Prej katër vitesh këtë vend e ka pushtuar një organizatë kriminale, me vrasës në Parlament, trafikantë prostitutash e droge si dhe përdhunues në Bashki. Revolta e Bashës dje me një artikulim të fortë, në të vërtetë është revolta e çdo shqiptari. Basha tha dje publikisht atë që shqiparët e ndjejnë prej kohësh. Ky vend është në luftë me këtë organizatë kriminale dhe durimit tani i ka ardhur fundi.
Kryetari i opozitës paralajmëroi dje nga sheshi i lirisë se kushdo që luan me popullin t’i bëjë llogaritë mirë, se ndryshe vala popullore do t’i fshijë nga zyrat. Reagimi i Bashës erdhi pas njoftimeve hakmarrëse të qeverisë të pushimeve nga puna të protestuesve që i bashkohen nga dita në ditë revoltës popullore. Drejtori i RTSH pushoi dje nga puna një tjetër intelektuale të këtij institucioni vetëm se këndoi himnin kombëtar në protestën e opozitës. “Kushdo që godet qytetarët dhe protestën, do të vijë ora t’i marrim zvarrë në këtë shesh. Doni luftë, luftë do të ketë. Shpojuani gomat e makinës, thyejuani xhamat, atyre që ju ndëshkojnë pa të drejtë”, tha Basha.
Kreu i opozitës ka qenë i ashpër duke paralajmëruar radikalizim të revoltës popullore, “vjen momenti kur nuk do të gjeni vrimë miu për t’u futur”, tha Basha.
“Kushdo që godet qytetarët dhe protestën, do të vijë ora t’i marrim zvarrë në këtë shesh. Doni luftë, luftë do të ketë. Shpojuani gomat e makinës, thyejuani xhamat, atyre që ju ndëshkojnë pa të drejtë. Kush luan me popullin t’i bëjë llogaritë mirë, se ndryshe vala popullore do t’i fshijë nga zyrat. Kjo është një lëvizje popullore pa kthim, nuk është një manifestim partiak. Populli nuk mund të durojë më. Durimit të popullit i ka ardhur fundi, edhe durimit tonë. Boll me akte të paligjshme në kurriz të shqiptarëve, në kurriz të biznesit, por vjen momenti kur nuk do të gjeni vrimë miu për t’u futur, kur zemërata popullore të rritet. Kur ju godasin, mos ktheni faqen tjetër, por goditini me grusht. Për çdo padrejtësi goditini me grusht, koha kur populli trajtohet si dele po merr fund”, tha Basha.
Kreu i PD u shpreh se zgjedhjet e lira dhe të ndershme do t’i japin fund vjedhjes së shqiptarëve.
“Në Shqipëri ecin përpara vetëm katër apo pesë kodoshë biznesmenë që populli u thotë oligarkë. Oligarkë që rrinë gjithë ditën tek zyra e Edi Ramës dhe nga zyra e Edi Ramës çdo ditë ndajnë thelat e kaposhit që në fakt është buka që u hiqet nga goja shqiptarëve të thjeshtë e të ndershëm dhe fëmijëve të tyre. Katër ose pesë oligarkë thërret Edi Rama për çdo gjë, për çdo tender, për çdo koncesion, për çdo privatizim, për çdo pasuri kombëtare. Katër apo pesë emra i thërret aty dhe i bën së bashku, ndajnë thellat e pushtetit, së bashku ndajnë pasuritë e shqiptarëve, ndërkohë që vendi zhytet në mjerim”, tha Basha.
Basha siguroi se programi i Partisë Demokratike do ta çlirojë ekonominë, do të hapë garën, do të krijojë shanse për të gjithë, do të ketë transparencë, si dhe do të ulë taksat dhe do të heqë barrierat mbytëse administrative.
Bizneset i bashkohen protestës
Paraditen e djeshme në sheshin e lirisë u diskutua për biznesin dhe sipërmarrjen, për mungesën e lirisë ekonomike, taksat e larta, ryshfetet e taksidarëve, dhunën e qeverisë, mbylljen e bizneseve që sjellin mbylljen e vendeve të punës.
Nikollaq Neranxi u shpreh se, i gjithë biznesi është nën presion nga qeveria dhe krimi, dhe nuk po lejohet të punojë. “Kjo qeveri nxori ligjin e supergjobave që të falimentojë biznesin ekzistues, sepse do u lerë vendin trafikantëve, sepse paratë e drogës duhet të investohen diku. Presionin e pushtetit dhe krimit ne e ndjejmë çdo ditë në punën tonë, që nga ambulanti që duhet t’i hiqet kioska për dikë tjetër që do Veliaj e deri tek biznesi i madh siç jam unë që kam përjetuar hedhjen e prangave nga kjo polici. Na kanë shkatërruar biznesin, na kanë izoluar, kanë grabitur pronat dhe kanë varfëruar Shqipërinë. Këta duhet të largohen dhe t’i hapin rrugën një qeverie teknike dhe kjo qeveri teknike do t’i hapë rrugën për të fituar ne liritë tona, që këta na e kanë mohuar në këto 4 vite. Kërkojmë lirinë e fjalës, të pronës, të tregut”, tha Neranxi.
