“Ne nuk do të dështojmë”, fjalimi i plotë i Presidentit Trump në ceremoni

Donald TRUMP

Kryetar i Drejtësisë Roberts, President Carter, Presidenti Clinton, Presidenti Bush, Presidenti Obama, miq amerikanë dhe njerëz në botë: faleminderit.
Ne, qytetarët e Amerikës, jemi tani të bashkuar në një përpjekje të madhe për të rindërtuar vendin tonë dhe të kthejmë premtimin për të gjithë popullin tonë.
Së bashku ne do të përcaktojmë rrugëtimin e Amerikës dhe të botës për vitet në vazhdim.
Ne do të përballemi me sfida. Ne do të ballafaqohemi me mundime. Por ne do t’ia arrijmë.
Çdo katër vjet ne mblidhemi në këto shkallë për të bërë transferimin e zakonshëm dhe paqësor të pushtetit, dhe ne i jemi mirënjohës Presidentit Obama dhe Zonjës së Parë, Michelle Obama për ndihmën e tyre zemërbardhë përmes këtij tranzicioni. Ata kanë qenë të mrekullueshëm.
Ceremonia e sotme ka një kuptim shumë të veçantë. Pasi ne sot nuk jemi duke transferuar thjesht pushtetin nga një Administratë tek tjetra, apo nga një parti tek tjetra, por ne jemi duke transferuar pushtetin nga Uashington DC dhe po ua kthejmë atë juve, popullit amerikan.
Për një kohë të gjatë, një grup i vogël në Kryeqytetin e kombit tonë ka shkatërruar arritjet e qeverisë, ndërkohë që njerëzit kanë paguar koston.
Uashingtoni lulëzohej, por njerëzit nuk ishin pjesë e bollëkut të tij.
Politikanët përparonin në begati, por vendet e punës ikën dhe fabrikat u mbyllën.
Establishmenti mbronte vetveten, por jo qytetarët e vendit tonë.
Fitoret e tyre nuk ishin fitoret tuaja; triumfet e tyre nuk ishin triumfet tuaja; dhe ndërkohë që ata festonin në Kryeqytetin e kombit tonë, kishte shumë pak për të festuar për familjet që vuanin anekënd tokës tonë.
E gjithë kjo ndryshon duke nisur që këtu dhe që tani, pasi ky moment është momenti juaj: ju takon juve.
I takon gjithkujt që është mbledhur sot këtu dhe gjithkujt që po sheh anekënd Amerikës.
Kjo është dita juaj. Këto janë festimet tuaja.
Dhe ky vend, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është atdheu juaj. Çfarë ka rëndësi në të vërtetë nuk është se cila parti kontrollon qeverinë, por nëse qeverisja jonë kontrollohet nga qytetarët apo jo. 20 janari 2017 do të mbahet mend si dita kur qytetarët u bënë zotër të kombit sërish. Burrat dhe gratë e harruar të këtij vendi nuk do të jenë më të harruar.
Të gjithë janë duke ju dëgjuar juve tani.
Ju erdhët në dhjetëra milionë për t’u bërë pjesë e një lëvizjeje historike që të ngjashme bota nuk ka parë ndonjëherë.
Në qendër të kësaj lëvizje është një besim vendimtar: që një komb ekziston për t’i shërbyer qytetarëve të vet.
Amerikanët duan shkolla të shkëlqyera për fëmijët e tyre, lagje të sigurta për familjet e tyre dhe punë të mira për veten.
Këto janë kërkesat e drejta dhe të arsyeshme të një publiku të drejtë.
Por për shumë prej qytetarëve tanë, ekziston një realitet tjetër: Nëna dhe fëmijë të rënë në kurthin e varfërisë në brendësi të qyteteve të tyre; fabrika të ndryshkura të shpërndara si gurrë varresh kudo në territorin ku kombi ynë jeton; një sistem arsimimi, i mbushur me para, por që i lë studentët tanë të rinj dhe të mrekullueshëm të privuar nga dituria; dhe krimi e bandat dhe droga që kanë marrë shumë jetë dhe i vodhën atdheut tonë kaq shumë potenciale të parealizuara.
Kjo masakër amerikane ndalon tamam këtu dhe që tani.
