Edhe pse ndodhet në paraburgim, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk heq dorë nga propaganda e zakonshme e tij. Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj shkruan se dosja ndaj tij është kopsitur për ta mbajtur largë punëve të qytetit.
“Edhe pse i burgosur pa gjyq, me një dosje të kopsitur enkas për të më mbajtur larg punëve të qytetit, puna për ndërtimin e shkollave të reja në Tiranë nuk ndalet! Shkolla e re “Edith Durham” është e 48-ta në buqetën e godinave arsimore (9-vjeçare dhe gjimnaze) që kemi ndërtuar së bashku në Tiranë” –shkruan Veliaj.
Që të flasë për investime kryetari i bashkisë në një kohë kur ndodhet në paraburgim nën dyshime për korrupsion dhe pastrim parash, është paksa paradoksale.
Por i sigurt është fakti se, derisa bashkia e Tiranës menaxhon taksat e qytetarëve, puna do të vazhdojë në kryeqytet edhe po nuk qe kryetar i saj Erion Veliaj. Ajo që duhet të faktojë kryebashkiaku, drejtësisë së pari dhe më pas qytetarëve, janë të vërteta apo jo akuzat që janë ngritur ndaj tij për shpërdorim të parasë publike.