Në kërkim për grabitje tokash biznesmeni i radarëve të ushtrisë

Idlir Karkini, biznesmeni i përfshirë në skandalin e vjedhjes së tokave në Rrogozhinë nuk është një emër i panjohur për publikun. Tre vjet më parë, kompania e tij “Idea Tel” u denoncua nga KLSH si e përfshirë në një aferë të rëndë të lidhur drejtpërdrejtë me cenimin e sigurisë kombëtare.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturin skandali i radarëve të ushtrisë. Në dhjetor të vitit 2013, përmes një tenderi sekret Ministria e Mbrojtjes i dha kompanisë “Idea Tel” të drejtën për të menaxhuar sistemin e integruar të radarëve detarë, duke ja hequr atë gjigantit amerikan “Lockheed Martin”.
Por në dhjetor të vitit 2015, tenderi u auditua nga KLSH, i cili gjeti shkelje. Sipas KLSH e gjithë procedura ishte zhvilluar në kundërshtim me ligjin për të larguar “Locked Martin” dhe për të shpallur fituese kompaninë “Idea tel”, që në atë kohë kishte si aktivitet të saj vetëm një dyqan celularësh.
Sipas KLSH, Ministria e Mbrojtjes shpalli fituese kompaninë “Idea Tel”, e cila jo vetëm që nuk kishte ekspertizën e nevojshme për të menaxhuar vëzhgimin e hapësirës detare, por kishte ofruar edhe një çmim 4 herë më të lartë se sa “Lockheed Martin”.

Skandali u thellua më shumë në vitin 2016, kur një raport i Autoritetit të komunikimeve elektronike, gjeti se radarët ishin fikur duke i lënë kufijtë detarë të vendit pa kontroll. Opozita akuzoi se, largimi i “Lockheed Martin” dhe përzgjedhja e “Idea Tel” ishte e qëllimshme për të favorizuar trafikun qeveritar të drogës, duke e vënë gishtin tek ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
“Në Narkoshtetin e Noriegës, sipas përgjimeve të partnerëve italiane, për kontrollin e radarëve të detit me urdhër të Noriegës, ndrikull Kodheli ua kishte besuar narkobandave, duke emëruar njerëz të tyre në qendrën e radarëve”, u shpreh Berisha, më 11 mars 2017.
“Radarët nga mesi i vitit 2012 deri në shtator 2013, ishin të gjithë në tokë. Të gjithë të fikur. Bëmë të mundur që në ditët e para të nëntorit të nxirrja nga fondi i veçantë i kontigjiencës 85 milionë lekë të reja për të bërë ristartimin e të gjithë sistemit”, u shpreh Mimi Kodheli më 2 nëntor 2017.
Dy vjet pas skandalit të radarëve të ushtrisë, Idlir Karkini është shpallur në kërkim. Këtë herë si i dyshuar për vjedhjen e tokave në bregdetin e Spillesë.
Sërish për pronat e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat sipas Prokurorisë janë tjetërsuar përmes falsifikimit të dokumenteve nga zyrtarët e Bashkisë së Rrogozhinës. Nga verifikimet e Prokurorisë ai rezultoi të ishte pronar, sipas një skeme falsifikimimi i tokës së ish-repartit të Poligonit të quajtur Rreth-Greth në Spille.
Biznesmeni dyshohet se vetëm pak ditë para se policët të trokisnin në derën e tij për ta arrestuar, është larguar jashtë vendit.

 

Exit mobile version