Ne jemi një komb dhe vuajtja e tyre është vuajtja jonë. Ëndërrat e tyre janë ëndërrat tona; dhe suksesi i tyre do të jetë suksesi ynë.
Ne ndajmë një zemër, një shtëpi, dhe një fat të lavdishëm.
Betimi për në zyrë që po bëj sot është një betim besnikërie drejtuar gjithë amerikanëve. Për shumë dekada ne pasuruam industri të huaja, duke varfëruar industrinë amerikane; Ndihmuam ushtritë e vendeve të tjera, ndërkohë që lejuam në mënyrë të trishtë tkurrjen e ushtrisë sonë; Ne kemi mbrojtur kufijtë e vendeve të tjera, ndërkohë që refuzonim të mbronim tonat;
Dhe shpenzuam triliona dollarë jashtë Amerikës, ndërkohë që infrastuktura amerikane është bërë e pariparueshme dhe në shkatërrim.
Ne kemi bërë të tjera vende të pasura, ndërkohë që mirëqenia, forca dhe besimi i vendit tonë u zhduk në horizont.
Një nga një fabrikat tona u mbyllën dhe u larguan nga brigjet tona, pa menduar fare për miliona e miliona punonjës amerikanë që lanë pas.
Pasuria e klasës sonë të mesme u grabit nga shtëpitë tona dhe u rishpërnda anekënd gjithë botës. Por ajo tashmë i takon së shkuarës. Tani ne jemi duke parë vetëm drejt së ardhmes. Ne, të mbledhur sot këtu po lëshojmë një sinjal të ri për t’u dëgjuar në çdo qytet, në çdo kryeqytet të huaj dhe në çdo sallon pushteti.
Nga kjo ditë e në vazhdim, një vizion i ri do të qeverisë në tokën tonë. Nga ky moment e në vazhdim, do të jetë Amerika e para.
Çdo vendim në tregti, taksa, imigracion, politikë të jashtme, do të bëhet në të mirë të punëtorëve amerikanë dhe familjeve amerikane.
Ne duhet të mbrojmë kufijtë tanë nga shkatërrimi prej vendeve të tjera, duke bërë prodhimet tona, duke grabitur kompanitë tona, dhe duke shkatërruar vendet tona të punës. Kjo mbrojtje do të na çojë drejt begatisë dhe fuqizimit.
Unë do të luftoj për ju derisa të kem frymë në trupin tim, dhe unë kurrë nuk do t’ju braktis.
Amerika do të nisë të jetë fituese sërish, fituese si kurrë ndonjëherë.
Ne do të sjellim vendet e punës. Ne do të sjellim kufijtë tanë. Ne do të sjellim pasurinë tonë. Dhe ne do të sjellim sërish ëndërrat tona. Ne do të ndërtojmë rrugë të reja, autostrada, ura, aeroporte, dhe tunele, hekurudha anekënd atdheut tonë të mrekullueshëm.
Ne do t’i nxjerrim njerëzit tanë jashtë nga skemat e ndihmës ekonomike dhe do t’i fusim në punë, duke rindërtuar atdheun tonë me duar amerikanësh dhe punë amerikanësh.
Ne do të ndjekim dy rregulla të thjeshtë: blej produkte amerikane dhe merr në punë amerikanë.
Ne do të kërkojmë miqësi dhe mirëbesim me kombet nëpër botë, por një gjë të tillë do ta bëjmë me mirëkuptimin se është e drejtë e gjithë kombeve të vënë interesat e tyre në radhë të parë.
Ne nuk kërkojmë që t’i imponojmë mënyrën tonë të jetës askujt, por do të mundësojmë që ajo rrugë të shkëlqejë e të ndiqet si shembull për t’u ndjekur nga kushdo.
Ne do të forcojmë aleancat e vjetra dhe do të krijojmë të reja, dhe do të bashkojmë botën e civilizuar kundër Terrorizmit Radikal Islamik, të cilin ne do ta ç’rrënjosim nga faqja e dheut.
