Nuk i ka kursyer fjalët e mira për Shqipërinë edhe sportivja e përditshme italiane, “Corriere dello Sport”. Ajo shkruan në analizën e saj për ndeshjen e luajtur mbrëmë në “Velodrome”: “Franca bën ndeshjen e dytë dhe gjen fitoren e dytë. Edhe këtë herë e gjen golin në minutën e fundit. Shqipëria ishte solide dhe e vendosur mirë në fushë nga De Biasi. Shqiptarët rezistuan mirë deri në minutën e 90-të, por më pas u kalua nga Griezmann dhe Payet.
Mbaroi 2-0. Në pjesën e dytë pati një ritëm tjetër, ndryshe nga pjesa e parë. Pati edhe dy shtylla, nga një për secilën skuadër. Shumë e mirë loja e Hysajt. Perfekt në mbrojtje dhe i rrezikshëm në disa raste në sulm.
Franca e nisi mirë dhe duke mbajtur topin, por Shqipëria i kishte mbyllur të gjitha hapësirat, duke mbrojtur me dy lojtarë sa herë merrte topin Payet dhe Coman. Shqipëria provoi disa herë me kundërsulm. Ajo pati disa raste në fund të pjesës së parë, duke bërë që tifozët francezë të fishkëllejnë skuadrën e tyre, që shkonte në dhomat e zhveshjes.
Në pjesën e dytë, Franca luajti gjithçka për të arritur rezultatin. Shqiptarët mbrohen, duke shtrënguar dhëmbët, por e uli shumë ritmin në minutat e fundit, duke pësuar në të 90-ën. Griezmann me kokë shpërthen “Velodrome” dhe pak çaste më pas edhe Payet, që dyfishon shifrat, duke e çuar Francën në çerekfinale”.
Fitorja in-extremis e Francës ndaj Shqipërisë në “Velodrome”, është pasqyruar me nota pozitive për lojën e kuqezinjve nga mediat botërore. Dhe jo vetëm për faktin se u ndëshkuam në fund, por edhe për lojën e mirë dhe rastet e krijuara në portën franceze gjatë 90 minutave. Titulli i madh i “L’Equipe”, mbretërit e ankthit, i referohej pikërisht emocioneve të papërshkrueshme të mbrëmjes së “Velodrome”. Ashtu sikurse ndaj Rumanisë, Blutë vuajtën shumë për t’i imponuar vetëm në fund, falë golavetë Griezmann dhe Payet.
“Gazzetta Dello Sport” shkruan: Griezman dhe Payet i dhurojnë 1/8 Francës. Pas një pjese të parë të shëmtuar, me hyrjen në fushë të Griezman dhe Pogbasë, të zotët e shtëpisë kalojnë kombëtaren e De Biasit.
Spanjollja “Marca” shkruan: Blutë shpëtuan në fijet të perit falë Griezman. Sipas “Goal.com”: Nuk ka festë pa Griezmann dhe Pogba. Yjet që erdhën nga stoli shpëtuan Francën me një fitore dramatike me Shqipërinë.
Rrjeti amerikan “ESPN” vlerëson maksimalisht mbrojtjen e Shqipërisë, pavarësisht humbjes me Francën.
Zvicerania “Blick” shkruan se, Griezman dhe Payet arritën të shënonin vetëm në fund për të lumturuar Francën. Shqipëria nuk shpërblehet në fund pas një lufte madhështore.