Azilkërkuesit shqiptarë kanë thyer çdo rekord në dy vitet e fundit, duke arritur në rreth 86.000 kërkesa në vendet e Europës. Për muaj me radhë, shqiptarët kanë qëndruar në krye të listës për kërkesat e azilit në Gjermani dhe së fundmi edhe në Holandë. “ABC News” ka siguruar të dhëna nga zyra e statistikave europiane EUROSTAT, për të krahasuar këto vite me vitet paraardhëse. Por krahasimi i shifrave ka kaluar çdo pritshmëri pasi shqiptarët në dy vitet e fundit kanë qenë më të shumtë në numër sesa 3 dekada marrë së bashku. Konkretisht në vitin 2014 dhe 2015 ka patur 86.000 kërkesa për azil, krahasuar me 64.000 kërkesa gjatë vitit 1985 deri më 2013.
Kjo bën që në vetëm dy vitet e fundit ka patur 23.415 kërkesa më shumë sesa 3 dekadat paraardhëse. “ABC News” ka tentuar të sigurojë dhe shifrat para vitit 1985, por deri tani nuk ka marrë një përgjigje në lidhje me këtë kërkesë. Pavarësisht që shanset për azil në vendet të Europës janë pothuajse zero dhe thirrjeve për të mos ikur nga Shqipëria, situata nuk ka ndryshuar për mirë. Muajt e kaluar në Gjermani kishte një rritje të lehtë të kërkesave të azilit dhe në Holandë shqiptarët kaluan dhe sirianët. Të dy vendet, ku fenomeni i kërkesave të azilit nga shqiptarët ndjehet më shumë, kanë organizuar fluturime me deportime të detyrueshme nga shtetet përkatëse.
E shqetësuar nga ky trend, qeveria holandeze ka ndërmarrë masa për ta kufizuar valën. Që nga vera 2015, numri i aplikimeve për azil nga Shqipëria është rritur dhe arriti 1010 në fund të vitit. Deri më 2014 vetëm disa dhjetëra shqiptarë kërkonin azil në Holandë çdo vit. Ky trend i rritjes vazhdoi në dy muajt e parë të 2016, kur 480 shqiptarë kërkuan azil. Sipas zyrtarëve holandezë, numri u shtua në mars, megjithëse shifrat ekzakte të shqiptarëve, sirianëve dhe aplikantëve të tyre mbeten ende për t’u zbuluar. Ministria tha se shqiptarët tani renditen të parët për nga kërkesat për azil. Numrat e atyre që kanë marrë përgjigje pozitive për kërkesat mbeten të ulëta. Më 2015, vetëm katër shqiptarë fituan leje të përkohshme banimi, ndërsa 795 aplikantë u refuzuan.
Megjithëse numrat e aplikantëve shqiptarë për azil në Holandë mbeten më të ulët se në Gjermaninë fqinje, ku rreth 55,000 shqiptarë kërkuan azil vitin e shkuar, qeveria holandeze është shqetësuar nga fluksi. Ajo ka miratuar mjete të reja në përpjekje për të kontrolluar dhe ulur numrin e azilkërkuesve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Si pjesë e kësaj përpjekjeje, zyrtarë të qeverisë holandeze vizituan Tiranën në janar për të rënë dakord me qeverinë shqiptare për mënyra të reja të rikthimit të azilkërkuesve të refuzuar. Pas vendimit të BE-së për heqjen e vizave me Shqipërinë më 2010, shqiptarët mund të udhëtojnë në vendet Shengen pa viza. Megjithatë, kur një shtetas shqiptar aplikon për azil, ai ose ajo automatikisht shkel rregullat e regjimit pa viza. Kjo është arsyeja përse vendet e BE-së mund të ndalojnë hyrjen e shtetasve shqiptarë për shtatë vite në BE nëse nuk duan të kthehen në shtëpi.
Gjatë bisedimeve në Tiranë, dy qeveritë ranë dakord se qeveria holandeze mund të përdorë fluturime çarter për të sjellë në shtëpi azilkërkuesit e refuzuar. Kështu, Holanda nuk varet më nga fluturimet e programuara dhe mund t’i kthejë më shpejt shqiptarët. Megjithatë, pavarësisht hapave për të kthyer në shtëpi me shpejtësi aplikantët e refuzuar, numri i shqiptarëve që aplikojnë për azil në Holandë po rritet. Sipas Ministrisë holandeze të Sigurisë dhe Drejtësisë, deri më 14 mars 2016, 1074 shqiptarë u akomoduan në qendra të azilit në Holandë.