Lëvizjes Legaliste, do të potencohej:

“Ne sot pra, ma tepër se kurrë, kemi nevojë të domosdoshme për një bashkim dinamik, për me mujt me e konsolidue lirinë kombëtare, për të cilën jemi të etshëm: liria nuk do të jetë vetëm një qëllim material, por do të jetë ai fill shpirtënuer që na shënjon vetë natyra. Prandaj ky fill shpirtnuer, lypset të jetë i themeluam mbi një lidhje shpirtnore, që do të ketë për qëllim kryesor përmbajtjen, përforcimin dhe përmirësimin e gjendjes njerëzore, t’ue i njoft e t’ue i nderue të drejtat e secilit nënshtetas shqiptar, sikurse edhe barazimin politik, pa ndryshime kastash shoqërore. Shipnija e bashkueme m’nji trup të vetun, mund të jetë e sigurt se ka me qindrue ngadhënjyese kundra çdo sulmi të armikut”. (Gazeta “Atdheu”, 28 nëntor 1943).

Fjala e Nuçi Kottës, në Kongresin e Legalitetit, më 21 nëntor 1943, do të përcillej me respekt të veçantë prej eksponentëve kryesorë të mbledhur atje. Në këtë fjalë ai do të grishte mbretërorët besnikë, të ngarendnin sa më guximshëm drejt betejave kundër okupatorit dhe kundër komunizmit, duke dashur që Shqipëria, atdheu i vet i robëruar, të renditej në vendet e përparuara të Europës, të cilët ç’prej shekujsh jetonin sipas modeleve monarkiste. ”Luftë e pandërprerë armikut dhe komunistëve, për të sjellë në Shqipëri Mbretin e Shqiptarëve”, këto ishin fjalët dhe porosia e mbrame e Nuçi Kottës.

Menjëherë pas kuvendit historik të ringjalljes së Monarkisë, Nuçi i përveshet punës për organizimin e lëvizjes mbretërore pothuaj në krejt viset e shtetit amë. I shpallur si person i rrezikshëm prej komunistëve shqiptarë, ai kalon në ilegalitet të plotë dhe mbetet një nga figurat më të shquara jo vetëm në propagandimin e ideve monarkiste, por edhe sendërtimin e tyre, përmes rrugëve të vështira. Në sa e sa trakte të dala prej dorës së Nuçi Kottës, nuk gjen asnjë mllef apo sharje.

Edhe atëherë kur komunistët e dënuan me vdekje në mungesë edhe kur lufta vëllavrasëse e iniciuar prej sllavëve, po merrte jetë njerëzish të pafajshëm, thirrjet e mbretërorit korçar ishin vetëm për paqë, vëllazërim e prosperitet të kombit. Pjesëmarrës në disa takime të Abaz Kupit me misionarët ushtarakë anglez, Kotta këmbënguli për ndihma dhe armë, duke u kumtuar haptas aleatëve se lufta e tyre do të ishte e gjatë, si kundër okupatorit, ashtu edhe kundër komunistëve.

Në gushtin e vitit 1944, rrethohet prej komunistëve, në një nga bazat e Lëvizjes së Legalitetit, pranë Tiranës. Trimi i pendës, me aktin e guximshëm të çarjes së rrethimit (i përkrahur nga 4-5 trima të Abaz Kupit), tregon se për një luftëtar, pushka dhe penda janë bashkë-udhëtarë të përjetshëm, ç’prej këtij momenti, Nuçi Kotta u bashkëngjitet dhjetëra e dhjetar nacionalistëve të tjerë shqiptarë, të cilët do të bënin përpjekjet e fundit, për rezistencën antikomuniste në trevat veriore të Shqipërisë.

Ngjarjet e vjeshtës të vitit 1994, erdhën të tilla, që me rënien e RAIHUT të TRETË, forcat nacional-çlirimtare shqiptare, fituan kohë dhe mundësi për të luftuar tanimë kundërshtarët e tyre politikë. Në këtë luftë vëllavrasëse, klika komuniste e Tiranës, nuk u ndal askurrë, në shtrirjen e terrorit të kuq në çdo vatër shqiptare. Të detyruar nga ky terror, me dhjetëra shqiptarë, të cilët detyrohen të lënë atdheun e tyre, një fat të tillë pati dhe Nuçi Kotta. Ai largohet në Itali e, prej andej kalon në Francë, aty ku dihet e kish patur aq të lehtë të ngjiste shkallët e karrierës.

