Zinedine Zidane pranoi se fati i tij do të vendoset nga ndeshja e Ligës së Kampionëve, në muajin shkurt, kundër PSG, pasi Real Madridi u eliminua nga Kupa e Mbretit prej Leganes. Goli i Marco Asensio në ndeshjen e parë çerekfinale e kishte anuar dukshëm peshoren e kualifikimit nga “Los Blancos”, që të mërkurën luajtën sfidën e kthimit në “Santiago Bernabeu”. Por, pavarësisht se Zidane aktivizoi Sergio Ramos dhe Karim Benzema, edhe pse Cristiano Ronaldo dhe Gareth Bale u lanë pushim, Leganes nënshkroi një fitore 2-1 dhe përparoi në këtë kompeticion falë golave në fushë kundërshtare. Leganes është skuadra e parë në historinë e Kupës së Mbretit që rrëzon Real Madridin në “Bernabeu”, pasi e humbi ndeshjen e parë çerekfinale në shtëpi. Kampionët e Spanjës dhe të Europës në fuqi janë 19 pikë pas udhëheqësve të La Liga-s, Barcelona, ndaj shanset e tyre për të shtuar çdo lloj trofeu të brendshëm në Superkupën e Spanjës shkoi dëm.
Dhe Zidane, i cili e ka udhëhequr Real Madridin në dy tituj të njëpasnjëshëm të Ligës së Kampionëve, beson se ballafaqimi me PSG-në në Champions mund të vendosë të ardhmen e tij të afërt. “Natyrisht, kjo është vërtet e qartë, tha Zidane, kur u pyet nëse puna e tij ishte në rrezik, tha se është përgjegjës për këtë. “Unë jam përgjegjës për këtë, unë jam trajneri. Kështu, po unë duhet të gjej zgjidhje, po unë duhet ta marr përsipër përgjegjësinë. Unë do të vazhdoj gjithmonë të luftoj, të vazhdoj të punoj, të përpiqem dhe të kërkoj gjëra për ta bërë ekipin më të mirë. Nuk pendohem që kurseva disa lojtarë. Disa prej tyre kishin nevojë për pushim. Në fund të fundit, rezultati është logjik, pasi kundërshtari luajti ndeshjen e tij, ndërsa ne nuk e bëmë këtë. Unë jam përgjegjës për këtë, është një dështim për mua sot. Jam shumë i zhgënjyer dhe do të marr përgjegjësinë për të gjitha këto, por do të vazhdoj të punoj”, tha Zidane.
Zidane u shpreh më tej se, nesër është një ditë tjetër dhe ajo që duhet të bëjmë është të marrim veten e të mendojmë për ndeshjen e së shtunës, ndaj Valencias. “Por, sot është një goditje shumë e vështirë. Unë jam përgjegjësi për këtë, sepse unë e zgjedh ekipin. Dhe në fund kam gabuar për shumë gjëra, jam i zemëruar me veten time, jo me lojtarët e mi. Lojtarët e mi u përpoqën, vrapuan, ndoshta luajtën keq, ata kanë një pjesë të fajit, por unë jam më përgjegjës. Zgjidhja është që të vazhdojmë të punojmë. Ne duhet të japim më tepër, sepse gjithçka kemi dhënë deri tani nuk është e mjaftueshme. Unë gjithmonë mendoj pozitivisht, madje edhe pas këtij dështimi, kur duhet të kërkojmë ndjesë për tifozët. Ne kemi një ndeshje kampionati të shtunën dhe më vonë, më 14 shkurt, një sfidë me shumë rëndësi në Ligën e Kampionëve”, përfundoi Zidane.
Kishte fituar ndeshjen e parë 1-0 në transfertë dhe u mendua se mbrëmja e së mërkurës do të ishte një shëtitje për Real Madrid në çerekfinalen e kthimit të Kupës e Mbretit, me të besuarit e Zinedine Zidane që ishin një hap larg gjysmëfinales. Por Leganes ka bërë mrekullinë në “Bernabeu”, duke fituar 1-2 dhe duke eliminuar kampionët e Spanjës dhe të Europës. Një humbje që djeg shumë, ku tashmë Real Madrid i duhet të luftojë vetëm në frontin e Champions League, pasi në kampionat janë 19 pikë larg Barcelona-s kryesuese.
Miqtë bënë surprizën duke e mbyllën pjesën e parë në avantazh 0-1, me golin e shënuar nga Eraso, në minutën e 35-të, çka barazoi rezultatin e ndeshjes së parë në fushën e tyre. Sapo nisi pjesa e dytë, Karim Benzema barazoi për Real Madrid, por baraspesha zgjati vetëm tetë minuta, pasi Gabriel shënoi sërish për Leganes. Të kota rezultuan sulmet e shumta për “Los Blancos”, që nuk arritën të gjejnë golin e barazimit dhe me rezultatin e përgjithshëm 2-2, por në sajë të rregullit të golit në transfertë, eliminohen nga Kupa e Mbretit.