Për të tretin muaj radhazi, për shkak të keqmenaxhimit, korrupsionit dhe vjedhjeve OSHEE po vijon të importojë energji elektrike. Të hënën pritet të mbyllet procedura për blerjen e energjisë nga importi për muajin shtator. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Koorporata Eletroenergjetike Shqiptare kanë hapur tenderat. Ftesa nga OSHEE është për të blerë 274 mijë e 200 megavat orë, kurse KESH kërkon 134 mijë megavat orë. Burime nga Operatori i Shpërndarjes thonë se dy kompanitë janë duke bashkëpunuar me njëra-tjetrën, pasi në rast se Koorporata Elektroenergjetike nuk arrin dot ta mbyllë procedurën, atëherë do të duhet që sasinë e energjisë ta sigurojë vet OSHEE-ja. Në total, importet e shtatorit mund të shkojnë mbi 20 milionë euro. KESH-it iu hap “drita jeshile” për të përdorur një fond të Bankës Botërore prej gati 23 milionë eurosh për të blerë energji nga importi, vetëm pak ditë më parë. Përdorimi i këtij financimi lidhej me krijimin e situatave të rënda klimatike, në rast të rënies së prurjeve në Kaskadën e Drinit. Për korrikun dhe gushtin, Shqipëria ka importuar mbi 50 milionë euro energji elektrike, për të përballuar rënien e prodhimit vendas si pasojë e thatësirës. Fatura është përballuar nga OSHEE, ndërkohë që për muajt në vazhdim pjesëmarrës do të jetë edhe KESH.
Humbjet e OSHE
Humbjet e energjisë në rrjet u rriten në katërmujorin e parë të vitit në 29.3 për qind në krahasim me fundin e vitit 2016, kur ishin 28.04%, teksa u pa se arkëtimet ranë gjithashtu në 92.6 për qind të faturimit nga 93.4 për qind që ishte ky tregues në fund të vitit. Kështu efektiviteti i shitjeve në OSHEE për katërmujorin e parë ra në 65.5% në krahasim me 67.2 për qind në fund të vitit, sipas Burimeve nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE). Por burimet nga OSHEE pohojnë se humbjet kanë karakteristikë sezonale. Ata pohojnë se krahasimi i humbjeve duhet bërë sezon më sezon, për shkak të karakteristikave në konsum dhe në disa linja të shpërndarjes. Gjithashtu borxhi ndaj kompanisë mbetet i lartë. Siç raportoi ERE për katërmujorin borxhi i akumuluar nga entet publike dhe ato private përfshirë edhe borxhin e familjarëve arriti në 70.8 miliardë lekë. Por ndryshe nga viti i kaluar ERE nuk i ka detajuar borxhin që konsumatorët kanë ndaj OSHEE-së sipas kategorive. Enti Rregullator i Energjisë ka njoftuar se në fund të vitit 2016, detyrimet që entet publike i kanë krijuar OSHEE-së nëpërmjet mospagimit të faturave të energjisë arrijnë një vlerë prej 8 miliardë lekësh, ose 58 milionë eurosh. Përveç faturës së lartë të detyrimit, shteti i ka vënë shkelmin moralit që vetë nxiti nëpërmjet një aksioni që synonte të mblidhte detyrimet e prapambetura të energjisë te konsumatorët familjarë me forcë. Gjatë këtyre tre viteve, dhjetëra qytetarë janë përballur me burgun, pasi nuk kanë paguar energjinë, teksa qeveria me entet në saj nuk paguajnë faturat korente. Ky vit nuk ka qenë favorizues në shumë drejtime për OSHEE-në.