Në fund të vitit 2015, stoku i borxhit publik arriti në 1,043.1 miliard lekë, me një rritje 6.66% krahasuar me fundin e vitit 2014, ose 72.2% e PBB, kundrejt 69.83% në dhjetor 2014, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave. Në strukturën e stokut të borxhit publik, borxhi i qeverisë qëndrore përfaqëson 99.91% të stokut, ndërsa borxhi i pushtetit lokal 0.09% të tij, duke ruajtur të njëjtat nivele me fundin e vitit 2014. Sipas afatit origjinal të maturimit, struktura e stokut të borxhit përbëhet nga borxhi afatshkurtër 24.4%, kundrejt 29.3% në fund të vitit 2014 dhe borxhi afatgjatë 75.6% kundrejt 70.7% në fund të vitit 2014. Kjo ka ardhur si rezultat i faktit se, politika e ndjekur gjatë vitit 2015 për emetim-maturimet e borxhit të brendshëm ka qenë e tillë që ka synuar dhe arritur një zhvendosje të portofolit drejt instrumentave afatgjatë, sipas strategjisë afatmesme të borxhit. Gjithashtu edhe huamarrja e huaj është e gjitha afatgjatë. Sipas instrumentave të borxhit, 55.9% e stokut përbëhet nga instrumenta të emetuara në tregun e brendshëm dhe të jashtëm (Bono Thesari, obligacione, Eurobond), ndërsa kreditë e marra apo të garantuara në tregun e huaj dhe atë vendas përfaqësojnë 44.1% të stokut të borxhit, kundrejt 59.4% dhe 40.6% që ishte ky raport në fund të vitit 2014. Huamarrja e huaj në formën e kredive si edhe maturimet e realizuara në tregun e brendshëm gjatë vitit 2015, kanë ndikuar në rritjen e peshës specifike të kredive. Në krahasim me fundin e vitit 2014, stoku i borxhit të brendshëm të qeverisë është ulur me 2.36% ose -13.3 miliardë lekë. Për financimin e defiçitit stoku është ulur me -17.7 miliardë lekë, ndërsa nga garancitë është rritur me 4.4 miliardë lekë. Sipas afatit të maturimit, 57% e stokut të borxhit të brendshëm të qeverisë është borxh afatgjatë, kundrejt 51.6% në fund të vitit 2014. Treguesi i ditëve mesatare në maturim arriti në 706 ditë, vlera më e lartë historike, kundrejt 630 ditë në fund të vitit 2014, si rezultat i fokusimit të huamarrjes në instrumentat afatgjatë. Struktura e mbajtësve të borxhit të brendshëm ka pësuar ndryshime pozitive drejt diversifikimit të mëtejshëm gjatë vitit 2015. Borxhi i jashtëm përfaqëson 47.1% të stokut të borxhit të qeverisë qëndrore ose 33.97% të PBB. Në krahasim me fundin e vitit 2014 stoku i borxhit të jashtëm është rritur me 78.4 miliardë lekë, ose 19%. Kjo rritje vjen kryesisht si rezultat i shtesës së borxhit në stok me 73.5 miliardë lekë, ndërsa zhvlerësimi i lekut kundrejt monedhave përbërëse të stokut (me përjashtim të EUR), e ka rritur stokun me 4.9 miliardë lekë. Gjatë vitit 2015, ka vazhduar tendenca e uljes së yield-it mesatar të ponderuar të letrave me vlerë të qeverisë, i cili në fund të vitit 2015 arriti vlerën më të ulët historike prej 5.31%, kundrejt 5.386% në fund të vitit 2014. Ky tregues reflekton uljen e yieldeve të letrave me vlerë të qeverisë në tregun primar gjatë vitit si edhe uljen e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Shpenzimet për interesat e borxhit arritën në 38.6 miliardë lekë ose 2.67% e PBB.
Kryesore
Continue to the categoryKëshilltarët e Demokratëve Euroatlantikë në bashkinë Vlorë propozojnë ulje tarifash për...
Kryetari i këshilltarëve të Demokratëve Euroatlantikë në Bashkinë Vlorë, Gjergji Nika, në një postim në facebook shprehet se ka depozituar një projekt-vendim për uljen...