Në pritje të “fatit”!

Kapiten në dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë në grupet e Euro 2016, Ansi Agolli nuk ka zhgënjyer me rolin dhe paraqitjet e tij në fushë, megjithatë mbrojtësi i majtë sqaron se kombëtarja e ka kapitenin e saj. “Kapiteni i skuadrës është Loriku. Ai është një lider. Dua ta falënderoj sepse, pavarësisht se nuk luajti na ka dhënë shumë mbështetje morale. Nuk i fsheh emocionet e dy ndeshjeve që kam qenë kapiten, pasi ka qenë përgjegjësi mjaft e madhe. Por, kemi një skuadër me djem mjaft të mirë që ia kanë bërë punën të lehtë trajnerit dhe mua kur mbaja shiritin. Mbajtja e shiritit ka qenë mjaft emocionuese. Jam edhe tip që i ndjej këto gjëra. Por, falë eksperiencës ndërkombëtare jam munduar ta përballoj me sukses dhe shpresoj t’ia kem dalë”, u shpreh Agolli.
Agolli foli edhe për pritjen e Shqipërisë, me skuadrën që shpreson ta ndihmojë fati për t’u kualifikuar nga grupi. “Pas një ngarkese të mjaftueshme në këto 8 ditë me tri ndeshje, dje patëm një ditë pushimi të merituar. Morali i skuadrës është mjaft i lartë. Po presim me padurim çfarë do të ndodhë. Shpresojmë të kemi fat, të luajmë edhe një ndeshje tjetër dhe të paraqitemi sa më mirë. Pas dy ndeshjeve të para pa fat, shpresoj shumë që do të kemi fatin të luajmë edhe një ndeshje në Francë. E meritojmë me atë që kemi treguar në këto tri ndeshje të grupit”, tha ai.
Pas fitores me Rumaninë, Ansi Agolli puthi fushën. Një moment i ëndërruar, jo vetëm për të dhe kuqezinjtë e tjerë, por për të gjithë shqiptarët. “Pas fitores me Rumaninë, u ule dhe puthe fushën? Ai ishte një moment çlirimi, nga stresi, emocionet. Ishte një moment që kisha kohë që e prisja: mund të them vite, por edhe këto javë që jemi stërvitur bashkë. E kishim ëndërruar atë moment”, tha ai.
Kur ndodhet në fushë, çdo lojtar ka ritet e tij. Përjashtim nuk bën as Ansi Agolli, që duke luajtur në një turne madhor ka realizuar ëndrrën e të atit. “Secili ka dedikimet e vete, unë kam të miat. Mendoj se është më mirë t’i mbaj për vete. Ai më sheh edhe kur luaj edhe në këto momente kur flasim. U realizua ëndrra e babait? Padyshim. Ishte ëndrra e tij të më shihte duke luajtur dhe besoj se iu realizua edhe dëshira”, tha Agolli.

Artikulli paraprakDe Biasi: Ja si reagoi Cana për qëndrimin në stol
Artikulli tjetërItalia me ndryshime, Conte me modulin 3-5-2