Në vitin 1945, mëson se si komunistët grekë e arrestojnë të atin dhe e dërgojnë në Shqipëri. Këtu, gjyqet komuniste të montuara e dënojnë fillimisht me vdekje e pastaj me burgim të përjetshëm. Kjo do të ligështonte Nuçin, por nuk do ta largonte asesi nga rruga që pat nisur. Në disa prej gazetave kryesore të Parisit, tani shihen shkrimet tejet sensibilizuese të Nuçi Kottës për golgotën shqiptare. Ai do t’i bëjë thirrje në ato shkrime, qeverive të vendeve perëndimore, për t’i kthyer sytë nga atdheu i shqiptarëve sepse, komunizmi atje nuk ish aspak një dëshirë e shqiptarëve, përkundrazi një ferr i tyre.

Në vitin 1946, Nuçi Kotta pas disa provimesh, pranohet si profesor i gjuhës shqipe në “Ecole Nazionale des langues arientales vivantes”, në Paris. I dhënë pas studimeve dhe arkivave punon ndërkaq të nxjerrë në dritë, të vërtetat e kufijve shqiptaro-greke, ç’prej vitit 1912 e deri në 1945. Pas një pune intensive dhe të lodhshme, po këtë vit boton në Paris, në gjuhën frënge, librin “Shqipëria dhe çështja e kufirit shqiptaro-grek”.

Në çdo faqe të këtij libri pas studimit dhe hulumtimit prej shkencëtari, ndihet argumenti i fuqishëm, të cilin Kotta ua serirë në gjuhën frange, diplomacive të Evropës Perëndimore. Ai nuk harron të bëjë polemikë me kinse politikanë e publicistë grekë. Diku shkruan: “Z. Fokas Cosmetalos, shkrimar e publicist grek, në librin e tij të botuar në Paris më 1945, “Greqia përpara Konferencës së Paqës”, midis të tjerave thotë se shteti shqiptar ka qenë një produkt i rivaliteteve të fqinjëve të tij dhe se shqiptarët, përpara se të jenë të tillë, janë italofilë ose sllavofilë…! Opinioni grek kërkon me këmbëngulje dhe me unanimitet, kthimin e Epirit të Veriut e të Korçës…”! (N. Kotta, “Shqipëria dhe çështja e kufirit shqiptaro-grek”, Paris 1946, faqe 181).

Ndërkaq publicisti dhe atdhetari i madh shqiptar, nëpërmjet faqeve të këtij libri, nuk mungon të kumtojë; “Ne mendojmë se mënyra më e mirë që grekët, veçanërisht disa intelektualë grekë (për të cilët dokumentet e komisionit të Shoqërisë së Kombeve nuk kanë mjaftuar që të binden), shkoni në Shqipëri e të shihni me sytë tuaj, se sa grekë ka në Gjirokastër, se sa ortodoksë shqiptarë ushqejnë ndjenja greke, apo sa është i shtypur minoriteti grek, që ndodhet në disa fshatra të jugut shqiptar” (Nuçi Kotta “Shqipëria dhe çështja e kufirit shqiptaro – grek” – Paris 1946, faqe 203).

Publikimi i librit që përmenda më lartë, do të përcillej me interes në qarqet e larta të diplomacive perëndimore, me ç’rast Nuçi Kotta do të merrte përgëzimet e rastit. Por kjo nuk do të mjaftonte për birin martir të Korçës, ai do të ishte i pranishëm në sa e sa takime të nacionalistëve shqiptarë, në Romë, Paris e Bruksel, në përpjekje për t’u mbledhur rreth idesë së Shqipërisë Etnike dhe luftës për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri.

Gjatë këtyre viteve, Nuçi Kotta gjithashtu kryen disa takime me Mbretin Zog, duke paraparë tek ai shqiptarin e paetur për çështjen kombëtare. E shoh të udhës të sjellë në këto rreshta, një informacion që klika komuniste e Tiranës, ka ruajtur në arkivat e saj, për dekada me radhë, lidhur me veprimtarinë e nacionalistëve shqiptarë në emigracion.

E vërteta është se këto informacione janë me mijëra, çka tregon për frikën e madhe që kishin komunistët shqiptarë, prej nacionalistëve. Kështu në një informacion të korrikut 1949, midis të tjerave thuhet tekstualisht; “Kriminelët shqiptarë të luftës janë hedhur në aktivitet sidomos gjashtë muajt e fundit. Nga informatat që kemi, në qershorin e këtij viti, me iniciativën e anglezëve, në marrëveshje me jugosllavët u fillua puna për krijimin e një komiteti politik ekzekutiv, me atributet e një qeverie provizore…!

