Në dyshim qeveria e re? Besa me kushte ndaj Zaevit

Kreu i partisë etnike shqiptare Besa në Maqedoni, Bilall Kasami, tha të mërkurën se pjesëmarrja e partisë së tij në një qeveri të re të drejtuar nga socialdemokratët do të varet nga fakti nëse pjesëmarrësit e tjerë në koalicion propozojnë ministra, të cilët janë të përfshirë në skandale korrupsioni.
“Ne nuk do të marrim pjesë në një qeveri së bashku me njerëz, të cilët janë duke u hetuar nga SJO”, tha Kasami, duke iu referuar Prokurorisë Speciale, një organ i krijuar për të hetuar krimin e nivelit të lartë dhe korrupsionin.
Ai foli pas takimit me kreun e socialdemokratëve, Zoran Zaev, i cili më herët të mërkurën mori mandatin nga presidenti për të formuar qeverinë e re.
Deklarata e Kasamit për SJO i drejtohej rivalit kryesor, Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI – e cila është gjithashtu pjesë e shumicës së re në Parlament, por e cila më parë e drejtoi vendin së bashku me partinë VMRO-DPMNE të Nikola Gruevskit.
Besa e ka sulmuar ashpër BDI për aleancën tetëvjeçare me nacionalistët e Gruevskit dhe këmbëngul se pavarësisht se BDI ka ndryshuar kah pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, partia duhet të mbajë përgjegjësi për pjesën e vet në krimet e qeverisë së Gruevskit.
Këto pretendime tani po hetohen nga SJO, e cila u formua në vitin 2015 si pjesë e një marrëveshjeje për zgjidhjen e krizës politike nga BE.
Kasami tha se pjesëmarrja e Besa në kabinetin e ri do të diskutohet vetëm pasi të përfundojnë akordimi i platformës së partisë së tij me atë të partisë së Zaevit.
Më parë, pas marrjes së mandatit nga presidenti Gjorge Ivanov, Zaev tha se donte t’i përfshinte të tria partitë kryesore shqiptare në kabinetin e tij.
“Besa mbështeti shumicën e re dhe kjo më jep të drejtën që të paktën të filloj bisedimet me ta dhe t’i ftoj të marrin pjesë”, tha Zaev.
Me mbështetjen e Besës, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët, Zaev ka mbështetjen e 67 prej 120 deputetëve në Parlament. Besa fitoi pesë vende në zgjedhjet e dhjetorit. Dy partitë e tjera shqiptare kanë rënë tashmë dakord të bashkohen me qeverinë.
Duke filluar nga e mërkura, Zaev ka 20 ditë për të finalizuar platformën e tij qeveritare dhe për të dorëzuar propozimin në Parlament. Megjithatë, ai ka thënë se do të përpiqet t’i përshpejtojë gjërat dhe ta dorëzojë atë më herët, brenda dhjetë ditësh.

Artikulli paraprakLajm i keq për Xhakën
Artikulli tjetërGeorge Soros dëshiron një rrjet social të ri kundër së djathtës