Në Ballkan nis stërvitja më e madhe ushtarake e udhëhequr nga SHBA-ja, merr pjesë edhe Shqipëria me Kosovën

Rreth 12.000 trupa ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe nga vendet aleate të saj, përfshirë Kosovën, janë mbledhur në Ballkan, në kuadër të fazës së dytë të stërvitjes “DEFENDER 25”, të udhëhequr nga ushtria amerikane.

 

Ushtrimi, i quajtur “Immediate Response 25”, që zhvillohet nga 26 maji deri më 9 qershor, ka për qëllim të testojë se “sa shpejt dhe sa efektshëm” mund të dislokohen trupat amerikane në Evropë për ta mbrojtur Krahun Lindor të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) me aleatët dhe me partnerët.

Kosova është një ndër tetë vendet ku do të zhvillohet stërvitja që, sipas Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara, synon të forcojë mbrojtjen kibernetike dhe të demonstrojë kapacitetet e sigurisë të SHBA-së dhe aleatëve.

Pjesë të ushtrimit do të mbahen edhe në Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Greqi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Sllovaki.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka thënë se, gjatë periudhës sa do të zgjatë stërvitja ushtarake, në Kosovë “do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës”.

FSK-ja, sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, “do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit”.

“DEFENDER 25” është stërvitja më e madhe e ushtrisë amerikane në Evropë, me përfshirjen e më shumë se 25.000 trupave nga SHBA-ja dhe 25 vende aleate dhe partnere./rel

Artikulli paraprakMinistri i brendshëm gjerman me projektligj për kufizimin e ribashkimit familjar për refugjatët
Artikulli tjetërDosja ‘Metamorfoza’, shtyhet seanca ndaj të akuzuarve, ja kur do të mbahet gjyqi i radhës