Teksa i bëri thirrje SPAK-ut të veprojë e të zbardhë aferën, Basha deklaroi se prokurorët duhet të kihsin shkuar në sallën e Komisionit Hetimor e të shpallnin të pandehur disa zyrtarë aty, pasi sipas tij, në këto momente mund të jenë duke prishur provat, duke intimiduar apo duke ndihmuar të përfshirë të largohen nga vendi.“Sot, njerëzit më të afërt të tij, janë në arrati. Ai ju jep imunitet. Edi Rama e di mirë se nëse drejtësia e merr këtë punë kolosale të komisionit të Tabakut dhe e kthen në ndjekje, kjo do të shembë ngrehinën 30-vjecare të korrupsionit shqiptar. Të kthesh mbrapsht makinat që nisen për të arrestuar zyrtarët e lartë, në mes të natës, ky është problem i jashtëzakonshëm. Prandaj, thirrja që bëra ishte e qartë se kemi nevojë të jemi njerëz në radhë të parë, pastaj politikanë. Si njerëz e kuptojmë se dhe ata të SPAK janë njerëz, prindër, bashkëshortë, dhe të gjendur në presion direkt nga Edi Rama apo të dërguarit e tij, padiskutim që janë në pozita të pabarabarta. Janë kërcënuar drejtpërdrejt nga një qeveri e kapur në vjedhje, ndaj dhe ata duhet të kenë mbështetjen e plotë të qytetarëve. 4.2 milionë qytetarë të Shqipërisë duhet t’u japin mbështetjen prokurorëve të SPAK. Mbështetja ime nuk është thjesht si qytetar, por si kryetar i PD.
Edhe faktori ndërkombëtar iu ka thënë se kanë mbështetjen e tyre, të mos përzihen në aferë, të mos tuten, sepse kanë mbështetjen e tyre të plotë. Ky është momenti i testit për ata, për SPAK. Ndaj u ndërtua kjo strukturë, për të kapur politikanët e korruptuar. Le të bëjmë një përpjekje e t’iu themi policëve e prokurorëve të heqin për një moment uniformën e të mendojnë si prindër, si qytetarë, e të shohin këtë vjedhje. BKH duhet të shkonte në sallën e komisionit hetimor e të komunikonte marrjen të pandehur të disa zyrtarëve. Në këtë moment që flasim, ata mund të jenë duke prishur prova, mund të jenë duke intimiduar, duke larguar të përfshirët. Një Zot e di se çfarë mekanizmash përdorin për të intimiduar, por e dimë si vepron mafia. Këta janë të gjithë të pushtetshëm dhe e vetmja rrugë për t’i frenuar është që drejtësia të bëjë punën e vet”, u shpreh Basha.