Pas skualifikimit zhgënjyes në “San Siro”, i gjithë opinoni sportiv në Itali projekton një emër shumë të dashur për stolin e Kombëtares Italiane, pikërisht atë të Karlo Ançelotit. Por rruga që do të çonte drejt një po-je nga ana e 58-vjeçarit has në disa pengesa të vogla. Siç raporton e përditshmja “La Gazzeta Dello Sport”, vetë tekniku italian nuk do ta refuzonte kurrë rolin e “shpëtimtarit” për kombëtaren e vendit të tij dhe as do ta trajtonte atë si një çështje financiare, edhe pse, duke hipotezuar, një pagë prej 4 milionë eurosh sërish do të ishte një shifër shumë më e vogël nga ç’mund të fitonte në stolin e ndonjë klubi europian.
Gjithsesi, pengesë mund të jetë fakti se, tekniku është i prirur ta vijojë karrierën në Angli, ku ka patur sinjale nga Arsenali dhe Chelsea, opsione shumë joshëse për Ançelotin. Sidoqoftë, vështirësia e vërtetë nuk qëndron te trajneri, por tek fakti se për ta ringritur këtë kombëtare njeriut që do të marrë drejtimin e saj do t’i nevojitet një projekt dhe ide të reja.