Në fakt, Engert Pëllumbi duhej të ishte falenderuar dhe jo atakuar!

Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – Apeli i GJKKO, u shpreh dje në lidhje me ankimin e bërë nga ana SPAK kundër vendimit të Shkallës së Parë të GJKKO, ku gjyqtarja e seancës paraprake vendosi shuarjen e masës së sigurimit ndaj subjektit nën akuzë Sali Berishës. Me trupë monokratike, Apeli i GJKKO vendosi rrëzimin e kërkesës së SB për shuarjen e masës së sigurisë si dhe zëvëndësimin nga “Arrest në shtëpi” në atë të “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

Ky vendim ka shkaktuar reagime të ashpra ndaj tij si individ, padiskutim edhe ndaj SPAK, GJKKO e Reformës në Drejtësi në tërësi.

“E kapur nga Rama, drejtësia foli absurditete”, ishte pak a shumë linja e komenteve.

Por, a ishte i mbështetur në ligj e në prova vendosja e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”?

Le t’i bëjmë një analizë dispozitave të Kodit të Procedurës Penale mbi të cilat gjykata referohet kur vendos aplikimin e masave të sigurimit personal.

– Seksioni I i Kreut I të Titullit V të Kodit të Procedurës Penale flet mbi Rregullat e Përgjithshme të Masave të Sigurimit. Konkretisht, neni 228 flet për “Kushtet për caktimin e masave të sigurimit personal” ndërsa neni 229 flet mbi “Kriteret për caktimin e masave të sigurimit personal” (Foto Nr.1). Pra, gjykata kur vendos për aplikimin e masave të sigurimit, mban parasysh vetëm rrethanat për të cilat flasin këto dy nene. Në rastin konkret, gërma “a” e paragrafit 3 të nenit 228, teorikisht, lënia pa masë e personit nën akuzë bën që të ketë rrezik për marrjen apo vërtetësinë e provës. Ndërsa, që Berisha të ketë rrezik ikje (gërma b) apo rrezik për kryerjen e një vepre tjetër(gërma c) është pothuaj zero sepse ka dëshmuar vullnet për tu përballur me drejtësinë si dhe nuk e gëzon më postin shtetëror, atë të kryeministrit, që të konsumojë vepër tjetër penale. Kjo sa i përket kushteve. Ndërsa sa i përket kritereve, përshtatshmërinë e masës në raport me shkallën e nevojave të sigurimit (paragrafi 1 i nenit 229) i dha zgjidhje Gjykata Kushtetuese kur u shpreh se aplikimi i masës “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” ishte jo proporcionale për sa kohë gjykata kishte vendosur edhe masën e “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

Screenshot 20250103 171609 Drive

 

Gjithashtu, në referim të paragrafit 2 të nenit 229, gjykata ka marrë në konsideratë edhe marzhin e dënimit të veprës penale për të cilën akuzohet i pandehuri Sali Berisha. Kujtojmë këtu se vepra për të cilën akuzohet është ajo e “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe që ka marzh dënimi nga 4 deri në 12 vite burgim. Pra, duket qartë se ka një marzh relativisht të lartë çka bën që gjykata ta ketë në konsideratë kur vendos për aplikimin ose jo të masës së sigurimit.

– Mbyllja e fazës së hetimeve paraprake po përdoret si argument që masa e vendosur nga Apeli i GJKKO është pa bazë ligjore. Por, nëse i kthehemi gërmës “a” në paragrafin 3 të nenit 228, si kusht për caktimin e masës së sigurimit është ekzistenca e rrezikut për marrjen apo vërtetësinë e provës. Nuk duhet të harrojmë faktin se në seancën e datës 16 dhjetor të vitit 2024, subjekti SB nuk ushtroi kërkesë për gjykimin e shkurtuar, ndryshe nga biznesmeni Fatmir Bektashi i cili zgjodhi të gjykohet me provat që kishte mbledhur prokuroria. Kjo do të thotë se z.Berisha humbet përfitmin e uljes të 1/3 së dënimit por gëzon të drejtën të marrë prova të reja, thërrasë dëshmitarë, të bëjë ballafaqime, kërkojë riekspertime e eksperimente si dhe çdo provë shkresore që nuk është marrë nga organi i akuzës gjatë fazës së hetimeve paraprake. Pra, që prova të ruhet dhe të mos pamundësohet marrja e saj, duhet që subjekti nën akuzë të ketë një masë shtrënguese. Marrja e provës ka të njëjtën rëndësi si në fazën e hetimeve paraprake ashtu edhe në çdo fazë tjetër. Kjo sepse referuar nenit 151 të Kodit të Procedurës Penale (Foto Nr.2) “Marrja e provave”, prova merret ose nga organi procedues ose nga gjykata, në varësi të fazës proceduriale në të cilën ndodhet çështja, në hetim apo gjykim.

