Borxhi i jashtëm i ekonomisë shqiptare në fund të tremujorit të parë të këtij viti arriti në 7.73 miliardë euro. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, borxhi i jashtëm u rrit me 1.3% ose rreth 105 milionë euro që nga fillimi i vitit. Rritja e borxhit të jashtëm të ekonomisë erdhi në pjesën më të madhe nga sektori privat, sidomos në formën e huave të ndërmarrjeve zotëruese te kompanitë e tyre shqiptare. Borxhet e kompanive të huaja ndaj aksionerëve të tyre u rritën me rreth 3%, duke arritur në rreth 1.76 miliardë euro. Ndërsa borxhet e kompanive private kundrejt subjekteve jorezidente u rritën në 1.29 miliardë euro, rreth 1.8% ose 23 milionë euro. Ndërkohë, pas një rritje të fortë në tremujorin e fundit 2015, borxhi publik për tremujorin e parë të këtij viti u rrit në përmasa shumë më të kufizuara. Totali i borxhit publik, në fund të muajit mars, arriti në afro 3.32 miliardë euro, me një rritje prej 0.7% që nga fillimi i vitit. Për sa i takon sistemit bankar, vlera e detyrimeve të jashtme regjistroi një rritje të lehtë në vlerën e 1.29 miliardë eurove, me një rritje prej vetëm tetë milionë eurosh në tre muaj. Në kushtet e bollëkut të likuiditetit nga depozitat e publikut dhe të një kërkese të dobët për kredi, bankat nuk kanë pasur nevojë të kërkojnë burime financimi shtesë, përmes huave të jashtme. Ndërkohë, ekonomia e vendit është përfshirë nga një valë e shtuar borxhesh këtë fillimvit, e nxitur nga kriza e sektorit të industrisë, e cila po vuan çmimet e ulëta të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare dhe klimën jo fort të përshtatshme të ambientit të brendshëm të biznesit. Ende pa u parë rezultatet e pastrimit të 60 miliardë lekë borxhe qeveritare të prapambetura të krijuara para 2013-s, mungesa e likuiditetit po shtrihet si një merimangë në të gjithë kapilarët e ekonomisë. Fenomeni ka përfshirë edhe qeverinë, e cila në fund të 2015 ka krijuar detyrime të reja ndaj kompanive private të kontraktuara për punë publike dhe rreth 10 milionë euro. Nga ana tjetër, lista e borxhlinjve të këqij në tatime vetëm për tre muajt e parë është shtuar me 1366 subjekte të reja, teksa ekstraktet e QKR janë tejmbushur me sekuestro nga shoqëritë përmbarimore për shkak të detyrimeve që kanë ndaj bankave dhe të tretëve. Sistemi bankar po kërcënohet nga një valë e re kredish të këqija, si rrjedhojë e shitjeve nën kosto në sektorin e industrisë. Banka e Shqipërisë ka lajmëruar se, vetëm nga falimenti i kompanisë Kurum borxhet e kreditë e këqija mund të rriten me 1 pikë përqindje. Detyrimet zinxhir në sektorin e industrisë arritën në 1 miliard dollarë, ku kryesojnë kompanitë ARMO me 595 milionë dollarë dhe Kurum me 375 milionë dollarë. Ndërsa qindra kompani të sektorit të industrisë minerare dhe naftës janë duke punuar me humbje. Disa prej tyre kanë shpallur falimentin dhe të tjera janë duke kërkuar blerës. Për rrjedhojë, ndaj kompanisë publike së nxjerrjes së naftës, Albpetrol është akumuluar një detyrim prej 60 milionë erosh, nga mospërmbushja e detyrimeve kontraktore në zinxhirin e sektorit. Ky zinxhir borxhesh duket se ka prekur edhe pjesën më vulnerabël, punonjësit e kompanive, të cilët këto ditë janë hedhur në protesta për pagat e prapambetura. Në sektorë të tjerë, kriza e borxheve është thelluar edhe nga mungesa e likuiditetit. Rënia e konsumit ka ulur të ardhurat për kompanitë, të cilat po hasin së fundi vështirësi në shlyerjen e faturave. Gelas Yzo, nga shoqëria përmbarimore EPSA, pohoi se kohët e fundit është shtuar ndjeshëm ekzekutimi me forcë i arkëtimeve biznes me biznes edhe për faktin se fatura e TVSH është titull ekzekutiv që prej vitit të kaluar. Redona Sokoli, një ekonomiste në biznesin e pjesëve të këmbimit, pohoi se këtë vit edhe klientët seriozë po hasin vështirësi në likuidimin e furnizimeve sipas kontratave. Ajo shpjegon se ekzekutimi nga përmbarimi i faturave ka kosto të larta. Kriza e borxheve është thelluar edhe në sektorin e ndërtimit. Hajredin Fratari nga Konfindustria, pohon se nga anketimet e shoqatës borxhet që kompanitë e ndërtimit i kanë njëra-tjetrës dhe zinxhirit të sektorëve i kalojnë të 200 milionë dollarët aktualisht. Llazi Balliu, një kontabilist i vjetër thotë se, borxhet janë pasqyrë e zhvillimit të dobët të ekonomisë. Sipas tij, përmirësimi i konsumit është guri i themelit për të rigjeneruar rritjen, por kjo nuk ka sesi të ndodhë nëse burimet që financojnë konsumin nuk rriten.
Kryesore
Continue to the category“SPAK të mos vonojë hetimet për lidhjet e politikës me krimini”,...
Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një intervistë për gazetën “Panorama” theksoi se qëndrimi i gjatë i mazhorancës në pushtet vjen për...