Në kulmin e prodhimit vendas, importet e frutave dhe zarzavateve u rritën me 18% në maj

Sezoni i prodhimit bujqësor është në kulmin e tij, ku përveç serrave, tani kanë nisur edhe vjeljet në fusha, por të dhënat tregojnë se këto sasi nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesën e brendshme, teksa importet e frutave dhe zarzavateve shënuan rritje të ndjeshme gjatë muajit maj.

Të dhënat mbi tregtinë e jashtme në 5-mujorin e parë të vitit tregojnë se gjatë muajit të kaluar, importet e zarzavateve u rritën me 18.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa importet e frutave në sasi u rritën me 17.5% për të njëjtën periudhë.

Për të gjithë 5-mujorin 2024, importet e zarzavateve u rritën me 48.3% në sasi dhe ato të frutave me 42%.

Në rritje ishin edhe sasitë e eksporteve, por në përqindje më të ulëta. Në janar-maj 2024, eksportet e frutave u rritën me 15.9% dhe ato të zarzavateve me 14%.

Të dhënat mbi tregtinë e jashtme tregojnë se prodhimi vendas po konsolidohet në serra që kanë kryesisht destinacion eksportin, teksa zhvillimet pozitive në turizëm po nxisin rritjen e importeve.

Rënia e popullsisë dhe sidomos në zonat rurale po ul ofertën për prodhime bujqësore në tregjet e vendit, të cilat po furnizohen nga importi.

Me gjithë përpjekjen e njësive akomoduese në vend për t’u furnizuar me prodhimet e vendit, kjo nuk është gjithnjë e mundur, pasi çmimet e prodhimeve të importit janë shpesh më të ulëta se ato të prodhimit vendas.

Çmimet më të lira të mallrave të huaja po rrisin me shpejtësi kanalet e importit. Mirëpo importet me çmime më të lira rrezikojnë dhe dekurajojnë bujqit shqiptarë. Drita, një blegtore në zonën e Zadrimës në Lezhë, po bëhet gati të shesë tufën e saj prej 200 delesh pasi qumështi po shitet nën kosto.

Pak e shumë ky fenomen po funksionon edhe për disa kultura të tjera. P.sh. fasulet e Korçës shiten gati 40% më shumë se importi pasi, kostot e prodhimit janë rritur që nga fara, krahu i punës dhe inputet e tjera.

Zoti Plasa që prodhon patate në Pojan të Korçës tha se, vitin e kaluar, çmimi i farës së patates u rrit duke bërë shumë kultivues të mos mbillnin aq sa kishin dëshirë.

Ai tha se importi po ushtron presion mbi çmimet, por patatet e vendit janë shumë cilësorë dhe ka gjithmonë kërkesë. Një kilogram farë patate kushton nga 160 deri në 250 lekë për kilogram dhe kjo kërkon nga fermeri një angazhim të madh financiar fillestar.

Prodhimet shqiptarë kanë kosto të larta për shkak të mungesës së subvencioneve, duke bërë që përpjekjet e blegtorëve dhe fermerëve të rrënohen nga importet konkurruese./B.Hoxha

 

zaz
Exit mobile version