Tarifat fikse të pastrimit që paguhen në faturat e ujit të pijshëm do të ndryshojnë. Për pastrimin, qytetarët do të taksohen sipas mbetjeve për frymë që ata gjenerojnë. Sipas gazetës Panorama, pagesa e taksës do t’i përgjigjet kostos së menaxhimit të mbetjeve nga pushteti vendor. Në një dëgjesë publike me përfaqësues të pushtetit vendor, Qeveria prezantoi dje draftin me formulën e llogaritjes së kostos për menaxhimin e mbetjeve dhe tarifat që do të paguhen nga qytetarët për këtë shërbim. Në formulën e re të llogaritjes, taksa për këtë shërbim do të jetë e ndarë në tri kategori: për familjarët, bizneset (nëndarje e kategorive biznes i vogël, i mesëm dhe i madh) dhe administrata shtetërore. Zëvendësministrja e Mjedisit, Olijana Ifti, informoi se bashkitë sipas metodologjisë për llogaritjen e kostove do të përcaktojnë tarifat e shërbimit. Ifti tha se drafti sjell rishikimin e skemës së menaxhimit të mbetjeve dhe në bazë të kostos të menaxhimit për banor, propozohet tarifa 100 lekë në muaj. Sipas metodologjisë së përcaktuar në draft, tarifa e pastrimit do të përcaktohet e ndryshme për familjarët, bizneset dhe institucionet publike. Për të llogaritur tarifën e pastrimit, drafti propozon tri modele llogaritjeje, ajo e bazuar në numrin e popullsisë, në sipërfaqen e pronës dhe modeli progresiv. Modeli i tarifimit do të përzgjidhet nga pushteti vendor. Drafti përcakton nëpërmjet formulës mënyrën e llogaritjes së tarifës, e cila do t’i përgjigjet kostos që një bashki do të shpenzojë për menaxhimin e plehrave që nga kazanët e grumbullimit deri në depozitimin e tyre në landfill. Si referencë për koston e menaxhimit të mbetjeve do të merret vlera 1,329 lekë për banor/vit apo 110 lekë për banor/muaj. Formula përfshin shpërndarjen e kostos për grumbullimin e mbetjeve, kostoja referencë është llogaritur 478 lekë për banor/vit, kostoja e transportit 196 lekë për banor/vit, amortizimi 160 lekë për banor/ vit, kostoja e depozitimit 495 lekë për banor/vit.
Kryesore
Continue to the category“Së shpejti bëjmë publik emrat e kandidatëve”, Basha: Jemi forca e...
Në intervistën për televizionin Vizion Plus, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, theksoi se ekipi i tij në zgjedhjet e ardhshme do të...