Ky Komitet i mbështetur në ndihmën e jashtme jo direkte, do të merrte përsipër përmbysjen e situatës në Shqipëri, por që të mund ta bënte këtë dhe aq më tepër që të mund të bëhej Jugosllavia-Kosova, qendër nga ku do të fillohej aktiviteti kundër Shqipërisë. Kjo lëvizje duhej të paraqitej si një lëvizje e re dhe Komiteti i ri i larë nga çdo ves i së kaluarës. Në këtë manovër amerikanët e mendonin që, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, të bënin për vete njerëzit indiferentë, atdhetarë të ndershëm, antifashist dhe të neutralizonin, sa të ishte e mundur, ushtrinë dhe aparatin e shtetit.Prandaj Komiteti i Ri nuk doli thjeshtë si kombinim grupesh politike, por si Komitet që përfaqëson masën e shqiptarëve jashtë:

1-Mid’hat Frashëri

2-Abaz Kupi (sipas informacioneve ka shkuar me dëshirën e tij)

3-Seit Kryeziu

4-Nuçi Kotta

5-Zef Pali

… Si qendër e përkohshme është caktuar New Yorku, por kjo thuhet se është e përkohshme, pra qendra e tij e vërtetë besohet të jetë në Trieste me një komitet në Shkup, që deri tani mbahet në mënyrë ilegale”. (Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme-Tiranë, Fondi i Kriminelëve të Luftës, Dosja 289, faqe 56–57).

Gjithashtu në një tjetër informacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme për klikën komuniste të Tiranës, bëhet fjalë për disa nga takimet e atdhetarëve shqiptarë, të cilët me gjuhën bolshevike të atyre kohëve, thirreshin “kriminelë lufte”. Pos të tjerave në këtë informacion shkruhet tekstualisht; “Komiteti i reaksionarëve është treguar tepër aktiv dhe ka marrë forma të ndryshme. Që në lindjen e tij ka pasur karakter reaksionar. Për të mos u demaskuar krejtësisht, anëtarët e tij kanë ndryshuar shumë herë emrin e tyre, duke u maskuar me emra të ndryshëm.

Në fillim d.m.th., që në vitin 1944 (tetor) e quajtën veten “Komiteti i Kolonisë”, pastaj “Komiteti i Bashkimit Kombëtar” dhe tani “Lëvizja Patriotike Shqiptare”. Pjesëtarët e këtij komiteti janë; Kryetar-Nuçi Kotta, antarë – Ramazan Spata, Haki Elmazi, Zef Salihi, Isuf Begeja, Sefedin Çollaku, Vasil Gërmenji, Nexhat Mitrovica, etj., promotorë të kolonisë janë Nuçi Kotta dhe Ramazan Spata. Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, datë 22.5.1948 mbi “Gjendjen e sotme të kolonive shqiptare në shtetet e ndryshme”. (Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Tiranë, viti 1948, Dosja 217).

Një ndihmesë të çmuar Nuçi Kotta ka dhënë, edhe për ri ngritjen në mërgim të organizatës kombëtare të Legalitetit. Në vitin 1961, në organizimin e kësaj organizate, Nuçi Kotte zgjidhet sekretar i përgjithshëm, ç’prej këtij momenti dhe deri në çastin e mbrëmë, ky mbretërorë zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare, duke bërë të njohur jo vetëm alternativën legaliste, por duke demaskuar në konferenca, takime, artikuj të shumtë publicistik regjimin totalitar të klikës komuniste të Tiranës.

Në vitin 1964, doktorohet në frëngjisht, në Univeristetin “Columbia” për të vijuar më pas detyrat në Univeristetin “Stony Brook”, të Nju Jorkut. E gjithë veprimtaria e tij shkencore është e pandarë nga malli dhe dashuria e shenjtë për atdheun e vet, Shqipërinë Etnike. Mbyll sytë në Nju Jork, më 20 korrik 1965, duke lënë si amanet gruas së tij që të dy djemtë e tij, njëri tre vjeç dhe tjetri disa muajsh. të mësojnë të flasin gjuhën e bukur shqipe, të duan atdheun dhe kombin. Memorie.al

Exit mobile version