Nga Elton LASKA
Laçi është një qytet i themeluar në vitin 1960 si një qytet industrial. Nën këtë prespektivë regjimi komunist kishte planifikuar që në këtë qëndër industriale të përqëndroheshin objektet më të rëndësishme të industrisë së rëndë dhe të mesme për veriun e Shqipërisë. Në atë përiudhë në Laç u ndërtua Uzina e Superfosfatit dhe e pasurimit të bakrit, fabrika e vajit ushqimor, kombinati i drurit, fabrika e kuarcit, pra u kthye në kantierin më të madh të ndërtimit në veri.
Thënë e gjitha kjo dua ta lidh me fatkeqësinë natyrore të tërmetit ku sipas një bilanci të World Vision Albania, Bashkia Kurbin është bashkia më e prekur për nga ana e pallateve të shpallura si të pabanueshme por dhe banesave private. Qeveria qëndrore dhe ajo vendore shprehen se nuk kemi ambiente ku t’i strehojmë banorët e 61 pallateve që kanë nisur të shemben nga IKMT-ja dhe që kanë miratuar një bonus qeraje që varion nga 12000-16000 lek të reja në muaj. Ndërkohë ne si Shqiptarë të “mirë” kemi nxituar t’i rrisim qeratë e shtëpive dhe tashmë një banesë në Laç me qera kushton minimalisht 20000 lek të reja!
Cila është zgjidhja?
E thjeshtë fare, nuk ka përse të kënaqim oreksin e njërëzve të papërgjegjshëm që shfrytëzojnë këtë fatkeqësi natyrore për të përfituar pesë lekë më shumë dhe nuk arrijnë të solidarizohen me bashkëqytetarët e tyre. Si të mos mjaftojnë këto fatkeqësi, kemi edhe një fatkeqësi tjetër edhe më të madhe; jemi të “denuar” të drejtohemi nga njerëz pa vizion, të paaftë dhe injorant. Të thuash se në Laç nuk gjen dot mundesi strehimi është si të thuash se në det nuk gjen dot ujë të kripur.
Kaq e vështirë është për Bashkinë të marri pronat e saja dhe t’i adaptoje në ambiente sociale për banim? A e dini ju miq të dashur se sa pasuri dhe ambiente të braktisura duhet t’i kishte nën administrim Bashkia Kurbin? Ja, po ja u kujtoj unë disa!
1- Ish Reparti ushtarak i xhenios Sanxhak,
2- Ish Reparti i tankeve Laç,
3- Ish Kombinati i drurit Sanxhak,
4- Ish Fabrika e vajit Sanxhak,
5- Magazinat e NSHN Laç,
6- Magazinat e fermes Sanxhak,
7- Magazinat e produkteve të kooperativës Laç,
8- Kampi i punëtorëve Patok,
9- Shtëpia e Pionerit Laç,
10- Stacioni i treni Laç,
11- Stacioni i trenit Milot,
12- Ish Rezervat e shtetit Milot. Për të mos përmendur pastaj edhe vendstrehimet e ngritura nga komunizmi për raste luftrash që ishin planifikuar të strehonin të gjithë popullsinë civile!
Tani një pyetje kam. Kaq e vështirë është të merren këto ambiente dhe të adaptohen për qëndra sociale banimi?
Ja pra që zgjidhje ka por mend nga administratorët e këtij populli nuk ka!