Në mos keni armë gjeni, a duhet ligj i ri për armët?

I pari ja mbathi nga Parlamenti, i dyti është zverdhur, pas propozimit të Ish-Kryeministrit Berisha se shqiptarët me ligj duhet të vetmbrohen nga kjo organizatë kriminale, e cila ka ushtrinë e krimit të Shullazit që vret, që merr peng, që gjobit biznesmenët, që vjedh paratë e shqiptarëve, që e kthen vendin në një plantacion droge, ku biri i deputetes ekzekuton 5 qytetarë, ku deputeti vret në oborrin e komisariatit dhe bandat lëshohen të armatosura në të gjithë Shqipërinë duke ekzekutuar zgjedhjet për të siguruar pushtetin e përjetshëm të tyre. Kur shteti bie në gjunjët e një organizate kriminale, atëhere këtu nuk ka më siguri për askënd dhe kujtdo i lind e drejta të vetmbrohet. Kjo nuk është gjuha në një vend normal, por kjo është gjuha që njeh një i cmendur që e ka kthyer vendin në një inkubator krimi. Kur qytetarët dëgjojnë faktet e tmerrshme të lidhjeve të kreut të qeverisë dhe ministrit të Brendshëm me kreun e krimit të organizuar, Shullazi, atëhere kush mund ti mbrojë qytetarët? Në kushte të tilla e vetmja zgjidhje mbetet vetmbrojtja nga një organizatë kriminale përmes një ligji të ri për armët.
Këto janë vetëm disa nga fotot e vrasësve me pushtet të Ramës nga të cilat qytetarët nuk ka kush i mbron ndaj po kërkohet vetmbrojtja. Kryeministri dhe ministri i Brendshëm nuk do të dënohen pse Shullazi godiste me antitank biznesmenët që nuk i paguanin gjobën, por për faktin se u shndërruan në ndërmjetësues dhe garant pagesash për biznesmenët e tjerë që ishin në listën e gjobvënies së Shullazit. Ata nuk do të akuzohen pse Shullazi vriste për të grabitur prona, por për faktin se e ndihmuan bandën që të legalizonte, hipotekonte dhe çertifikonte mbi 100 prona të grabitura në tre vite.
Me atë që tha në Parlament, Kryeministri Rama na ka bindur se jeta e çdo shqiptari është në rrezik, pikësëpari prej tij, ministrit të Brendshëm dhe bandave që kanë mbushur Parlamentin, administratën, policinë dhe rrugët e Shqipërisë. Ky rrezik vjen nga fakti se ky pushtet është shndërruar në një bandë që atë para dhe pasuri që nuk ta merr përmes taksave dhe tatimeve ta merr përmes Shullazëve që i ka në çdo lagje, fshat dhe qytet.
Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që pasi Shullazi të shantazhon, të gjobit, të grabit dhe të vret, kryeministri justifikohet “nuk e di se çfarë ka Mili kohët e fundit. Nuk është mirë”. Vetëm në Shqipëri ndodh që ministri i Brendshëm të justifikojë ushtarllëkun e tij ndaj një krimineli me shprehjen “kushdo që do të ishte sot ministër i Brendshëm do të ishte i lidhur me Shullazin”. Vetëm në Shqipëri ndodh që kryeministri është kapobandë dhe çdo ministër, parlamentar, nëpunës i administratës dhe kriminel në vend është thjesht një ushtar i pushtetit të tij absolut, që merr frymë vetëm për të pasuruar dhe zgjatur jetëgjatësinë në karrige të absolutit.
Tragjike, por e vërtetë, vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që propaganda e pushtetit të sulmojë kandidatin për rektor për faktin, sepse nuk fliste publikisht se e kishte rrahur dhe kërcënuar me jetë Shullazi i kryeministrit. Tragjike, por kur një kryeministër që bën orgji dhe vret e pret qytetarët me banditë që ruhen me policë, kur një ministër i Brendshëm që bën me gisht shefin e tij për pafuqinë e tij dhe shndërron Shqipërinë në pashallëk të drogës, kur një armatë policësh që mund të qëndrojnë në detyrë vetëm nëse mbyllin sytë kur kalon Shullazi me armë, me pengje dhe me drogë, i kanë lënë qytetarëve vetëm një alternativë: vetëmbrojtjen.
Shqiptarët kanë patuar periudha pa fund në historinë e tyre kombëtare që të mos kenë shtet, të kenë një shtet pushtues, ose një pushtet kriminal, por gjithnjë përballë tyre janë mbrojtur ose kanë vdekur me armë në dorë. Jo rastësisht tre herë ka lulëzuar krimi i bandave në Shqipëri, fillimisht kur komunistët morën pushtetin në ’44, kur rimorën pushtetin me armë në ’97 dhe në 2013 kur mblodhën qelbësirat anë e kënd vendit. Këto janë edhe tre rastet, kur kriminelët janë futur në Parlament, mes tyre dhe gjakpirës.
Tani që Shullazët të vënë tritol dhe të djegin biznesin, të rrëmbëjnë fëmijët, paratë dhe pasuritë për t’i ndarë me kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm, dhe policia është e paaftë që të të mbrojë, shqiptarëve ju duhet dhënë e drejta të vetëmbrohen. Qoftë edhe përkohësisht sa të shporret Rama dhe banda e tij nga pushteti. Qytetarët meritojnë mbrojtje. Ata të gjithë nuk mund dhe nuk duan të ikin nga ky vend, ndaj ligji duhet t’i mbrojë. Shumë vende perëndimore të Europës dhe SHBA i lejojnë qytetarët të mbajnë armë për të mbrojtur veten, familjen dhe pronën. Në një këngë labe thuhet “në mos keni armë gjeni, ia rrëmbeni atij qeni”. Do ishte mirë t’u merreshin armët banditëve, por sa kohë shteti është vënë në shërbim të krimit, ligji duhet të miratohet për t’i ardhur në ndihmë qytetarit.

A.Shahini

Artikulli paraprakThirrje për vetmbrojtje dhe me ligj si amerikanët
Artikulli tjetërRama ia kaloi edhe avokatit të Milit të partisë