Në themel të politikës sonë ne do të kemi besnikërinë totale ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe përmes besnikërisë ndaj vendit tonë. Ne do të rizbulojmë besnikërinë kundrejt njëri-tjetrit. Kur ju e hapni zemrën për patriotizmin, nuk ka vend për paragjykime. Bibla na mëson, “sa mirë dhe e këndshme është kur njerëzit e Zotit jetojnë bashkë të bashkuar”.
Ne duhet të themi gjithçka mendojmë hapur, të debatojmë për mosmarrëveshjet në mënyrë të ndershme, por gjithnjë të vazhdojmë me solidaritet. Kur Amerika është e bashkuar, Amerika është plotësisht e pandalshme.
Nuk ka vend për frikë, pasi ne jemi të mbrojtur dhe gjithnjë do të jemi të mbrojtur. Ne do të jemi të mbrojtur nga djemtë dhe vajzat e mrekullueshëm të ushtrisë sonë dhe të forcave të rendit dhe, ç’është më e rëndësishme ne jemi të mbrojtur nga Zoti.
Më në fund ne duhet të mendojmë për gjëra të mëdha e të ëndërrojmë për gjëra edhe më të mëdha.
Në Amerikë, ne e kemi kuptuar se një komb jeton vetëm për sa kohë vazhdon të përpiqet për më mirë. Ne nuk do të pranojmë më politikanë që vetëm flasin e nuk veprojnë, në mënyrë të vazhdueshme ankohen, por nuk bëjnë asgjë për të ndryshuar gjendjen.
Koha e fjalëve boshe ka mbaruar. Tani ka ardhur ora e veprimit. Mos lejoni askënd që t’ju thotë se kjo nuk mund të bëhet. Nuk ka përballje që të jetë në përmasat e zemrës dhe të ndeshjes dhe shpirtit të Amerikës.
Ne nuk do të dështojmë. Atdheu ynë do të lulëzojë dhe begatohet sërish. Ne qëndrojmë në lindje të një mijëvjeçari të ri, të gatshëm të çkyçim misteret e hapësirës, të çlirojmë Globin nga mizeria e sëmundjeve, mbrehim energjitë, industritë dhe teknologjitë e së nesërmes.
Një krenari e re kombëtare do të trazojë shpirtrat tanë, do të ngrejë objektivat tanë, dhe do të shërojë ndasitë tona.
Është momenti të kujtojmë atë fjalë të mençur të ushtarëve tanë që kurrë nuk do të harrohet: nuk ka rëndësi nëse jemi të zinj ose kafe ose të bardhë, ne derdhim të njëjtin gjak të kuq prej patriotësh, ne të gjithë gëzojmë të njëjtën liri të lavdishme, dhe të gjithë ne përshëndesim të njëjtin flamur amerikan të madhërishëm.
Nuk ka rëndësi se një fëmijë ka lindur nëpër sheshet e Detroit apo në fushat me erë të fortë të Nebraskës, ata shohin lart të njëjtin qiell në mbrëmje, ata i mbushin zemrat e tyre me të njëjtat ëndërra, dhe ata janë të mbushur me të njëjtën frymë të jetës prej të njëjtin Krijues të plotfuqishëm.
Pra, për të gjithë amerikanët, në çdo qytet afër apo larg, të vogël apo të madh, nga një mal tek tjetri, dhe nga njëri oqean tek tjetri, dëgjoni këto fjalë:
Ju nuk do të neglizhoheni më.
Zërat tuaj, shpresat tuaja, ëndërrat tuaja, do të përcaktojnë të ardhmen tonë amerikane. Dhe guximi juaj dhe mirësia juaj dhe dashuria do të na drejtojnë për gjithnjë ne në rrugën tonë.
Së bashku, ne do t’a Bëjmë Amerikën të fortë sërish.
Ne so t’a bëjmë Amerikën të pasur sërish.
Ne do t’a bëjmë Amerikën krenare sërish.
Ne do t’a bëjmë Amerikën të sigurtë sërish.
Dhe, patjetër, së bashku, ne do t’a bëjmë Amerikën të madhe sërish.
Faleminderit. Zoti ju bekoftë, dhe zoti e bekoftë Amerikën.

Artikulli paraprakDy të plagosur nga një shpërthim në Pogradec
Artikulli tjetërPlagoset me armë një i ri në Korçë