Në gjyq pse denoncoi përfitimin e 3 miliardë lekëve nga kompania e burrit të deputetes së PS

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji akuzoi sot nga Gjykata Penale e Tiranës mënyrën sesi qeveria apo deputetë të Rilindjes po përdorin gjykatat si varrmihëse të skandaleve të tyre.

Salianji u përball sot në një proces me ligjvënësen e PS-së, Klotilda Ferhati, për shkak të akuzave mbi kompaninë e burrit apo familjarëve të saj, që me ardhjen e Rilindjes në pushtet përfituan mbi 3 miliardë lekë.

“Jam sot në një tjetër rast, ku po përdoret gjykata si një rast varrmihëse për skandalet e qeverisë dhe deputetëve të saj.

Nga sot do të paraqitem në çdo gjyq që do të kem për t’i rithënë akuzat që kam ndaj qeverisë dhe deputetëve të saj.

Në rastin konkret jam në një gjyq për akuzat ndaj kompanisë Selcom, e cila me ardhjen e Rilindjes në pushtet ka rilindur. Nëse në 2012 kompania në fjalë kishte një bilanc negative, me ardhjen e Rilindjes në pushtet, xhiroja ka arritur në mbi 3 miliardë lekë.

Bashkë me avokatët e mi po shohim mbi tenderat që ka fituar kjo kompani, ku në një rast janë fondet që ka përfituar nga Bashkia e Librazhdit.

Në këto kushte jemi në një rast të ngjashëm si ai i ish-deputetit Koço Kokëdhima, që humbi mandatin e deputetit, por sot ne nuk kemi Gjykatë kushtetuese për të shkuar dhe për të parë nëse deputetja Bushati ka konflikt interesi apo jo”, tha Salianji.

Ai shtoi se deri më tani nuk ka humbur asnjë gjyq lidhur me akuzat që ka bërë ndaj Rilindjes, duke shtuar se do të jetë i pranishëm në çdo seancë për të denoncuar dhe ri-denoncuar skandalet e qeverisë.

 

Exit mobile version