Screenshot 20250103 172308 Drive

Thënë ndryshe, zgjedhja e gjykimit të zakonshëm, hapi sërish diskutimin mbi rëndësinë e ruajtjes dhe marrjes së provës dhe është përgjegjësi e gjykatës që të bëjë vlerësimin e rrethanave në të cilat ndodhet çështja në tërësi. Nëse do të kishin shkuar me gjykim të zakonshëm, padiskutim që aplikimi i një mase shtrënguese është e panevojshme por mos të fshihemi pas gishtit pasi në praktikë, pothuaj asnjëherë gjykata nuk investohet në zëvëndësim apo shuarje mase deri sa vendimi të marrë formë të prerë.

– Pretendohet se gjykata doli jashtë objektit të ankimit të prokurorit. Pra, gjykata duhej të shprehej vetëm nëse Berisha duhej të qëndronte ose jo nën masën “Arrest shtëpie”. Ndërkohë, në paragrafin 4 të nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale (Foto Nr.3) gjykata vendos edhe kryesisht për revokimin ose zëvendësimin e masës së sigurimit si gjatë marrjes në pyetje të personit të arrestuar ashtu dhe gjatë procedimit për sigurimin e provës, gjatë seancës paraprake apo edhe gjatë gjykimit. Në rastin konkret, çështja ndodhet në seancë paraprake.

Screenshot 20250103 162250 Drive

Pra, gjykatësi Engert Pëllumbi jo vetëm është gjyqtari i seancës paraprake por gëzon të drejtën të shqyrtojë edhe kryesisht kushtet dhe kriteret për aplikimin e masës së sigurimit personal. Gjithashtu, ligjshmëria e vendimit të Apelit të GJKKO konsiston edhe në faktin se ajo ka caktuar një masë më të butë nga sa ka kërkuar prokuroria. Paragrafi 3 i nenit 244 të Kodit të Procedurës Penale (Foto Nr.4) e kufizon gjykatën të mos japë masë më të rëndë se ajo e organit procedues. Dhe në rastin konkret, kur prokuroria kërkon arrest me burg dhe gjykata jep detyrim paraqitje, vendimi mbetet brënda kornizës ligjore.

Screenshot 20250103 162127 Drive

– Pse të paraqitet në Policinë Gjyqësore sepse dosja nuk ndodhet më në prokurori. Së pari, dispozita e tillë është hartuar, që në titull ashtu dhe në përmbajtje, ku subjekti nën hetim mban kontakte me një zyrë të policisë gjyqësore, ndryshe nga ndalimi i daljes jashtë shtetit apo ndalimi dhe detyrimi i qëndrimit në një vend të caktuar që ngarkon gjykatën si autoriteti i cili duhet të mbajë kontakte i pandehuri.

Screenshot 20250103 202247 Drive

Diskutimi mbi vendndodhjen e dosjes bëhet vetëm për çështjen e kompetencës se cila gjykatë do të shqyrtojë kërkesën apo ankimin e subjekteve. Pra, orienton palët se i duhet drejtuar asaj gjykate në të cilën ndodhet dosja.

Kështu, nga sa kemi arsyetuar, konkludojmë se vendimi i Apelit të GJKKO është i mbështetur në ligj e në prova. Pretendimi për paligjshmëri nuk duket se gjenë hapësirë. Nëse do të ishim në kushtet e një gjykate me ndikim politik, gjykatësi Pëllumbi, do të duhej të analizonte edhe disa fakte e rrethana të tjera. Se dëshmitarët e mundshëm që mund të thirren gjatë gjykimit janë pjesë e strukturave të PD, familjarë apo njerëz të afërt në biznes. Duhej të merrte në konsideratë tipin prepotent të Berishës, periudhën e hartimit të listave për deputet, gatishmërinë e militantëve për t’u vetëflijuar për Berishën, e shumë rrethana tjera të cilat mund të ndikojnë direkt apo indirekt në marrjen e provave apo intimidimin e dëshmitarëve. Të gjitha këto do të bënin që Berisha minimalisht të kthehej nën masën e sigurimit “Arresti në shtëpi”. Por jo, gjykatësi Engert Pëllumbi tregoi edhe kësaj here se gëzon pavarësi në ushtrimin e detyrës dhe se mbi të është vetëm ligji. E duke iu referuar ligjit, ndaj të pandehurit SB duhej aplikuar masa “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe se arresti i kërkuar nga SPAK nuk i përgjigjet më nevojave të sigurimit.

Prandaj, gjykatësi i Apelit të GJKKO sot duhej të ishte falenderuar e lartësuar për vendimin që mori e jo të etiketohej si i kapur nga politika apo të komentohej pamja fizike që nuk është zgjedhje e tij por që ia ka falur Krijuesi. Këto janë shenja që provojnë se komunizmën mund ta kesh në gjak pa e ditur dhe pavarësisht faktit se militon në një parti të djathtë./Blogu.al

Artikulli paraprakGjyshi gay, Big Brother Albania VIP 4 dhe degjenerimi kolektiv
Artikulli tjetërDëshmia e ish-Ipeshkvit të Shkodrës: Në Spaç, ishte një i burgosur në shërbim të tyre! Për shumë vite, duke shëtitur në vende të Europës ku gjendeshin shqiptarë, kishte rekrutuar…