Në “listën e zezë” të Laert Haxhiut, KPA kthen në detyrë Merita Selimin, prokuroren e Lushnjës

Prokurorja Merita Selimi, e cila ishte në listën për t’u vrarë nga Laert Haxhiu, është rikthyer në detyrë pasi kaloi me sukses Vettingun pas ankimimit. Ajo kishte hetuar Haxhiun për masakrën e vitit 2017 dhe prej tetorit 2023 është nën mbrojtje fizike nga policia.

Prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi, e cila ishte në listën e Laert Haxhiut për tu vrarë, ka kaluar “Vettingun”, duke rihyrë sërish në sistemin e prokurorisë.

Në 27 korrik 2023, Selimi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por pas ankimit të depozituar në Komisionin e Posaçëm të Apelimit, trupa gjyësore e kësaj të fundit vendosi me shumicë votash, që Merita Selimi, të rikthehet në detyrë.

Merita Selimi e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe prej atëherë punoi në Prokurorinë e Lushnjës. Së fundmi, pas konfigurimit të hartës së re gjyqësore, ajo e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Fierit.

Në muajin Tetor 2023, prokurorja Selimi u mor në mbrojtje fizike nga komisariati i Lushnjës, pasi një dëshmi e bashkëpuntorit të prokurorisë SPAK, Artan Tafani, tregoi se ajo dhe dy emra të tjerë të Drejtësisë Shqiptare, ishin në listën e personave që i dënuari me burg përjetë Laert Haxhiu, kërkonte t’i vriste.

Selimi, ishte prokurorja që hetoi Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017, ku mbeti i vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu.

Pas dy viteve hetime, Selimi, vendosi të shpallë mos kompetencën nga prokuroria e Lushnjës, duke transferuar dosjen ndaj tre të pandehurve në SPAK, ku gjykata vendosi dënimin e 3 personave me burgim të përjetshëm.

Artikulli paraprakAdem Gjurra, nacionalisti që u përball me pushtuesit, regjimin komunist të Tiranës dhe Beogradit! Kush e ndihmoi të largohej nga Jugosllavia në Itali e më pas në SHBA
Artikulli tjetërBIRN: Asosacioni i Gazetarëve paralajmëron padi në Gjykatën Kushtetuese për mbylljen e Tik Tok