Në dhjetor Milani bëhet i kinezëve

Në dhjetor Milani do të kalojë zyrtarisht në duart e kinezëve. Epoka e Silvio Berlusconit në krye të klubit kuqezi është drejt fundit. Pas një muaji te Milani do të nisë një tjetër epokë, ajo e kinezëve. Më 12 dhjetor, pritet që palët të nënshkruajnë marrëveshjen mes tyre, ku 99.93% e aksioneve do të kalojnë nga kompania Fininvest tek ajo e Sino-Europe Sport. Sipas disa informacioneve në shtëpinë e kuqezinjve është zhvilluar një mbledhje e akisonerëve, ku të pranishëm kanë qenë Barbara Berlusconi dhe Adriano Galiani.
Në takim të pranishmit, kanë diskutuar në lidhje me procedurat e fundit të kalimit të aksioneve. Mbledhjet e ardhshme do të jenë më 2 dhe 12 dhjetor. Në njërën prej këtyre dy datave me shumë gjasa do të bëhet publik dhe zyrtarizimi i kësaj marrëveshjeje. Tifozët e Milanit ndonëse të keqardhur për largimin e presidentit Berlusconi, po e presin me padurim përfundimin e bisedimeve, ku sigurisht kërkesa më e madhe është ndërhyrja në merkato, për ta rikthyer “Djallin” në lavdinë e viteve të dikurshme.
Arsyeja kryesore pse Milani ka pasur ecuri pozitive është pikërisht trajneri. Lojtarët janë po ata të vitit të kaluar, por skuadra renditet më mirë dhe ka rezultate shumë të mira. Është pikërisht Montela ai që e ka bërë Milanin një skuadër, në sensin e grupit. Ai ka arritur të modifikojë skemat, të ndryshojë mënyrën e lojës dhe t’i transmetojë kësaj skuadre besimin që mund të bëjë mirë. Loja me topin dhe urdhri për të mos pasuar asnjëherë gabim apo për ta çuar topin në drejtimin e paditur janë dy faktorë që kanë sjellë ndryshimin. Puna e tij deri tani duhet përgëzuar.
Bastet e fituara- Milani nuk ka një kampion të madh, por ka shumë kampionë të vegjël. Montela ka arritur të “shpikë” diçka. Niang, Suso dhe Lokateli kanë rilindur. Suso me fanellën kuqezi është një lojtar i tjetërsuar dhe me dëshirën për ta ndihmuar ekipin. Niang gjithashtu duket më i vendosur dhe më i pjekur. Fjalët për Lokatelin mund të jenë të tepërta. Ai bën vepra arti gjithmonë në fushën e lojës. Paleta gjithashtu dhe Romanjoli janë baste të fituara, sepse Montela ka qenë edhe psikologu i këtyre lojtarëve.
Milani fiket dhe ndizet. Luan mirë, por pastaj zhgënjen. Arrin rezultate pozitive dhe pastaj negative. Ekipi ka arritur vetëm 1 fitore pa vuajtje, atë kundër Lacios më të keqe të këtij sezoni. Montela ka arritur të fitojë 8 ndeshje në këtë sezon, por mund të përfundonin edhe ndryshe. Skuadra fitoi me Juventusin, pastaj bëri një figurë të keqe ndaj Xhenoas. Ky është problemi që duhet të zgjidhë kjo skuadër.

Exit mobile version