Në formularin e dekriminalizimit deklarohen krimet jo meritat apo aktet e trimërisë

Partia Demokratike ka hedhur poshtë dje me neveri pretendimet e ngritura nga Partia Socialiste në lidhje me formularin e dekriminalizimit të deputetit demokrat, Flamur Noka. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, PD sqaron se: “Formulari i dekriminalizimit, është konceptuar që secili prej zyrtarëve të këtij vendi t’i rrëfehet opinionit publik për krimet e rënda që mund të ketë kryer, dmth për: përdhunimet, vrasjet, trafikimin e drogës e të prostitutave. Shumë prej këtyre bëmave i ka kryer dhe Taulanti i Partisë ndaj të cilit nuk mungojnë denoncimet dhe dëshmitë. Formulari i dekriminalizimit, nuk është konceptuar që zyrtarët të rrëfejnë meritat, aktet e trimërisë apo të heroizmit të kryera kundër Sigurimit të Shtetit dhe sistemit të përdhunuesve të një kombi të tërë”.
Në reagimin për mediat, Partia Demokratike sqaron se Flamur Noka në vitin 1990 bëri zgjedhjen e tij, pa rezerva e frikë, në favor të lirisë. Theu perden e hekurt. Ata e kthyen e ia dorëzuan Fatmir Xhafës, i cili së bashku me Sigurimin e Gramoz Ruçit, kishin për detyrë t’i bënin hetuesinë, ta demaskonin e ndëshkonin armikun e regjur të Partisë dhe Atdheut socialist, 19-vjeçarin Flamur Noka.
“Pas kësaj, fatin e tij e kishte në dorë personalisht shoku Fehmi Abdiu, kryetar i Gjykatës Popullore të Kukësit, i cili njësoj si për Havzi Nelën, do të administronte në dosje edhe opinionin me shkrim të Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Kukësit, shokut Sulejman Bushati. Më tej, “armiku” 19-vjeçar Flamur Noka, kishte të drejtën, identik si Havzi Nela, t’i kërkonte mëshirë shokut Kristaq Rama, i cili njësoj si për Havzi Nelën, do të firmoste “ekzekutim me varje në litar”.
Për fat të mirë, të gjithë sa përmenden më sipër nuk e patën kohën e duhur të mbyllnin ciklin e përdhunimit në grup të dinjitetit njerëzor dhe dëshirës për liri, pasi në dhjetor të vitit ’90 u shembën e u fshehën skutave. Ndaj, Flamur Noka sot nuk është në një varr pa emër, dhe të njëjtët monstra, e kanë përballë në çdo të pabërë që po i përsërisin prapë këtij populli” sqarohet në reagimin e Partisë Demokratike.

Artikulli paraprakNë arat e Saje qorrit dhe Edvin Shullazit në Treblovë të Vlorës
Artikulli tjetërPaloka: Sundimi i Ramës me krimin do të bjerë