Në 4-vjetorin e shembjes/ Shkatërrimi i Teatrit, ose “Kur këndonin gjelat e tretë”

Nga Namir Lapardhaja

Monstruoziteti i prishjes së Teatrit Kombëtar më risolli në kujtesë tregimin “Kur këndonin gjelat e tretë” të Agron Tufës. Kënga e tyre simbolizon kohën e gjumit më të thellë. Mes natës dhe ende pa zbardhur. Vrasjet dhe krimet diktatura i kryente në këtë moment. Ndërkohë që të gjithë flinin për të lënë diktaturën të lulëzojë, disa “gjela” këndojnë dhe kanë zë kundër saj. Në tregim rrëfehet se toga e pushkatimit ka ardhur në qeli për të marrë e për t’i çuar përpara ekzekutimit 12 të dënuar. Janë të pafajshëm. Nuk kursehet asnjë. As prifti, që nuk arrin as të thotë amanetin e fundit, sepse plumbat janë më të shpejtë se fjalët. Xhelati e kap nga jaka dhe i thotë: “S’kam asgjë personale me ty, At. Është thjesht çështje detyre…” Ata dje po bënin detyrën duke vrarë njerëz të pafajshëm, sot janë duke bërë të njëjtën gjë duke shkatërruar trashëgimin dhe identitetin tonë të përbashkët. Duket sikur jemi në të njëjtat kushte. Koha ka kaluar, mendësia jo. Nuk të ekzekutojnë fizikisht në fundin e natës, por të vrasin në mënyra të tjera. I gjithë vendi duket se ka rënë nën sundimin e një njeriu të vetëm, i cili ka forcën dhe mekanizmin për të bërë gjithçka. Ngjashëm si në tregim, të ekzekutuarit e parë janë qëndrestarët e Teatrit, pastaj do t’u vijë radha të gjithëve. Pa dallim. Kujt më shpejt e kujt më vonë. Por do t’u vijë. Atëherë do të jetë tepër vonë. Në këtë kohë nuk ka vlerë të kërkosh llogari tek opozita. Do të ishte miopi një gjë e tillë. Mos pyet se çfarë po bën ajo, por bëj vetë diçka konkrete, që t’ia shkurtosh ditët këtij regjimi. Opozita do të japë llogari për fjalët dhe premtimet e saj kur të jetë në pushtet. Sot duhet të japë llogari pushteti dhe duhet bërë gjithçka për të dalë në opozitë. Rezistenca për teatrin kishte vlerën e një simbolike. Lufta dhe qëndresa nuk mund dhe nuk duhet të mbarojnë me kaq. Është një betejë që do të shënjojë se si do të jenë agimet tona të ardhshme. Do jenë të vuvta, me damkën e vrasjeve dhe ekzekutimeve gjatë natës, apo do të jenë me shenjat e qetësisë së sabahut. Gjithsekush do ta vendosë vetë për të ardhmen. Justifikim nuk mund të ketë. Kjo qeverisje po tregon se është e aftë të bëjë gjithçka. Nuk do të jetë e largët dita që ata do të tentojnë të futen në shtëpitë tona. Nëse nuk reagohet sot, atëherë do të jetë shumë vonë.

17 maj 2020

Exit mobile version