Në listën e Inter Majemit, Silvinjo: Nuk largohem nga Shqipëria, s’kam asnjë dyshim për të ardhmen!

Vendi i fundit në grup, rënia një ligë më poshtë, apo loja e shfaqur e Shqipërisë në Ligën e Kombeve, i ka lënë një shije të hidhur ambientit rreth Kombëtares. Nuk e fshehu zhgënjimin as Armand Duka, por kreu i FSHF-ës kërkoi një analizë të qetë dhe të detajuar. Në kulmim e diskutimit mbi Silvinjon, për të ardhmen e tij, për të ndezur edhe më shumë ambientin ka menduar “Mundo Deportivo”, me të përditshmen spanjolle e cila lidh emrin e trajnerit të Kombëtares shqiptare me një transferim të mundshëm tek Inter Majemit, skuadër ky militojnë yje si Leo Mesi, Suarez, Buskets dhe që është në pronësi të ikonës David Bekam.

Gjithnjë sipas “Mundo Deportivo”, Tata Martino, trajneri aktual i Inter Majemit, pritet të shkarkohet në orët në vijim, ndërsa drejtuesit e klubit amerikan po studiojnë tregun për të gjetur një trajner të ri. Sipas medias spanjolle thuhet se favoriti kryesor për të marrë drejtimin e Inter Majemit është Çavi Hernandes. Çavi është një mik shumë i ngushtë i Mesit dhe pjesës tjetër të ish-lojtarëve të Barcelonës, por Çavi dhe Silvinjo nuk janë të vetmit kandidatë në këtë listë, pasi sipas gazetës Ole, mes pretendentëve janë edhe emra si Alegri, Ten Hag apo Lampard. Duke u rikthyer te Silvinjo, kujtojmë që braziliani rinovoi kontratën e tij me FSHF-në edhe me një tjetër vit pas përfundimit në korrik të këtij viti.

TRAJNERI

Në përfundim të humbjes me Ukrainën, Silvinjo u pyet nga gazetarët nëse ishte i bindur për vazhdimin në krye të Kombëtares shqiptare edhe në kualifikueset e Botërorit, me trajnerin i cili nuk kishte asnjë lloj dyshimi, të paktën nga përgjigja që vetë dha: “Sigurisht. Nuk ndryshon asgjë. Kemi bërë kualifikuese të mira, ndërkohë tani një vit më vonë, kemi bërë keq. Duhet të përmirësohemi, kemi vend për tu rritur dhe me objektivin për Botërorin, që do të ishte çmenduri. Nuk kam asnjë dyshim që do të vazhdoj. Më vjen keq për rezultatin e fundit, por nuk mund ta hedhim poshtë të gjithën. Për tu përmirësuar po”, tha Silvinjo pas ndeshjes së fundit në grup me Ukrainën.

Artikulli paraprakNjë gotë ujë esëll në mëngjes, zbuloni përfitimet në organizëm! Rëndësia e hidratimit të trupit
Artikulli tjetër22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, por Shqipëria rrezikohet nga analfabetizmi!