Albert Nasto, nga Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm shqiptar i bëri thirrje të gjithë sipërmarrësve që të dalin të protestë. Sipas tij, dy të treta e biznesit duan të mbyllin aktivitetin sepse nuk po përballojnë dot taksat, presionet, gjobat dhe pasigurinë në rritje.
“Përveç bashkive të djathta që kanë ulur taksat, kudo janë rritur. Po të pyesësh këto biznese në Tiranë do të thonë që taksat janë rritur nga 3 deri në 7 herë taksat vendore. Sot informaliteti është në rreth 40% dhe shifrat janë të larta pavarësisht se këta bënë një aksion. Fuqia blerëse e shqiptarëve ka rënë me rreth 40%. Kur njerëzit nuk kanë lekë, nuk kanë çfarë të blejnë më. Ne detyrohemi të bëjmë çdo pagesë dhe çdo taksë sepse ndryshe ky të fut në burg. Nga viti 2013 kemi shumë taksa të fshehura si taksa e dhomave të tregtisë, si në komunizëm. Sot vetëm 23% e biznesit beson tek administrata, shkalla më e ulët që ka ekzistuar. Vjedhjet janë shtuar për shkak të krimit dhe jemi të pambrojtur. Rreth 40% e biznesit ka dhënë ryshfet 2 ose 3 herë. Kanë falimentuar mbi 32 mijë biznese nga 2013 deri më sot dhe kanë përfunduar në rrugë. Rreth 70% e biznesit shqiptar është gjobitur, ndërsa 67% e biznesit thotë që duan ta mbyllin biznesin dhe të largohen jashtë vendit. Duan të ikin se situata është nga më të rëndat që kemi pasur. Biznesi sot është në gjendje nga më të rëndat dhe sot biznesi është në frikë dhe në terror. Ka pasur deri në 10 kontrolle tatimore në ditë në një biznes. Ndaj të protestojmë se nga protestat vetëm do të fitojmë siç bën bota e qytetëruar”, u shpreh Nasto.
Fasonistët: Modeli i kësaj qeverie është shkatërrimtar
Flamur Hoxha nga Shoqata e Fasonistëve tha se, modeli i kësaj qeverie është shkatërrimtar. “Kam 25 vite që punoj në sipërmarrjen e lirë, por ky model që filloi para 4 vitesh nuk është modeli europian. Ky është modeli i taksave të larta, të pagave të ulëta të ekonomisë së dobët. Kam qenë kritik për të mirën e të gjithëve. Pa një ekonomi të shëndoshë nuk ka të ardhme. Po marr dy shembuj të modelit që këta kanë promovuar. Një të ndërtimeve luksoze buzë Adriatikit apo Jonit dhe një e partneriteteve publik privat që çoi në vrasjen e një të riu në landfillim e Sharrës që punonte turni i tretë për të ushqyer familjen. Modeli që na duhet është ai që ka prezantuar Lulzim Basha, me taksa të ulëta, rroga më të mira, rritje të punësimit, investime të huaja, kthimin e mijëra shqiptarëve që kanë ëndërr të vijnë e të investojnë në Shqipëri”, tha Hoxha.
Uran Derri, konsulent financiar, shtoi se qeveria rriti taksat në çdo sektor, u ndoqën dënime të ashpra ndaj biznesit, legjislacionin e ndryshojnë shpesh duke sjellë një çoroditje edhe për administratën tatimore.
Pjesë e protestës dje ishte dhe analisti Artan Hoxha, i cili inkurajoi fort protestuesit për kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Kjo është protesta e të gjitha protestave. Është protesta që u jep kuptim edhe protestave të tjera sepse do të realizojë me patjetër votën e lirë dhe zgjedhjet e ndershme në mënyrë që kushdo të jetë nesër në qeveri, z. Basha me ekipin e tij, ta dijë se do të matet me votë të lirë, me zgjedhje të ndershme dhe të dëgjojë çdo ditë hallet e çdo shqiptari. Po nuk u zgjidh kjo nuk ka kuptim të protestosh për të tjerat sepse askush nuk do t’ia dijë për asgjë. Ju e patë në këto 3 vite kur u premtua rilindje dhe një pjesë e besuan, por pas 3 vitesh, përveç një pakice të pakicës, pjesa dërrmuese e shqiptarëve kanë shtrënguar rripin vit pas viti”, tha Hoxha.
Arben SHAHINI