Ne dhe Sali Kulla

Nga Edison Ypi

Ne që Sali Kullën e votuam, e mbrojtëm, e ndihmuam, e duartrokitëm, e ndoqëm në çdo miting, ne që për Sali Kullën rrahëm dhe na rrahën, ne budallejve që besuam aq kollaj, as në mendje na vajti se Sali Kulla mund të rrinte në krye më gjatë se nja 3 vjet.
Por kolltukofagu Sali Kulla i regjur herët nëpër gjirizat e Diktaturës, 3 vjetëve tona i shtoi dhe 30 e kusur vjet të tjera nga xhepi i vet, dhe hiç s’e ka ndërment t’i zbresi kalit, derisa të ngordhi kali dhe kalorsi njëri pas tjetrit në të njëjtin dekikë.
Ne e vumë re që herët, se përtej yxhymit të viteve të para kur të gjithë votuan dhe ndihmuan Sali Kullën, jo si Sali Kullë, por për modë, për inerci, si personin që u ofrua të tërhiqte karrocën e pushtetit dhe politikës, më vonë e deri sot Sali Kulla nuk u votua më kurrë drejtpërdrejt, por vetëm përmes abrakadabrave numerike, akrobacirave populiste, rrenave dhe dallavereve me efekte apokaliptike, trafiqet, piramidat, hashashi, në origjinë të të cilëve nuk ndodhej askush tjetër në botë veçse Sali Kulla dhe vetëm Sali Kulla, pa le se ç’llomotit sot.
Ne vuajtëm, duruam, u internuam e u burgosën, u vramë e u premë, për të vërtetën.
Kali i betejave donkishoteske të Sali Kullës ishte, pesë rrena në tre fjalë, rrena dhe vetëm rrena.
Ne dëshirojmë, dhe jemi gati të ndihmojmë për Shqipërinë Madhështore, me kontribute, me vepra.
Sali Kulla, Shqipërinë madhështore, atë me grataçiela për vete dhe barrake për neve, do me e ndërtu vetëm me llafe, me rrena.
Ne nuk kërkuam kurrë revansh, hakmarrje, për vuajtjet tona.
U bënë dhjetra vite, që, Sali Kulla, nga njëra anë bën sikur në emër të revanshit sa për sy e faqe masakron komunistat, nga ana tjetër favorizon nën rrogoz në një mijë mënyra shokët e armëve, miqtë e vet komunista të kohës së diktaturës, persekutorët tanë, ata që na spiunuan dhe burgosën prej të cilëve hoqëm një mijë e një të zezat.
Ne shpresuam se Sali Kulla do ndërtonte shoqërinë e qytetarëve, meritokracisë, shanseve të barabarta.
Sali Kulla ndërtoi shoqërinë e katunarve ziliqarë dinakë, nepotizmit më të qelbët, mercenarizmit më të rrezikshëm.
Ne, me naivitetin që karakterizon njeriun pozitiv, s’patëm asnjë dyshim se Sali Kulla do bënte politikë konservative, serioze, respektuese dhe promovuese të vlerave, traditave, zakoneve.
Sali Mulla vajti ndërtoi surratin e vet, politikën e injorantëve, analfabetëve, halabakëve, rrugaçëve, barkderrave, kokrruarve, qaftrashëve, krejt atyre që i thonë peqe-lepe Sali Kullës, dhe Sali Kulla pavarësisht kostos firifiu, ua plotëson të gjitha tekat, dëshirat, qefet.
Ne ishim plotësisht të bindur se Sali Kulla nuk do e kishte të vështirë të dallonte mes nesh bastardat, dhe tu tregonte vendin, të mos i linte ta ndotnin shoqërinë, politikën, ekonominë. Mirpo Sali Kulla vajti i gjeti ku ishin e ku s’ishin, në brim të miut, në folenë e gjarpërit, në gropën e iriqit. I lau, i shplau, i qethi, i rruajti, i veshi, i mbathi, u bëri favore, u ktheu pronat, u mundësoi privatizime. Tani bastardat lëpijnë bythën e Sali Kullës. Sali Kulla u lëpin bastardave yndyrën e etërve seriozë.
Ne e kemi dit’ kaherë se nëpunsi, shtetari, janë murgj, janë misionarë, janë heremitë, për të cilët materialiteti nuk ekziston. Bëjnë shumë kujdes mos ndoten, i rrinë larg tundimit për tu pasuruar shpejt dhe lehtë, mpleksjes me interesin, nuk prefendojnë më tepër se rrogën. Sa më i lartë të jetë detyra, rangu, ofiqi, aq më e largët dhe më e pakët është afrimi me përfitimin, mëkatin, përlyerjen e shpirtit. Sali Kulla e hëngri karremin e padukshëm. Bëri të kundërtën. Ju duk se sa më lart të ngjitej, aq më të afërt dhe të parrezikshëm e kishte pasurimin. Dhe j’u fut derrçe vjedhjes, hajdutllëkut.
Sali Kullën e ardhur nga bodrumet e Diktaturës, ne kurrë nuk e menduam më tepër se kalë karroce, nëpunës, administrator, nikoqir të Shqipërisë. Sali Kullës, karagjozit të tranzicionit, i ka hypur vetja në qef. Rrethuar nga zagarë të paguar me pare të vjedhura, nga maja e plehut ku ka hipur, pa pik turpi po e shpall veten të pacënueshëm, të pavdekshëm, shenjtor. O shkofsh e mos u ardhsh. O qafën thefsh.

Exit mobile version